Enver Sekiraqa Kishte Shumë Femra

“Ti duhesh gjithqysh me u taku me mua, se ti ke shumë punë me mua, se prej meje nuk mund të largohesh kur të duash ti”. Kështu i thoshte përmes telefonit celular Enver Sekiraqa, i përshkruar si gangster në kabllo diplomatike e dosje policore, A.A.-së më 22 maj 2006.

Sekiraqa, sipas aktgjykimit të Gjykatës, rreth orës 12:30, i kërkonte A.A.-së të takoheshin tek kafeneja “Dani”.

“Ti duhesh me u taku gjithqysh me mua se përndryshe kam me të ardhë te shtëpia dhe kam me ta shkyer p…, kam me ta çarë krejt”, kanosej Sekiraqa, i cili qe dënuar në lidhje me këtë rast për kanosje. “Ti ke me marrë vesh se kush jam unë, kam me të mbytë”.

Në dëshmitë e tij, Sekiraqa kishte dhënë version tjetër. Ai thoshte se A.A. e njihte për mese dy vjet e gjysmë dhe se të njëjtën e ka pasur dashnore. Sipas tij, ajo në fillim kishte shkuar shpesh në zyrën e tij, por më rrallë në kohën e ngjarjes sepse ishte punësuar në një firmë private. “Me të dëmtuarën A.A., ka pasur shpesh marrëdhënie seksuale dhe gjithmonë me dëshirën e saj, asnjëherë nuk i është kërcënuar, as që e ka përdorë forcën ndaj saj”, aktgjykimi  i referohet Sekiraqës. “Ka ndodhur që ajo disa herë të qëndrojë në shtëpinë e tij në Prishtinë, por asnjëherë nuk ka ndodhur që të qëndrojë dy-tri ditë”.

Më 22 maj, sipas tij, ai po shkonte në Pozharan me veturën e tipit “Golf” së bashku me Xhemajl Dervishin e Bujar Miftarin. “Gjatë rrugës për në Pozhoran, dy-tri herë e ka thirr A.A.-në, duke i kërkuar që të takohet”, citohet dëshmia e tij. “Me propozimin e saj kishin vendosur të takohen te restorani ‘Dani’.  Edhe pse kanë pritur disa minuta, ajo nuk ka ardhur dhe këta kanë vazhduar rrugën për Pozharan”.

“Pas njëzet minutave, janë kthyer në drejtim të Ferizajt. Tani voziste Enver Sekiraqa. Gjatë rrugës, A.A. e ka thirr dy herë nga dy numra. Nuk i është kërcënuar asaj dhe ajo nuk e kishte ditur ku ishte ‘Dani’”, vazhdon të citohet version i Sekiraqës.

Gjatë procesit gjyqësor ishin treguar edhe fotografi ku A.A. shihej duke vallëzuar dhe e buzëqeshur afër Sekiraqës. Një dëshmitare po ashtu kishte thënë se A.A. ndodhte që edhe të gatuante kur shkonte tek Sekiraqa dhe e thërriste atë  “Tom Cruise”.

Akuza e saj e dhunimit ishte hedhur poshtë nga gjykata. “Nga mbrojtja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, në shqyrtim gjyqësor të datës 19 tetor 2006, është vërtetuar se ai ka pasur shumë femra dhe se për këtë arsye e dëmtuara A.A. ishte shumë xheloze. Prandaj ajo e kishte paraqitur rastin në polici”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Sekiraqa sillet me cinizëm ndaj policëve

Polici Bekim Suma kishte dëshmuar se kur kishin ndërhyrë i kishin kërkuar vozitësit të golfit Enver Sekiraqa të dalë nga vetura, ai kishte përgjigjur qeshje cinike dhe kishte vazhduar të fliste në telefon. Së pari, sipas tij, ai kishte tentuar të ikte por ishte bllokuar.

“Kur është bindur në vendosmërinë e policisë, e ka hapur derën e veturës dhe në mënyrë mashtruese ka arritur ta godasë policin në këmbën e majtë dhe në pjesën e djathtë të trupit, mes brinjëve dhe barkut”, citohet dëshmia e Sumës. “Ishte shumë agresiv dhe në momentin kur është tentuar të futet në kontroll sërish ka goditur policin në krahun e djathtë”.

Polici tjetër, Besnik Hasani, ka dëshmuar se Enver Sekiraqa e kishte goditur policin Suma me shqelma në anën e djathtë të barkut.

Sipas aktgjykimit, Enver Sekiraqa ka mohuar se i ka shkaktuar lëndime trupore pjesëtarëve të policisë dhe ka shtuar se nuk kishte pasur arsye t’i sulmojë. Sekiraqa thotë se as objektivisht nuk ka pasur mundësi fizike që të ndërmerrte këso veprimesh pasi e kishte thyer krahun një muaj e gjysmë më herët, se i kishte tre plumba në këmbën e djathtë, një në të majtën, një plumb dhe një plagë të rëndë në dorën e djathtë dhe një në qafë.

Në intervistën për Gazetën Jeta në Kosovë, Sekiraqa – i dënuar në këtë rast edhe për pengim të personave zyrtarë – pretendonte se ngjarja ishte montuar dhe se ai ishte rrahur keq nga policia.

Mbrojtja, thuhet në aktgjykim, nënvizonte gjetjet e ekspertëve të mjekësisë ligjore të cilët kishin konstatuar se Enver Sekiraqa në pjesë të ndryshme të trupit kishte pasur gërvishtje, heqje lëkure, hematome në pjesë të fytyrës, në kokë, në shpinë, brinjë dhe bark.

Megjithatë, kolegji i gjykatësve të Gjykatës së Qarkut kishte konstatuar se oficerët policorë – Bekim Suma, Jeton Bruti dhe Besnik Hasdani – në kohën e ngjarjes kritike të 22 majit 2006 i kishin ndërmarrë të gjitha veprimet në përputhje me ligjin.

“Nuk ka sjellje brutale. Të akuzuarit nuk i kanë përfillur urdhëresat e policëve që të dalin nga vetura. Bile, i akuzuari Enver Sekiraqa, në ato moment ka vepruar me përbuzje, sjellje cinike”, thuhet në aktgjykim. “Nuk është kontestuese se edhe të akuzuarit kanë marrë lëndime trupore nga policët tani dëshmitarë, mirëpo, iu kanë shkaktuar në vetëmbrojtje në momentin e prangosjes së mundimshme dhe arrestimit”.

Enver Sekiraqa, Xhemajl Dervishi dhe Bujar Miftari ishin gjetur fajtorë për veprën penale të pengimit të personave zyrtarë. Enver Sekiraqa edhe për kanosje, ndërsa Xhemajl Dervishi edhe për armëmbajtje pa leje.

Dashnorja e Sekiraqës ishte dhunuar më herët në Batllavë

Sipas të njëjtit aktgjykim, deponimet e të dëmtuarës A.A. tregojnë se ajo në muajin gusht ose shtator 2005 kishte biseduar me Enver Sekiraqën dhe me taksi kishte ardhur në Prishtinë nga Ferizaj për t’u takuar në shtëpinë e tij së bashku me një femër tjetër që shkonte me Naser Sekiraqen. “Para kafesë ‘Internet’, në lagjen Kodra e Trimave, i kishin pritur Naser Sekiraqa dhe Agron Bytyçi”.

“Agron Bytyçi i kishte thënë se do ta dërgonte te Enver Sekiraqa, në shtëpinë e tij”, thuhet në aktgjykim. “Por ai nuk e ka ndaluar veturën e tij ‘Audi 80’, me ngjyrë kafe apo të përhimët, te shtëpia e Enver Sekiraqës”.

“Ai ka vazhduar rrugën kinse për të marrë benzinë. E dëmtuara ka tentuar në atë moment ta thërras Enver Sekiraqën por nuk është lejuar dhe i është marrë telefoni”, vazhdon të referohet deponia e të dëmtuarës A.A.

“Bytyçi ka hyrë në një rrugicë, e ka ndalë veturën dhe i ka thënë asaj ‘çka të them unë ke për të bërë, përndryshe je e vdekur’. Ajo ka tentuar edhe një herë të thërras Enver Sekiraqën si dhe të dalë nga vetura, mirëpo, jo vetëm që nuk është lejuar nga Agron Bytyçi, por ai edhe e ka rrahur dhe goditur me grushta fytyrës”.

Pastaj, Bytyçi e ka drejtuar veturën në drejtim të liqenit të Batllavës. Në një mal, pas gjysmë ore, e ndalon veturën, e nxjerr revolen pa leje dhe ia drejton të dëmtuar drejt kokës.

“Ajo ishte e ulur në ulësen e parë të veturës, pranë vozitësit dhe i ka thënë asaj të zhvishet përndryshe ‘do ta vras, jo menjëherë por do ta plagosë dhe do ta lë në mal se këtu ka ujq dhe t’i ke për t’u çmendur’”, vazhdon dosja duke treguar deklaratën e deponuar të A.A. “Ajo vazhdimisht ka qarë dhe bërtitur, ka bërë rezistencë. I akuzuari ia ka hequr brekët dhe pantollat, e ka shtyrë për karrige duke ia mbajtur revolen në kokë dhe dy herë e ka dhunuar”.

Në atë pyll kishin qëndruar deri në orët e hershme të mëngjesit. “Me pastaj iu ka kërcënuar asaj ‘nëse i tregon Enverit, do ta bëj edhe më zi se çka të ka ndodhur sonte’”.

Agron Bytyçi, i lindur më 3 tetor 1973 në Majac të Podujevës, ishte shpallur fajtor për dhunim si dhe armëmbajtje pa leje për gjithsej 3 vjet e dy muaj.

Aktgjykimi nuk merret me lidhjet e mundshme mes Sekiraqës dhe Bytyçit.