Edhe Shqiptarët Kërkojnë Asociacion të Komunave

Zyrtarët serbë kanë hedhur poshtë një thirrje nga shqiptarët që jetojnë në Serbinë jugore, për formimin e një “asociacioni” autonom të komunave me shumicë shqiptare.

Zoran Stankoviç, kreu i Trupit Koordinues të qeverisë serbe për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, u ka thënë shqiptarëve të këtyre komunave që të mos krahasojnë situatën në rajonin e tyre me atë të pakicës serbe në Kosovën fqinje.

“Jugu është një pjesë e pandashme e Serbisë dhe nuk mund të ketë diskutim (për një asociacion të komunave)”, tha të martën Stankovic.

Ai shtoi se ka mbështetje në këtë pikëpamje prej ambasadorit amerikan, Michael Kirby, ambasadorit britanik, Michael Davenport, dhe kreut të delegacionit të BE-së, Vincent Degert.

Reagimi i ashpër Stankoviçit  erdhi pasi anëtarët e Kuvendit shqiptar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të shtunën miratuan një deklaratë, ku kërkuan masa të ndryshme për të përmirësuar statusin e tyre.

Shqiptarët në tri komunat të cilat kufizohen me Kosovën, thonë se duan një asociacion të modeluar sipas asociacionit të komunave serbe në Kosovë, për të cilin qeveritë e Serbisë dhe Kosovës kanë rënë dakord kohët e fundit gjatë bisedimeve në Bruksel.

Rreth 50.000 shqiptarët jetojnë në jug të Serbisë.
 
Riza Halimi, deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, ka thënë se ka mjaft ngjashmëri në mes të pozitës dhe kërkesave të serbëve në veri të Kosovës dhe atyre  të shqiptarëve në jug të Serbisë.
 
“Përderisa janë duke u kërkuar forma për të zgjidhur këto probleme në Kosovë, pse nuk mund të përdoren të njëjtat mekanizma për të zgjidhur problemet e njëjta – vetëm se  me popullsi dy herë më të madhe – në këtë rajon” pyeti ai.

Kjo nismë  vjen në një kohë kur Kosova dhe Serbia është raportuar të jenë afër një marrëveshje mbi veriun e trazuar të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka thënë të hënën se një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë rreth  veriut të Kosovës ishte afër, pas bisedimeve në Bruksel, në të cilat Kosova i kishte “zbutur” qëndrimet rreth kompetencave që do t’i jepen një “Asociacioni të Komunave Serbe”.

Në raundin e ardhshëm të bisedimeve,  më 20 mars, kryeministri i Serbisë dhe ai i Kosovës, pritet të arrijnë marrëveshje rreth modaliteteve të demontimit të institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës, dhe të diskutojnë rreth “Asociacionit të Komunave serbe”.

Kompetencat e sakta të këtij asociacioni mbeten të paqarta dhe janë ende një objekt i debatit mes Kosovës dhe Serbisë, e cila megjithatë e ka bërë të qartë se kërkon autonominë më të gjerë të mundshme.