Dënohen Gjimnazistët për Vjedhje Ditarësh

G. M. dhe P. K., gjimnazistë të “Kuvendi i Junikut” në Junik, kanë thyer derën e shkollës dhe kanë arritur të marrin disa ditarë dhe një kompjuter të shkollës, dhe më pas i kanë hedhur nga ura tek vendi i quajtur Trava e Junikut.

Qëllimi ishte fshehja e mungesave që kishin bërë gjatë tërë vitit.

Pasi e kishin kryer me “sukses” aksionin, ata kishin dalë të festonin në një lokal. Derisa po flisnin me entuziazëm, “të bëmat” e tyre i dëgjojnë edhe disa policë, në rroba civile, të cilët rastisën në lokal.

Gjimnazistët janë arrestuar menjeherë dhe janë dërguar në gjykatë. Prokuroria Komunale e Pejës ka ngritur ndaj tyre dy aktakuza për veprat penale të “vjedhjes së rëndë” dhe për veprën penale “të asgjësimit dhe dëmtimit të vulave zyrtare të shtetit”.

Të dy adoleshentët kanë treguar vendin ku kishin gjuajtur ditarët dhe kompjuterin, pronë e shkollës. Ato u gjetën të dëmtuara.

Gjykata Komunale në Deçan, pas tërheqjes së aktakuzës së parë nga prokurori publik komunal, vendosi që t’i dënojë dy gjimnazistët me 450 euro gjobë. Si rrethanë lehtësuese është marrë parasysh mosha e tyre si dhe fakti se nuk kanë qenë të dënuar më parë.