Ilustrim - Tripoli, Libi. Foto: Wikipedia.

Bomba e vendosur në arushin prej pelushi në Libi lidhet me eksportin e armëve nga Serbia

Një bombë e improvizuar e gjetur javën e kaluar, e lidhur pas një arushi pelushi në kryeqytetin e Libisë, përmbante një predhë mortajë të prodhuar vitin e kaluar në Serbi. Pavarësisht një embargoje për eksportimin e armëve, armët serbe vazhdojnë të mbërrijnë ende në Libi.

Kur përkrahësit e qeverisë së Libisë të njohur nga Kombet e Bashkuara dolën në rrugët e Tripolit javën e kaluar për të festuar tërheqjen e një gjenerali renegat, së bashku me flamujt e Libisë që ata mbanin në duar ishte edhe nja arush i madh i bardhë prej pelushi, me hundë rozë.

Me një zemër të qepur në putrat e tij, arushi ishte gjendur disa orë më parë në një shtëpi në Ain Zara në periferinë jugore të kryeqytetit pasi forcat qeveritare rimorën jugun e qytetit nga rebelët e udhëhequr nga komandanti ushtarak Khalifa Haftar, duke thyer një rrethim që kishte zgjatur 14 muaj.

Arushi ishte vendosur poshtë një tavoline, mesa duket nga forcat që tërhiqeshin, me një predhë mortajë de fitil e lidhur në pjesën e pasme të arushit duke përdorur ngjitës shirit.

Megjithatë, ky nuk ishte një trofe i zakonshëm lufte. Dëshmitë e dëshmitarëve okularë dhe analiza e fotografive dhe numrave serialë tregojnë prova se Serbia vazhdon të shkelë një embargo të Kombeve të Bashkuara për eksportet e armëve në Libi.

BIRN mund të konfirmojë se predha 120 milimetra HE M62P10, që ka numrin 01/2019, është prodhuar vitin e kaluar nga një prej prodhuesve më të mëdhenj të armëve të Serbisë – Krusik në pronësi të shtetit. Krusik nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me shitjen e lotit 01/2019, përfshirë këtu edhe vendin se ku kishin përfunduar këto armë.

Arushi me predhën mortajë. Foto: Twitter.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndër blerësit më të mëdhenj të armëve të prodhuara në Serbi. Ata janë gjithashtu mbështetës të Haftarit.

Emiratet e Bashkuara Arabe u identifikuan në një raport ekspertësh të Kombeve të Bashkuara në fund të vitit të kaluar si një nga shkelësit kryesorë të embargos gati dhjetëvjeçare për eksportet e armëve në Libi.

Si nënshkruese e Traktatit të Kombeve të Bashkuara për Tregtinë e Armëve, Serbia ka detyrim të refuzojë t’i shesë armë një vendi tjetër – për shembull, Emirateve të Bashkuara Arabe – nëse beson se marrësi i fundit i atyre armëve nuk është “përdoruesi i fundit” i specifikuar nga blerësi.

Ky rregull është shkelur për vite me radhë për të furnizuar me armë fraksione të shumta që luftojnë në Siri, Libi dhe Jemen. Dhe Serbia, duke kërkuar të rindërtojë një industri dikur shumë fitimprurëse të eksportit të armëve, është përfshirë shumë.

Ministria e tregtisë e Serbisë, e cila është përgjegjëse për eksportin e armëve, nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Shënjestra ishin civilët

Në fund të majit, Kombet e Bashkuara shprehën shqetësim për raportet se banorët e Ain Zara dhe Salahuddin-it në Tripoli ishin vrarë ose plagosur nga mjete shpërthyese të improvizuara të vendosura brenda ose afër shtëpive të tyre, duke e quajtur këtë një “transformim grotesk dhe përkeqësim të konfliktit” që tregonte shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve.

Ligji ndërkombëtar humanitar përjashton përdorimin e kurtheve në mënyra të tilla që mund të lëndojnë civilët.

Më 5 qershor, Amnesty International paralajmëroi se krime lufte dhe shkelje të tjera mund të jenë kryer midis 13 prillit dhe 1 qershorit gjatë shtimit të luftimeve pranë Tripolit, përfshirë plaçkitje, sulme pa dallim dhe vendosje e minave në ndërtesat e civilëve.

BIRN ka shqyrtoi videot nga Tripoli jugor në të cilat shfaqen civilë që vdiqën nga dëmtimet e shkaktuara nga pajisjet e improvizuara, por nuk mundi të verifikonte dot origjinën e bombave të përdorura.

Në rastin e arushit me predhë, tre burime të pavarura, përfshirë ekspertë ushtarakë, i kanë thënë BIRN se mënyra se si ishte e pajisur pajisja – me një siguresë ruse MUV-4, eksplozivë plastikë dhe një mortajë – kishin shenja dalluese të kontraktonit ushtarak privat rus Wagner Group.

“Wagner” ka deri në 1,200 njerëz të vendosur në Libi, sipas një raporti konfidencial të Kombeve të Bashkuara nga monitorues të pavarur të sanksioneve i cituar muajin e kaluar nga Reuters.

Rusia mohon të ketë ndonjë kontroll mbi “Wagner”-in. Shumica e kontraktuesve të saj janë shtetas rusë, por gjithashtu tërheqin qytetarët e Bjellorusisë, Ukrainës, Serbisë dhe Moldavisë.

BIRN ka raportuar më parë për rolin e shtetasve serbë që luftojnë në emër të “Wagner”-it në Siri dhe Ukrainë. Rusia ka qenë mbështetësja më e madhe ushtarake e presidentit sirian Bashar al-Asad në nëntë vjet luftë dhe ka mbështetur një rebelim separatist në Ukrainën lindore me armë, burra dhe para që nga viti 2014.

Mbështetës së qeverisë së mbështetur nga Kombet e Bashkuara në rrugët e Tripolit. Foto: Twitter.

Kompania private e armëve blerësja kryesore e mortajave

Më 26 qershor 2018, Krusik nënshkroi një marrëveshje për t’i shitur 50,000 predha mortajë – përfshirë 120 mm HE M62P10 – një ndërmjetësi privat armësh të quajtur GIM, sipas një kopje të kontratës të siguruar nga BIRN. “Përdoruesi i fundit” i kësaj dërgesë ishte qeveria e Arabisë Saudite. BIRN ka raportuar më parë për lidhjet e GIM me Branko Stefanoviçin, babanë e ministrit të brendshëm të Serbisë Nebojsa Stefanoviç. Sipas kushteve, dorëzimi duhet të fillonte tre muaj nga nënshkrimi i kontratës. BIRN nuk qe në gjendje të verifikonte nëse bomba e lidhur pas arushit prej pelushi ishte pjesë e lotit të blerë nga GIM.

Marrëdhëniet Serbi-Libi të zhytura në polemika

Takimi midis Slobodan Tesliç, ministrisë serbe të mbrojtjes dhe homologëve libanezë në Beograd në vitin 2013. Foto: Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Armët e prodhuara në Serbi nuk janë diçka e re për Libinë. Ish-diktatori Mohamed Gaddafi ishte një blerës i madh i armëve nga Jugosllavia federale.

Gaddafi u vra në vitin 2011 pasi një kryengritje popullore u përshkallëzua në luftë. Disa vjet më vonë, vendi u gjend i ndarë midis zonave të kontrolluara nga qeveria e njohur nga Kombet e Bashkuara në Tripoli dhe në veriperëndim, dhe territori i mbajtur nga forcat e Haftarit në lindje me qendër në Benghazi.

Tregtia e armëve midis Serbisë dhe Libisë i mbijetoi rënies së Gaddafi-t.

Serbia i tha komitetit të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Libisë se ajo e kishte pezulluar dërgimin e armëve në Libi në qershor 2014, pasi luftimet u përshkallëzuan dhe se kishte kthyer mbrapsht një licencë të lëshuar nga Kombet e Bashkuara që ajo kishte për të eksportuar armë në vend.

Këto dërgesa ishin ndërmjetësuar nga tregtari serb i armëve Slobodan Tesiç, i cili nënshkroi marrëveshje me Libinë në vitin 2013 me vlerë 150 milionë dollarë, përfshirë për të blerë armë me vlerë 100 milionë dollarë nga Serbia, si dhe municione nga Bjellorusia, sipas një dokumenti të siguruar nga BIRN.

Nuk është e qartë se sa armë u dërguan në të vërtetë dhe Tesiç zyrtarisht i ndali eksportet në Libi në vitin 2014. Ai më pas u vendos në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara.

Libia u rikthye në titujt kryesorë të lajmeve në Serbi në vitin 2016 kur dy punonjës të ambasadës serbe në Tripoli vdiqën në një sulm ajror amerikan në një kamp të Shtetit Islamik, ku ata po mbaheshin.

Arsyeja pse u rrëmbyen punonjësit e ambasadës nuk është përcaktuar kurrë zyrtarisht. Në atë kohë, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, i cili tani është president, e lidhi rrëmbimin e tyre me tregtinë e armëve. Një vit më vonë, në maj 2017, ambasadori i Serbisë në  Libi vdiq në një aksident me makinë, për të cilën u raportua se po përpiqej t’i shmangej një rrëmbimi.