Bashkim Ramosaj: AAK të qëndrojë në opozitë në çfarëdo varianti të mundshëm
Bashkim Ramosoj ka arritur të fitojë mandatin e tretë si kryetar i Komunës së Deçanit në zgjedhjet lokale të cilat u mbajtën më 12.10.2025 në Kosovë. I ftuar në emisionin “Kallxo Përnime”, Ramosaj ka folur për “recetën” e fitores pa balotazh si dhe situatën politike në nivelin qendror në Kosovë.
Ramosaj tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk është përgjegjëse për krijimin e institucioneve në Kosovë. Ai tha se është Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila duhet të bëjë kompromiset më të mëdha.
“Nuk është përgjegjësi parësore e jona. Janë tri parti të tjera më të mëdha që kanë përgjegjësi më të madhe. LVV duhet të bëjë kompromiset më të mëdha pasi që është partia më e madhe. Demokracia është kompromis sepse kur sovrani nuk ta jep të drejtën me udhëheq vetë është shumë e qartë do të thotë që të bësh koalicion. Në esencë është kjo dhe si duket kemi të bëjmë më një skenë politike që e ka këtë kryeneqësi dhe si pasojë e kësaj është gjendja ekonomike e politike në vend. Janë dy gjëra, LVV të bëjë koalicion më dikë dhe mundësia tjetër është që opozita me e bë Qeverinë. Zgjidhja bëhet kur njerëzit duan me bo zgjidhje por vetëm duhet të hiqet mendësia “unë jam dhe nuk ka kush tjetër””- tha ai.
Ramosaj deklaroi se për të AAK duhet të qëndrojë në opozitë në çfarëdo skenari të mundshëm të zhvillimeve.
“Për mua, në rast se dëgjohem, unë jam ithtar i asaj që AAK me qëndru në opozitë në çfarëdo varianti të mundshëm dhe që AAK të kandidojë e vetme, jo me parakoalicione”- tha ai.
I pyetur nëse ka pasur interesim të LVV-së për marrjen e votave nga AAK në Kuvendin e Kosovës, Ramosaj tha se po.
“Po, ka pasur, normal që ka pasus. Përgjigjja është: jo. Dhe unë jam ithtar i përgjigjes jo”- tha ai.
“Unë jam ithtar i zgjedhjeve të ndryshme dhe besoj që qytetarët do të votojnë ndryshe”- deklaroi ai në “Kallxo Përnime”.
Koalicionet e AAK-së në nivelin lokal
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se për koalicionet e kandidatëve për kryetar nga radhët e AAK-së por dhe kryetarëve të zgjedhur, vendosin po ata persona dhe jo selia qendrore.
“Ekziston një rregull brenda AAK-së: kur një kandidat nominohet për kandidat për kryetar e ka autonominë e plotë që si të dojë me vepru dhe deri sa vendimi nuk prek në nivel nacional është diçka objektive e një kandidati, e një kryetari nëndege, që me kënd vendos me shku në koalicion. Unë mendoj që selitë qendrore nuk duhet me iu përzi kryetarëve të degëve në komuna për koalicione”- tha ai.
Për kandidatin e AAK-së për kryetar të Komunës së Pejës, Ali Berisha, Ramosaj tha se e këshillon që të mos pozicionohet as me LDK e as me LVV në balotazhin që do të zhvillohet.
“AAK e ka një rrugëtim të gjatë në Pejë duke e kundërshtu Gazmend Muhaxherin dhe nuk është në rregull me shku në koalicion me një kundërshtar tradicional. Unë nuk e njoh mirë kandidatin e LVV-së në Pejë. Jo, Ali Berisha ka të drejtë vetë, natyrisht ka me diskutu me një pjesë, unë i them me ndejtë në opozitë prapë. Gjatë balotazhit unë i them që të mos pozicionohet me askënd”- tha ai.
Ramosaj tha se është befasuar nga balotazhi në Suharekë.
“Unë nuk e kam besu që shkon në balotazh. Nëse ka pasë kryetar që nuk ish dashtë me iu nënshtru balotazhit një prej tyre ka qenë Bali Muharremaj. Njeri ka qenë 24 orë në punë, 365 ditë të vitit por këto janë pazare që po bëhen. Ka qenë e pakuptueshme edhe për shkuarjen në balotazh të Ardianit, Zenunit, Smajlit dhe për katër-pesë kryetarë të komunave të tjera”- tha ai.
Fitorja pa balotazh në Deçan dhe planet për mandatin e ri
Bashkim Ramosaj i cili fitoi mandatin e tretë si kryetar i Deçanit tha se ka pritur që fitorja e tij të jetë dhe më e thellë.
“Unë për hirë të së vërtetës kam mëndu që do të fitojmë dhe më shumë në përqindje dhe në numra. E njoh atë qytet më mirë, i di problemtatikat më mirë, kam jëtu gjithmonë në qytet, jam rrit unë, prindërit e mi e fëmijët e mi. Unë jam për ditë e për natë me qytetarët në atë qytet. Ka dhe parime që nuk i kam shkel kurrë. Jam mundu me qenë shumë i ndershëm dhe besoj që kam të drejt kur të them unë jam njëri kur shkoj me flejt, flej rehat sepse nuk kam cak me u tut. Unë jam themeluesi i zjarrfikësave, turizmit, ansamblit, qendrës rinore dhe i shumë gjërave të tjera”- u shpreh ai.
Ramosaj ka shpalosur detaje të planit të tij për zhvillimin e pesë pronave në Parkun Nacional.
Ai tha se këto pesë prona janë shpallur zonë me interes për publikun e që janë brenda Parkut Nacional
Ramosaj deklaroi se planin e parë me detaje për këto prona do ta ketë në vitin 2026.
Kryetari i Deçanit tha se njëra pronë është nga Livadhi i Mark Gegës deri të Laki i Kryqës. Në këtë pronë ai tha se do të ndërtohet fshati më i mirë në Europë me rreth 600 shtëpi me etazhitet P+2.
“Prej Livadhit të Mark Geges e deri të Laki i Kryqës do të ekzistoj fshati më i bukur turistik në krejt Europën. Kjo është tendenca. Në këtë zonë në kemi dërgu rrugë, rrymë, e kemi projektu stazën e çiklizmit edhe do të jenë mbi 600 shtëpi me etazhitet P+2 ndërsa do të ketë edhe një teleferik prej qytetit që të dërgon te kjo zonë. Po flasim për një pamje më madhështore në Republikën e Kosovës. Ky është investim që unë besoj në dhjetor do të publikohet oferta për me u jep në ndërtim”- tha ai.
“Prona tjetër është 10 kilometra sipër pjesës së Dervishit. Është pjesë që ka habitat tepër të veçantë. Aty mund të vendosen shkollat e skijimit dhe është zonë për sporte ekstreme”- shpjegoi ai.
Për Bjeshkët e Belegut, Ramosaj shpjegoi se kjo pjesë e ka habitatin e përshtatshëm për skijm.
“Pjesë tjetër janë Bjeshkët e Belegut, historinë e të cilit e dinë pak njerëz dhe është ndër pistat më të mëdha të skijimit në Europë e që nuk ka hy në funksion. Ne po flasim për një habitat ku 20 mijë skiatorë munden me u lëshu në të njëjtën kohë pa e pengu njëri tjetrin. Unë kam për detyrë për me bo projektin rregullues detal në momentin që e marrë aprovimin do ta qes në tenderim është dashtë me kon projekt nacional por është pengu”- tha ai.
“Dhe po flas për pronën e katër është në ndërtim e sipër që kemi ekziston me vendime të asamblesë por që do të jetë më i ndërtuar, është fjala për Shtëpinë Bjeshkatare Alpine që e kemi ndërtu në bashkëpunim dhe këtu janë 10 produkte turistike”- deklaroi ai.