Sheshi ne Prishtine

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Bashkëjetesa mes të rinjve shqiptarë dhe serbë

Rrëfimet e fëmijërisë marrin nuancë më të errët për ata që këtë fazë të jetës e kalojnë në Preshevë apo ndonjë vend tjetër ku dallimet etnike janë më të theksuara. Në të shumtën e rasteve, këto copëza kujtimesh janë të lidhura me pabarazinë dhe trajtimin ndryshe për shkak të përkatësisë etnike. Pavarësisht marrëdhënies së komplikuar ndërmjet serbëve e shqiptarëve, preshevarja Fetije Kamberi (23) asnjëherë nuk ishte nxitur t’i urrente bashkëmoshatarët e saj serbë.

Nëna ime thoshte gjithmonë: ju jeni fëmijë dhe nuk keni faj në këtë pjesë. Ajo më thoshte mos e harro historinë, mirëpo mos kërko llogari nga persona që nuk e kanë bërë atë”, thotë Kamberi e cila në moshën 19 vjeçare e la Preshevën për t’i vazhduar studimet në Prishtinë.

Përjetimet e saj nuk janë të zakonshme për një vajzë që sapo ka hyrë në dekadën e tretë të jetës, por të tilla rrëfime mbi bashkëjetesën me “armikun” nuk janë të pakta. Sado që jeta zhvillohej në një hapësirë të përbashkët, ndasitë ndërmjet shqiptarëve e serbëve në Preshevë e vende tjera brenda Kosovës, edhe sot janë të mëdha.

Diskriminimi vazhdon të mbetet një pengesë e madhe, derisa horizonti i mundësive për jetë më të mirë ngushtohet mbi baza përkatësie e etnie. Në mes të gjithë këtyre ndasive e dallimeve, jo rrallë triumfon ana humane mbi armiqësinë, por raporti ndërmjet shqiptarëve e serbëve vazhdon të jetë i komplikuar.

Dy anët e medaljes

Sipas të dhënave, rreth 95 % e banorëve të Preshevës janë shqiptarë. Megjithatë 23 vjeçja Fetije Kamberi, e cila aktualisht po ndjek studimet master për gazetari, rrëfen sesi gjatë shkollimit vazhdimisht shoqërohej me fëmijë të të dyja etnive: shqiptarë dhe serbë. Ata jo vetëm që ndanin të njëjtën shkollë por edhe në oborr luanin së bashku. Siç kujton ajo, fakti që nxënësit e këtyre dy etnive mësimin e zhvillonin në paralele të ndara, nuk i ndalonte mësimdhënësit që shpesh herë të organizonin gara duke i vënë ata në ekipe të përbashkët, në mënyrë që të nxisnin bashkëpunimin dhe shkrirjen e ndasive.

Ne mësonim në një shkollë të përbashkët, mirëpo paralelet tona ishin të ndara edhe pse afër njëra-tjetrës. Pavarësisht kësaj, ne çdo ditë takoheshim në korridore dhe shkëmbenim përshëndetje. Vlen të theksohet se në Luginën e Preshevës, mbi 90 % të nxënësve janë shqiptarë dhe vetëm 10 % prej tyre janë serb. Ne nuk kishim libra shqip, mirëpo merrnim shënime nga profesorët tanë në gjuhën shqipe. Pavarësisht që disa nga librat tona ishin të përkthyera, ne nuk mësonim me të njëjtat”, thotë ajo.

Siç rrëfen Fetija, mënyra e komunikimit dallon varësisht prej gjeneratave.

Ne gjeneratat e reja jemi më të lirë me njëri-tjetrin, ka shqiptarë që mësojnë gjuhën e tyre dhe ka serb që dinë gjuhën tonë amtare. Kjo na ka hapur rrugë më të madhe komunikimi, mirëpo pavarësisht kësaj ne komunikojmë edhe në gjuhën angleze, ndërsa gjeneratat më të vjetra në shumicën e rasteve nuk të kthejnë përgjigje në gjuhën shqipe”, shprehet Kamberi.

Por e gjithë kjo e ka edhe anën tjetër të medaljes dhe krahas mirëkuptimit që mund ta kenë të rinjt mes vete, ajo nuk i mohon diskriminimet me të cilat ballafaqohet komuniteti shqiptar në këtë vend.

Qytetarët diskriminohen në forma të ndryshme. Njëra ndër to është edhe punësimi. Nëse je shqiptar, e ke më të vështirë të punësohesh në institucione shtetërore të Serbisë, sesa një serb. Nuk po them që shqiptarët mungojnë në këto pozita, mirëpo është një rrugë e vështirë”, thotë Kamberi.

Sipas saj, gjatë periudhës 2015-2019, në Medvegjë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka fshirë mbi 4 mijë shqiptarë nga regjistri civil. “Me këtë praktikë, Serbia po mundohet ta bëjë pasivizimin e adresave të vendbanimeve”, shpjegon Kamberi.

Një sfidë tjetër me të cilën përballen studentët shqiptar është mosnjohja e diplomave nga ana e Serbisë për ata që studimet i përfundojnë në Republikën e Kosovës. Ky fakt bën që shumë preshevarë, pas përfundimit të studimeve, punën ta vazhdojnë në Kosovë.

Përveç kësaj, disa hapa të njohjes së diplomës duhen edhe pë rata student që shkollohen në Shqipëri, mirëpo besoj që viteve të ardhshme do të ndryshojë kjo qasje”, thotë Kamberi.

Në negociatat për çështje teknike të ndërmjetësuara nga Brukseli, më 2011 Prishtina dhe Beogradi kishin arritur marrëveshjen për njohje reciproke të diplomave. Në vitin 2016 kjo marrëveshje ishte zgjeruar duke përfshirë njohjen reciproke të diplomave të të gjitha niveleve të shkollimit. Por kjo marrëveshje sot e asaj dite nuk po gjen zbatim në praktikë.

Ndryshe nga Fetija, studenti 22 vjeçar, Fatlind Azizi nga fshati Rahovicë i Preshevës, gjatë fëmijërisë së tij nuk ishte shoqëruar me bashkëmoshatarë serbë për shkak se fshati i tij është i banuar tërësisht nga shqiptarët. Por, ai thotë se marrëdhëniet mes dy palëve janë të qeta dhe kjo bën që bashkëjetesa të jetë e qetë dhe pa telashe. Por as Azizi nuk i mohon diskriminimet e formave të ndryshme që i bëhen komunitetit shqiptar.

Shqiptarët diskriminohen në të gjitha mënyrat në Serbi. Duke filluar që nga të drejtat dhe liritë e njeriu, ato të pakicave kombëtare, gjuha dhe kultura, flamuri dhe simbolet, pengesa e investimeve të huaja, mungesa e universiteteve shqiptare dhe teksteve shkollore, mungesa e spitaleve, pengesa të punësimeve në institucionet publike lokale dhe qendrore. Por mbi të gjitha është diskriminimi racor dhe ksenofobik që u bëhet shqiptarëve”, rrëfen Azizi, duke përmendur edhe sfidën e mosnjohjes së diplomave si shkak që i detyron shqiptarët e Preshevës të migrojnë drejt perëndimit pas përfundimit të studimeve.

Presheva po ‘vdes’. Ashtu sikurse që thërriste para dy dhjetëvjeçarëve Medvegja, tani fjalët e fundit para një katastrofe të shpërnguljes massive, po e thotë edhe Presheva. Në Preshevë, nuk ka perspektivë. Edhe po të duash të fillosh një të tillë, ajo ndalohet nga shteti serb”, përgjigjet Azizi, kur i shtrohet pyetja lidhur me perspektivën e mbetur në Preshevë.

Të njëjtën gjendje e pohon edhe Mejdi Ibrahimi nga fshati Depce, i cili rrëfen se pavarësisht që ky vend banohet vetëm nga shqiptarët dhe nuk i ka rënë të ketë marrëdhënie me popullatën serbe në Preshevë, prapseprap vërehet diskriminimi ndaj shqiptarëve duke filluar prej kushteve elementare për një jetesë të mirëfilltë dhe mungesës së perspektivës për të parë një të ardhme në Preshevë, me theks të veçantë në fshatra, gjë të cilën ai e shpreh përmes fjalisë “Të diskriminum jemi kanë gjithë, tash jemi edhe me shumë pasiqë kemi problem me rrymë, kemi problem me rrugë, jemi anash prej panorëve serb, na kanë lon anash”.

Të jesh serb në Kosovë

Dallimet në përkatësi etnike, jo domosdoshmëritë nënkuptojnë edhe dallime tjera. Shpesh herë, historitë e pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë ngjasojnë mes vete. Marija Saviq, një vajzë e re nga fshati Shillovë i komunës së Gjilanit, rrëfen se gjatë fëmijërisë së saj nuk ka pasur kontakte me komunitetin shqiptarë. Madje, ajo kujton se ishte rritur nën frikë e drojë. Një prej arsyeve kryesore ishin trazirat e Marsit të vitit 2004.

Më 17 mars të vitit 2004 nisën trazirat që zgjatën dy ditë, ku u vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa u lënduan mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë. Këto trazira filluan pasi dy fëmijë shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës u mbytën në lumin Ibër.

Isha një vjeçare kur në mars të vitit 2004 ndodhi një sulm ndaj serbëve. Pas kësaj, prindërit e mi, sikurse supozoj i gjithë komuniteti serb, u ndjenë shumë të pasigurt për të jetuar këtu. Më kanë thënë të mos shkoj asnjëherë vetëm në qytet dhe se gjithmonë duhet të kem kujdes. Prandaj, gjithë fëmijërinë e kam kaluar duke u frikësuar nga shqiptarët”, thotë ajo.

Saviq thotë se shkollimin e kishte kryer në gjuhën serbe, nën sistemin arsimor të Republikës së Serbisë.

Besoj që librat e historisë ishin të njëanshëm dhe në favor të Serbisë”, thotë ajo.

Sot kur kanë kaluar gati dy dekada prej trazirave, Marija beson në ndryshim për të mirë sa u përket marrëdhënieve shqiptaro-serbe.

Do të thoja që aktualisht raportet ndërmjet komuniteteve tona po shkojnë në drejtim të mirë. Shumë rrallë ndodhin përleshje e konflikte dhe po funksionojmë mirë së bashku në përditshmëri. Nuk mendoj që kjo varet shumë prej gjeneratave. Ka gjithmonë nacionalistë të të gjitha grupmoshave dhe nga të dyja komuniteteve, por besoj që një shumicë e konsiderueshme është gati dhe ka vullnet të ndryshojë për të mirë”, thotë ajo.

Një histori më ndryshe prej Marijas, e ndan Mila Mihajloviq, me prejardhje nga fshati Rubofc i Lipjanit.

Mihajloviq, studente e aktiviste për të drejtat e grave, thotë se familjarët e saj asnjëherë nuk e kanë nxitur t’i urrejë shqiptarët dhe miqësinë më të madhe e kishte pasur me një vajzë shqiptare.

Kur fillova klasën e parë, një nga njerëzit e parë me të cilët u miqësova ishte Valentina. Çdo ditë kur takoheshim para derës së shkollës, përqafoheshim dhe përshëndesnim njëra-tjetrën, edhe nëse nuk e kuptonim asnjë fjalë nga njëra-tjetra. Ne ndanim një ndjenjë të përbashkët dhe folëm e emocione, jo me gjuhë”, kujton Mila. Por ajo shton se nuk e kishte këtë raport edhe me fëmijët e tjerë. Jo rrallë herë kishte qenë dëshmitare e suleve mbi baza etnike në shkollën që funksiononte e ndarë për dy etnitë.

Në një periudhë, pati shumë sulme me bazë etnike ndaj shkollës serbe nga nxënësit shqiptarë, madje edhe përleshje midis nxënësve të shkollave serbe dhe shqiptare. Nuk mungonin as provokimet vizuale dhe verbale nga të dyja palët”, thotë ajo. Për Milën, të rinjtë janë më jotolerantë dhe kanë më pak gatishmëri për t’u pajtuar, derisa njerëzit më në moshë flasin më shumë me njëri-tjetrin dhe jo rrallë pinë kafe bashkarshisht. Dallimet e mëdha vërehen sidomos në mësimin e historisë.

Sa i përket teksteve shkollore, është e qartë për të gjithë se rrëfimet serbe dhe shqiptare nuk përkojnë në shumë aspekte”, thotë ajo, duke shtuar se kjo gjë çon në ndarje edhe më të madhe midis komuniteteve. Si zgjidhjen më të mirë, Mila e sheh bashkëjetesën paqësore.

Ne duhet të punojmë për të ardhmen, në mënyrë që fëmijët tanë të mos e vuajnë atë që vuajtën paraardhësit tanë. Kështuqë duhet të dimë se çfarë ndodhi dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për informacione të vlefshme dhe të pavlefshme, por ndërhyrja e tepërt në të kaluarën nuk do të na ndihmojë”, beson Mila, duke shtuar se vetëm dëshira e përbashkët për përparim dhe për të ardshme më të mirë do të ketë ndikim pozitiv në marrëdhëniet reciproke.

Petar Dordeviq, 27 vjeçar nga Graçanica, shpalos sfidat që e përcjellin atë dhe komunitetin serb të kësaj ane. Diskriminimin, ai e ndan në dy forma kryesore.

Diksriminimi më i dukshëm është përdorimi i gjuhës serbe nga institucionet. Shpesh dokumentet në gjuhën serbe janë përkthyer shumë keq, ose madje është e pamundur të merren formacione në gjuhën serbe”, thotë Dordeviq. Forma e dytë e diskriminimit që i bëhet komunitetit serb në Graçanicë, sipas tij, lidhet me punësimin në institucione publike.

Ligji garanton 10% të vendeve të punës për komunitetet joshumicë në institucionet publike, por ka shumë institucione që nuk kanë një punonjës të vetëm nga komuniteti serb” thotë 27 vjeçi teksa shton se i njëjti problem ekziston edhe në punësimin në organizatat ndërkombëtare.

Në nivel të pakënaqshëm ai e sheh perspektivën e banorëve të vendit ku ai jeton dhe marrëdhëniet mes këtyre dy etnive në Kosovë. Kjo për arsye se ,siç thotë ai, shumica e studentëve që  janë duke ndjekur studimet në universitetet në Beograd, Nish, Novi Sad, Kragujevc shpesh herë nuk kthehen më në Kosovë.

Bashkëpunimi është në nivel të ulët. Shumica e njerëzve bashkëpunojnë në tregti, të tjerët në biznese apo Organizata Joqeveritare. Për shkak të narrativës nacionaliste të qeverisë së re – që prek edhe njerëzit – kohëve të fundit ka shumë tensione etnike dhe incidente”, thotë ai. Sipas tij, potenciali më i madh në këtë komunë është agrokultura, turizmi dhe sektori privat.

Por autoritetet lokale nuk kanë strategji sesi ta përmirësojnë këtë potecial, prandaj shumë të rinj nuk e shohin perspektivën këtu”.

Secili nga të intervistuarit e këtij artikulli shpalosë histori dhe këndvështrime të ndryshme gjatë rrëfimeve të tyre. Mirëpo, ajo çka i bashkon këto dy palë “armike” gjatë këtyre rrëfimeve është shpresa se vendet në të cilat ata jetojnë një ditë do të kenë një të ardhme më të ndritur dhe pa diskriminime. Ndasitë e tyre shkrihen krejtësisht kur të dyja palët kërkojnë një jetesë më të mirë, pa i pasur sytë kah migrimi jashtë vendit.

Autoret e këtij artikulli, Bubulina Peni dhe Ardona Popova, janë studente të gazetarisë ne Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe ky artikull është botuar në kuadër të programit “Peace Broadcasters: Empowering Young Journalists as Peace Reporters” i cili për fokus kishte mësimin ndërkulturor, ballafaqimin me të kaluarën si dhe gazetarinë tranzicionale. Ky program është organizuar nga Zyra lokale e RYCO-së (Regional Youth Cooperation Office) në Kosovë dhe Missioni i OSBE-së në Kosovë.