Muhamet Iljazi | Foto: Syri Vision

Barkthatë, por shpirtmbushur

Përderisa si 8-vjeçar agjëronte deri në mesditë, 7 dekada më pas, 80-vjeçari Muhamet Iljazi nga Gjakova agjëron deri sa të ndizet ngjyra e gjelbër në majë të xhamisë.

Iftari i sotëm do të shënojë Ramazanin e 72-të në të cilin ai e pret në sofrën, që zakonshëm është më e mbushur se ditëve tjera.

I lindur e i rritur në një frymë fetare siç e përshkruan vet Iljazi, nis të rrëfej me nostalgji kohën e tij si fëmijë, për muajin e Ramazanit dhe për stilin e tij të agjërimit si një 8-vjeçar, deri në mesditë.

Kësisoj, barkthatë në mesditë e barkmbushur në mesnatë, por çdo herë shpirtplotësuar, ai ka përjetuar Ramazanin në katër stinë të ndryshme.

Aroma e iftarit nuk është e vetmja që kaplon shtëpinë e tij për një muaj. Fryma fetare mbizotëron edhe brenda shtëpisë së tij, ku nëpër kënde të ndryshme zënë vend kalendarë, orendi shtëpiake e libra fetarë që simbolizojnë myslimanizmin dhe muajin e shenjtë të Ramazanit.

Krahas moshës, të shumta janë edhe kujtimet që Iljazi mban mbi supe kur me nostalgji rrëfen për ditët e fëmijërisë dhe agjërimin në ato kohë.

“Në qoftë se e krahasojmë kohën e tanishme me kohën e përparshme, për ne ka qenë shumë kënaqësi e madhe kur ka ardhë muaji Ramazan, muaji i agjërimit. Në fillim kemi nis me agjëru gjysmën e ditës se kemi qenë ma të vegjël, e mandej kur ka ardhë koha e pjekurisë, e kemi agjëru krejt” – thotë 80-vjecari.

Për të, dëshira për të agjëruar ishte brumosur që në fëmijëri dhe si e tillë ka mbetur e pashlyeshme përgjatë gjithë jetës së tij, e deri sot.

“Si çdo fëmijë, kishim shumë dëshirë mu çu në syfyr, mirëpo ne nuk ishim në gjendje me agjëru tanë ditën, por dëshironim sikurse prindërit tanë dhe sikurse ata që ishin ma të mëdhenj” – rrëfen Iljazi.

“Mirëpo, prindërit tanë na thonin që – ‘Agjëroni deri në gjysmë të ditës, e gjysmën tjetër e vazhdoni nesër, e na ua qepim atë dhe ua bëjmë një ditë’. Qashtu u mashtronim na, deri në gjysmë të ditës agjëronim, pastaj e prishnim, pastaj vazhdonim gjysmën tjetër të ditës së nesërme” – tregon Iljazi për procesin e agjërimit si një fëmijë 8-vjeçar.

Me kokë të kthyer nga dritarja e shtëpisë së tij, Iljazi fillon të tregojë me duar rrugët e lagjes nëpër të cilat ai dhe shokët e tij të fëmijërisë luanin dhe vraponin gjatë ditëve të Ramazanit, krejt kjo për t’ua shtyrë kohën.

“Gëzimi jonë më i madh ishte kur prindi jonë shkonte në xhami atëherë, e na dilnim në rrugë, luanim lojërat tona, luanim fshehtas nga një mëhallë në tjetrën me shokë. Ato nuk harrohen kurrë. Pastaj hipnim në xhami deri lart atje, dëshira ma e madhe ishte m’i pa qytetin prej lart”.

Mes copëzave të kujtimeve, 80-vjeçari veçon edhe ditët kur ai dhe shokët e lagjes e shtynin kohën e agjërimit duke mbledhur fruta që t’i ruanin për iftar.

“Dilnim nëpër Çabrat me mbledhë kumbulla, qershia, manaferra e krejt çka ka pasë, po mandej pas buke ngopeshim dhe nuk mundnim t’i hanim, thjesht e bënim prej dëshirës sepse kujtonim që pas buke do t’i hanim” – rrëfen ai me një buzëqeshje, derisa kujtimet e shumta i dilnin përpara.

Sot pas 70 vitesh, ardhja e iftarit e gjen Iljazin duke u njoftuar përmes telefonit, zërit të hoxhës nga minarja e xhamisë e shumë alternativave tjera.

Megjithatë, iftari dikur kishte pasur lezet më të madh, thotë ai, duke arsyetuar me mënyrën tradicionale se si lajmërohej ardhja e këtij vakti.

“Në atë kohë nuk ka pasur drita në xhami, edhe nuk ka pasur altoparlantë, kështu që duhej me dalë dikush me këqyr kur të del hoxha m’i qit flamurin edhe e thirrke ezanin. Kështu që, pritnim sahat e çerek secili se kur po del dhe ishte kënaqësi e madhe, gëzim i madh” – shpjegon Iljazi.

Të veçantë për të atë periudhë e bënte edhe zgjimi për syfyr.

“Kënaqësia më e madhe ka qenë kur dilte një njeri në rrugë për të na çu me tupan për syfyr. Lezetin e ka pas të vetin, mirëpo tash duke u përsosur veglat, kemi telefonin, që të gjithë zgjohemi njëherazi prej ziles së telefonit”.

“Tani është shumë më lehtë, por nuk është kënaqësia sikur përpara.”

Agjërimi mes harmonisë fetare dhe sfidave të sistemit komunist

Gjakova është një ndër qytetet ku ka harmoni në bashkëjetesën e shumëllojshme fetare. Përpos komunitetin mysliman, ndër besimet tjera është edhe ai i krishterë.

Për Ilijazin, muaji i Ramazanit nuk sjellë vetëm kujtime mes qytetarëve të besimit islam, por të gdhendura në memorien e tij qëndrojnë edhe momentet e mirëkuptimit nga banorët e krishterë.

“Atëherë ka qenë shumë mirë, sepse edhe ata të krishterët që ishin, kur ishte puna e Ramazanit, nuk pinin duhan dhe nuk ushqeheshin rrugës, që të mos i shohim ne. Nuk ka ndodhur atëherë me dal në rrugë e me të pi dikush duhan apo me të hangër bukë nër sy, kanë qenë të edukuar me frymën e tyre fetare” – rrëfen i moshuari, i cili thotë se sot një gjë e tillë ndodhë më pak.

Për 45 vite radhazi Kosova ka qenë në sistemin komunist i cili ka zgjatur nga viti 1945 deri më 1990. Gjatë kësaj kohe proklamomi i fesë nëpër institucione publike dhe shkolla nuk ishte diçka që mund të ndodhte krejt natyrshëm.

Muhamet Iljazi, që pjësën më të madhe e kaloi në rolin e mësuesit, kjo periudhë kohore kishte qenë sfiduese.

Ai rrëfen se si kishte agjëruar, derisa shërbente si mësues në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë gjatë viteve të 60-ta.

Sipas Iljazit, praktkimi i fesë haptazi, ka rrezikuar t’i sjellë telashe.

“Me bo me marrë vesh që ke agjëru, të kanë qit prej punës”- tregon ai.

Kësisoj, ai ishte detyruar që të gjente një mënyrë për ta bërë këtë gjë fshehurazi.

“Zakonisht kur isha në shkollë, në gjimnaz kur kam hy në moshën 23-vjeçe, në vitin 1966, aty tash pinin çaj e kafe ata (kolegët), tash unë duhej mu fsheh ose me dal jashtë kur ishte pushimi gjatë, kinse po dal andej, me ik, por kështu nuk bënte përditë” – tregon ai.

Asokohe, ai kishte gjetur një formë interesante për të menaxhuar një situatë e cila mund t’i sillte probelme në atë kohë. Zgjidhja e tij doli të ishin një grumbull rruazash prej qelqi të cilat ai i përdorte fshehurazi.

“Unë e gjeta një mënyrë me rruaza, ‘porta’ që u thonim ne, kur dilja prej orës në pushim të gjatë, e mbaja në gojë një rruazë, kur kolegët më ftonin ‘hajde për kafe ose çaj unë”, u thosha ‘jo se sapo e mora një sheqer’. Në këtë mënyrë nuk më kanë vërejt”.

Vetëm pak vite më vonë, një sfidë tjetër përgjatë muajit të Ramazanit për Iljazin do të ishte shërbimi ushtarak.

“Në 1968-tën kam shkuar ushtar, në Bosnjë kam qenë. Kur erdhi Ramazani, aty ishin shumica serbë, 90% serbë, kapitenët, oficerët. Aty ka qenë e caktuar kur me hangër mëngjesin, drekën edhe darkën, binte boria, nëse nuk ke hangër, ke mbetur pa hangër. Tani mu më duhej të çohesha për në syfyr, për me u çu në syfyr, nuk kisha ku të merrja bukë e as ku të përgatisja”.

Kësisoj, orari i ushqyerjes, kushtet dhe aktivitete e shumta fizike të cilat duhej të ushtroheshin çdo ditë, i kishin pamundësuar asokohe 25-vjeçarit që të agjëronte.

“Mendoja ta ha darkën dhe të qëndrojë vetëm me vaktin e darkës, por të nesërmen kishim ushtrime, vrapo andej, vrapo këndej, nuk e çonte organizmi me 24 orë pa ngrënë”.

Si vështirësi në disa raste Iljazi kujton edhe temperaturat e larta gjatë kohës kur muaji i Ramazit vinte në stinën e verës, porse për ky problem venitej falë vullnetit që i ishte brumosur në të që në fëmijëri.

“Kur ishte Ramazani verës e kemi pasur shumë vështirë, jemi ruajtur si fëmijë që të mos vraponim, të mos luanim me top të mos shkonim për tu larë. Dimrit ka qenë më lehtë se dita më e shkurtë, mirëpo vullneti i fortë hap dyert e hekurta duke e ditur se shpërblimi i Zotit është i madh” – ka përmbyllur Iljazi për KALLXO.com