Paraliza e Gjumit. Stock Photo

Pse përjetojmë paralizë të gjumit, truri zgjohet pjesërisht, por nuk jemi në gjendje të lëvizim

Paraliza e gjumit-gjendje kur një pjesë e trurit zgjohet por jo edhe muskujt prek një përqindje të konsiderueshme të njerëzve së paku një herë në jetë. Tani shkencëtarët kanë filluar të kuptojnë pse njerëzit zgjohen nga ëndrrat të paaftë për të lëvizur – dhe pse ndonjëherë halucinojnë.

“Isha adoleshent kur më ndodhi për herë të parë, në orët e para pas mesnatës, disa orë para se të ngrihesha nga shtrati për në shkollë. Isha i vetëdijshëm se jam zgjuar, u përpoqa të rrotullohesha në shtrat, por trupi nuk më lejoi – nuk mund të lëvizja, isha i paralizuar deri tek gishtat e këmbëve”.

“Megjithëse truri ishte i vetëdijshëm, muskujt ishin ende në gjumë, u ndjeva në panik. Pas rreth 15 sekondash, paraliza m`u largua”, është shprehur një qytetar si pjesë e një studimi.

“Më vonë, gjeta emrin për atë që më kishte ndodhur: Paralizë gjumi. Është gjendje çuditërisht e zakonshme gjatë natës në të cilën një pjesë e trurit zgjohet ndërsa trupi mbetet përkohësisht i paralizuar. Pas atij incidenti fillestar të frikshëm, m`u bë dukuri e shpeshtë, më ndodh çdo dy ose tre netë”.

“Pjesa shqisore e trurit bëhet aktive. Ju zgjoheni mendërisht, perceptualisht – por fizikisht jeni ende i paralizuar”.

Disa persona përjetojnë edhe halucinacione të tmerrshme. Një 24-vjeçare e cila kërkoi të identifikohej vetëm me emër, Victoria, tregon se kjo i ndodhi një natë kur ishte 18 vjeç.

 “U zgjova dhe nuk mund të lëvizja, E pashë një figurë të fshehur pas perdes. Më kërceu mbi gjoks. Mendova se kisha hyrë në një dimension tjetër. Dhe gjëja më e frikshme ishte që nuk mund të bërtisja. Ishte kaq e gjallë, kaq e vërtetë”, u shpreh ajo.

Një pjesë e madhe e njerëzve që kanë kalaur në këtë gjendje pohojnë se kur zgjohen gjithmonë shohin se kanë qenë duke fjetur në shpinë. Shumica konsiderojnë se fjetja në këtë pozicion mund të jetë shkak i këtij përjetimi.

Shumë persona halucinojnë demonë, fantazma, alienë, madje edhe të afërmit e vdekur. Shohin pjesë të trupit të tyre që notojnë në ajër, ose kopje të klonuara të tyre duke qëndruar pranë shtratit. Disa shohin engjëj dhe më vonë besojnë se kanë pasur një përvojë fetare. Studiuesit mendojnë se këto halucinacione mund të kenë nxitur besimin te shtrigat në Evropën e Hershme Moderne.

Interpretimi shkencor lidhur me këtë gjendje

Shkencëtarët mendojnë se paraliza e gjumit ndoshta ka ekzistuar për aq kohë sa njerëzit kanë fjetur. Deri vonë është hulumtuar pak. “Ka qenë një fenomen i injoruar, por gjatë 10 viteve të fundit ka pasur interes në rritje”, thotë Baland Jalal, studiues i gjumit në Universitetin e Harvardit.

Paraliza e gjumit është gjendje në të cilën personi është i vetëdijshëm por nuk mund të lëvizë ose flas. Zakonisht ndodhë gjatë një ose dy tranzicioneve: Kur është duke ju zënë gjumi ose kur jeni duke u zgjuar.

Kur flemë, trupi futet dhe del nga faza e gjumit REM (lëvizja e shpejtë e syve) truri i jep sinajl trupit që të relaksojë muskujt dhe ne hyjmë në një gjendje të quajtur ‘atonia’- e nevojshme për të rregulluar lëvizjet e trupit në mënyrë që të mos ecim kur jemi në ëndërra.

Kurse, paraliza e gjumit ndodhë kur trupi ka problem gjatë këtij tranzicioni. Ne jemi zgjuar, por muskujt dështojnë të dalin nga ‘atonia’.

Deri kohët e fundit, kishte shumë pak dakordim se sa njerëz përjetojnë paralizë gjumi. Studimet ishin sporadike e me konsistentë të vogël.

Por, në vitin 2011, psikologu klinik Brian Sharpless, profesor në Kolegjin St Mary’s të Maryland, kreu rishikimin më gjithëpërfshirës deri më tani të prevalencës së kësaj gjendjeje. Ai shikoi të dhënat nga 35 studime që përfshinin pesë dekada. Të gjithë këto të dhëna përfshinin më shumë se 36,000 vullnetarë. Sharpless gjeti se paraliza e gjumit ishte më e zakonshme sesa mendohej më parë, me pothuajse 8% të të rriturve që pretendonin se e kishin përjetuar së paku një herë në jetë. Kjo shifër është shumë më e lartë mes studentëve të universitetit (28%) dhe pacientëve psikiatrikë (32%).

“Nuk është aq e pazakontë”, thotë Sharpless.

Pasi përjetojnë këtë gjendje, disa gravitojnë drejt shpjegimeve të mbinatyrshme apo edhe paranormale. Në realitet, thotë Jalal, shkaku është shumë më i zakonshëm. Natën, trupi kalon nëpër katër faza të gjumit. Faza e fundit quhet lëvizja e shpejtë e syve, ose “REM”. Kjo është koha kur ëndërrojmë. Gjatë fazës REM, truri paralizon muskujt, ndoshta për t’ju ndaluar të realizoni fizikisht ëndrrat dhe të lëndoni veten. Por ndonjëherë – dhe shkencëtarët ende nuk janë të sigurt pse – pjesa e ndjeshme e trurit del nga REM para kohe. Kjo ju bën të ndiheni sikur jeni zgjuar. Por, pjesa e poshtme e trurit është ende në REM dhe ende dërgon neurotransmetues për t’i mbajtur muskujt të paralizuar.

“Pjesa shqisore e trurit bëhet aktive”, thotë Jalal. “Ju zgjoheni mendërisht, perceptualisht – por fizikisht jeni ende i paralizuar”.

Mjekët thonë se paraliza ka më shumë gjasa të ndodhë kur jeni të privuar nga gjumi, sepse struktura e gjumit nuk është e rregullt.

“Për shumicën e njerëzve, është gjë e çuditshme me të cilën jetojnë”, thotë Colin Espie, profesor i mjekësisë së gjumit në Universitetin e Oksfordit. 

“Është pak a shumë si ecja në gjumë – shumica e njerëzve që ecin në gjumë nuk shkojnë kurrë te mjeku”.

Por, për një pakicë, kjo gjendje është më sfiduese. Hulumtimi i Sharpless zbuloi se midis 15% dhe 44% e atyre me paralizë gjumi përjetojnë “shqetësim të rëndësishëm klinik”. Problemet zakonisht lindin nga mënyra se si i përgjigjemi paralizës së gjumit, dhe jo nga vetë gjendja. Pacientët shpesh fiksohen gjatë gjithë ditës se kur mund t`u ndodh episodi tjetër.

“Kjo mund të çojë në përjetim ankthi në fillim dhe në fund të natës”, thotë Espie. “Ju zhvilloni shqetësim të vazhdueshëm për atë gjendje, shprehja më e keqe e kësaj është shndërrimi në një lloj sulmi paniku”.

Në rastet më serioze, paraliza e gjumit mund të jetë shenjë e narkolepsisë – gjendje më serioze në të cilën truri nuk është në gjendje të rregullojë mënyrën e gjumit dhe zgjimit, duke bërë që dikush të bie në gjumë në kohë të papërshtatshme.

Trajtimi – Edukohuni për atë se çfarë është paraliza e gjumit

Qasja më e zakonshme për trajtimin e paralizës së gjumit është edukative: Pacientët thjesht duhet të mësohen për shkencën që qëndron pas kësaj gjendje dhe të sigurohen se nuk janë në asnjë rrezik. Ndonjëherë mund të përdoret një formë terapie meditimi. Qëllimi është të zvogëlohet ankthi i pacientit për të shkuar në shtrat dhe t’i trajnojë të qëndrojnë të qetë kur shfaqet paraliza e gjumit.

Në raste më serioze, mund të merren parasysh barnat të cilat zakonisht përdoren për të trajtuar depresionin, por kanë efekt anësor të shtypjes së gjumit REM.

Episodet më dramatike dhe më të paharrueshme të paralizës së gjumit janë zakonisht ato që përcillen me halucinacione që duken si reale. Zakonisht këto vizione të natës janë burim frike.

Kur hyni në paralizën e gjumit, korteksi motorik i trurit fillon të dërgojë sinjale në trup, duke i thënë të lëvizë. Por muskujt janë të paralizuar, dhe kështu truri nuk merr asnjë sinjal reagimi në këmbim. “Ka një mospërputhje, si rezultat, truri “mbush boshllëkun” dhe krijon shpjegimin e tij përse muskujt nuk mund të lëvizin. Kjo është arsyeja pse kaq shumë halucinacione përfshijnë një krijesë të ulur në gjoks ose duke mbajtur trupin tuaj të shtypur”.

Përkundër se si përvojë është e frikshme, përjetimi i kësaj gjendje nuk paraqet rrezik për shëndetin. BBC

Përgatiti: Ardita Zeqiri