Universitetit i Pejës, FOTO: Facebook

Universiteti i Pejës hap konkurs për mbi 1 mijë studentë të rinj

Universiteti ‘’Haxhi Zeka’’ në Pejë e ka hapur sot konkursin për pranimin e studentëve të rinj, për vitin e parë të studimeve themelore për vitin akademik 2020/2021.

UHZ ka bërë të ditur se në vitin e parë të studimeve për vitin akademik 2020/21, do të regjistrojë 1240 studentë. Prej tyre, 1220 studentë të rregullt dhe 20 studentë me korrespondencë.

“Paraqitja e dokumenteve zgjatë prej datës 21.09.2020 deri më 30.09.2020 nga ora 09:00 deri 15:00 (dokumentet do të pranohen çdo ditë me përjashtim të ditës së diel)”, është bërë e ditur më tej.

UHZ thotë se në Universitet, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASh-i, mund të pranohen edhe kandidatët nga Mali i Zi, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Numri i studentëve të rregullt që do të pranohen nga këto vende do të jetë deri në 5% e numrit të përcaktuar.

Tutje është thënë se kandidatët për pranim si student të UHZ-së në vitin akademik 2020/2021 nuk mund të konkurojnë më shumë se në një fakultet, departament, drejtim apo program.

“Kandidatët të cilët kanë të regjistruar një program studimi në cilindo nivel të studimit në kuadër të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë nuk kanë të drejtë konkurrimi në program tjetër studimi në UHZ pa përfunduar studimet në programin ku kanë qenë duke studiuar ose pa u çregjistruar nga programi aktual i studimeve”, thuhet më tej.

Këtu mund t’i lexoni kriteret e tjera të konkursit.

Sot, edhe Universiteti i Prishtinës, i Ferizajt, Gjakovës dhe i Gjilanit kanë hapur aplikimin për studentë të rinj.