Rruga "Skënderbeu" në Podujevë (30.08.2023), Foto: KALLXO.com

Arsyet e zvarritjes së punimeve në zgjerimin e rrugës “Skënderbeu” në Podujevë

Edhe pse ishte thënë se punimet do të kryhen në më pak se një vit, ndërtimi i rrugës “Skënderbeu” në Podujevë ka pasur vonesa në finalizimin e punimeve.

Komuna e Podujevës fajin e ka hedhur tek kushtet atmosferike, kompania ndërtuese ka thënë se janë duke pritur KEDS-in për largimin e disa shtyllave, ndërsa opozita në Podujevë thotë se pati keqpërdorime.

Punimet në rrugën “Skënderbeu” në Podujevë nisën më 17 qershor 2022, ndërsa në dokumentin për njoftimin e nënshkrimit të kontratës, thuhet se punimet do të kryhen për 210 ditë pune.

Gjatësia e kësaj rruge në të cilën janë zhvilluar punimet është vetëm 2.4 kilometra. Në të përfshihej baza e re e asfaltit, ujësjellësi, kanalizimi, trotuari, gjelbërimi dhe shtegu i biçikletave.

Kompania fituese e tenderit të shpallur nga Komuna e Podujevës është “Rahovica Comerce”, ndërsa vlera e kontratës së nënshkruar më 10 qershor 2022 ishte 1 milion e 316 mijë e 502 euro. Komuna e Podujevës e ka nënshkruar edhe një kontratë të re për punët shtesë me të njëjtën kompani në vlerë prej 98 mijë e 183 eurove.

Para afatit për dorëzim të ofertave, një nga operatorët ekonomikë (“Gashi Ing”) ishte ankuar në Komunën e Podujevës me pretendimet se janë kërkuar sasi e madhe e mjeteve motorike, e të cilat janë diskriminuese.

Komuna e Podujevës ka marrë vendim në shkallën e parë, duke e miratuar kërkesën për rishqyrtim dhe kësisoj e ka parandaluar ankimimin në Gjykatën e Tenderëve.

“Pas shqyrtimit dhe kontrollit të dosjes së tenderit konsiderohet se këto pretendime të kritereve të mjeteve në dosjen e tenderit (DT), edhe pse AK-ja nuk ka pasur qëllim që këto të jenë kritere diskriminuese apo favorizuese, sepse kur dihet se një projekt i tillë me vlerë të madhe e për realizimin e saj duhen më shumë mjete që i  përgjigjen të gjitha punëve për të përfunduar këtë projekt me të gjithë infrastrukturën përcjellëse, sepse punët janë brenda në qytet. Por, pavarësisht, AK do t’i bëj këto ndryshime që mundësohet ofertimi i të gjithë operatorëve pa dallim apo selektim sipas afateve të përcaktuara me Ligjin e Prokurimit Publik” – thuhet në vendim e Komunës së Podujevës mbi ankesën e kompanisë “Gashi Ing”.

Pas këtij vendimi, Komuna e Podujevës më nuk ka pranuar ankesa gjatë fazës së paratenderimit apo edhe pas vlerësimit të ofertave.

Në tenderin për rikonstruktimin e rrugës “Skënderbeu” me infrastrukturë përcjellëse që ishte iniciuar më 18 shkurt 2022, kishin ofertuar 11 operatorë ekonomikë dhe vetëm njëri prej tyre ishte shpallur i papërgjegjshëm. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 1 milionë e 400 mijë euro, ndërsa fituese ishte shpallur kompania “Rahovica” me çmimin e ofertuar prej 1 milionë e 316 mijë e 502 euro.

Çka thonë nga Komuna e Podujevës rreth punimeve dhe tenderit?

Punimet në këtë rrugë kishin filluar më 17 qershor 2022, por ato ende nuk janë finalizuar. Nga Komuna e Podujevës kanë thënë se arsyeja e vonesës së punimeve, janë kushtet atmosferike.

Në një përgjigje me shkrim, Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës më 20 maj 2023, ka thënë se punimet janë në fazën finale.

Në atë kohë, Zhitia kishte thënë se punimet pritet të finalizohen në muajin qershor të vitit 2023.

Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mjedisit, Leutrim Krasniqi, një pjesë ‘të fajit’ e ka lënë edhe për KEDS-in, pasi sipas tij kompania është vonuar në instalimet e rrjetit nëntokësor.

“Këto vonesa janë shkaktuar pasi kishte probleme nga kushtet atmosferike si dhe disa instalime të KEDS-it kanë bërë që projekti të mos finalizohet deri tani. Megjithatë presim që edhe qytetarët tashmë të kenë mundësi që ta kenë këtë hapësirë nën shfrytëzim shpejtë” – tha ai.

Kjo komunë ia ka dhënë edhe një tjetër kontratë kompanisë “Rahovica Comerce” për rinkonstruktim të punimeve në vlerë prej 98 mijë e 183 eurove, pikërisht për rrugën “Skënderbeu”, si punë shtesë.

Kompania: Fajet për vonesa i ka KEDS-i

Vonesat e përfundimit të projektit nga Komuna e Podujevës kishin si arsye kushtet atmosferike, por nga kompania fituese e tenderit thonë se vonesat janë shkaktuar për shkak të punimeve të KEDS-it.

Kompania “Rahovica” në fund të muajit korrik 2023 kishte thënë se brenda një jave ose 10 dite punimet pritet të përfundojnë.

“Rruga shumë shpejtë do të përfundojë, kemi vonesa kjo madje prej KEDS-it jo prej anës tonë. Po presim me i largu disa shtylla nga aty dhe projekti thuajse është i kryer” – kanë thënë nga kompania “Rahovica”, në korrik të vitit 2023.

Pas daljes në terren është parë që punimet në këtë rrugë ende nuk kanë përfunduar. Pasi është kontaktuar kompania “Rahovica”, të njëjtit kanë thënë se kanë mbetur edhe disa finesa të vogla.

“Mund të them se 99.9% jan të perfunduara. Krejt çka ka mbetë janë disa finesa të vogla. Por megjithatë, pasi të kthehem nga pushimi ato do të përfundojnë. KEDS-i me ato shtylla na e vështirësuan punën. Rruga është në qarkullim veç edhe ato mbetje të vogla” – thanë nga “Rahovica Company” në një përgjigje më 23 gusht 2023.

Por në anën tjetër, zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi për BIRN ka thënë se Komuna e Podujevës nuk kishte bërë kërkesë për largimin e shtyllave elektrike që kanë qenë përgjatë rrugës, as para fillimit të projektit e as pasi kanë filluar.

Ai ka bërë të ditur se ka ndodhur një keqkuptim në mes të Komunës dhe KEDS-it, në ndërkohë kërkesa e Komunës është aprovuar vetëm para dy muajve, sipas tij.

“Duhet ta dini se në bazë të procedurave dhe rregullave të aprovuara, është gjithmonë detyrë e palës kërkuese që zhvendosjen e aseteve ta bëjë vetë pala në bazë të aprovimit paraprak nga KEDS-i, respektivisht në zgjidhjen teknike që i ofrohet”- ka thënë Krasniqi, më 25 gusht 2023.

“Megjithatë, autoritetet e Komunës së Podujevës kanë keqkuptuar se zgjidhja teknike nënkupton edhe heqjen e këtyre shtyllave nga rruga nga ana e KEDS-it. Në këtë rrethanë është arritur një mirëkuptim nga të dyja palët që KEDS-i të bëjë heqjen e këtyre shtyllave dhe futjen e rrjetit nëntokësor për atë segment rrugor”.

Krasniqi ka thënë se nëse shkon sipas planit, punimet e veta KEDS-i do t’i kryejë për rreth tre javë.

Zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia, që në muajin maj kishte thënë se punimet do të përfundohen në muajin qershor, tash ka një datë të re sa i përket kohës kur do të përfundojnë punimet.

“Punimet priten të përfundojnë në fund të muajit të ardhshëm (shtator), përfundimisht” – ka thënë Zhitia.

Opozita në Podujevë pretendon se ka edhe shkelje të tjera

Asamblisti i LDK-së në Podujevë, Qendrim Softolli, ka thënë se përpos shkeljes me kontratën e dytë të nënshkruar, aty ka edhe shkelje të tjera.

Sipas tij, rruga tashmë është më e ngushtë sesa kishte qenë më parë, ani pse projekti ishte për zgjerimin e saj.

“Rruga Skënderbeu ishte më e gjerë në kohën kur nuk kishin filluar punimet sesa tani. Domethënë mund ta vërejmë se tashmë ajo rrugë është më e ngushtë” –  tha ai.

I njëjti pohoi se për projektin e kësaj rruge nga drejtoria e Urbanizmit paratë janë marrë nga një projekt tjetër dhe janë deleguar në atë të rrugës “Skënderbeu”.

Po ashtu, Softolli tha se LDK do të dorëzojë kallëzim penal për shkeljet e pretenduara nga ta.

Në një prononcim për media, Sotfolli kishte ngritur edhe dyshime për keqpërdorim të mjeteve nga ekzekutivi komunal pikërisht për këtë rrugë.

“Ka gjithashtu edhe fakte të tjera që tregojnë se për këtë projekt janë shfrytëzuar paratë e buxhetit të projektit tjetër i cili ishte për rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë, i cili ka qenë tender i mëhershëm, e ka deklaruar edhe vetë drejtori” – tha më tej ai.

Në anën tjetër, për pretendimet e partisë opozitare është përgjigjur edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Ai tha që nuk do t’i komentojë vlerësimet e opozitës duke shtuar se nëse ka keqpërdorime ato do t’i vlerësojnë organet kompetente.

“Sa i përket pretendimeve të LDK-së janë organet kompetente që e vlerësojnë se a ka keqpërdorime në një projekt apo jo, andaj nuk dua t’i komentoj vlerësimet e tyre” – thuhet në përgjigjen e tij.

I njëjti shtoi se projekti i rrugës pavarësisht që ka pasur vonesa, është projekt që përfshin të gjithë infrastrukturën e re.

“Projekti i rrugës “Skënderbeu” përkundër vonesave në zbatim për shkak të problemeve që janë shfaqur gjatë implementimit të projektit, është një projekt i cili përmban gjithë infrastrukturën e re me kanalizim, ujësjellës, ndriçim, trotuar, hapësirë për gjelbërim, shtigje të biçikletave etj. Përkundër problemeve që janë shfaqur në realizimin e projektit, ky projekt tash është në fazën finale të punimeve dhe po merr formën e merituar” – përfundoi Zhitia.

Ky artikull është shkruar nga Altiana Zogaj përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.