Arkitektët Kërkojnë që të Hetohet Ministri Yagcilar

Sipas kësaj letre kërkohet nga Deputetet, Kryeministria, hetuesia dhe prokuroria e shtetit që të reagojnë pavarësisht se bëhet fjalë për nivel të lartë politikë.

Ky reagim vjen pas hulumtimit të publikuar në Gazetën Jeta në Kosovë, më datë 14 tetor ku Gazeta ka zbuluar se Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike, ka dhënë mijëra euro për bashkëpartiakë të tij që drejtojnë organizata joqeveritare.

Asociacioni i Arkitekteve të Kosovës, organizatë-joqeveritare, ka ripërseritur akuzat se drejtuesit e MAP-it vepruan kundërligjshëm  në rastin e kësaj OJQ-je.

“Por kur lexuam lajmin në Gazetën Jeta në Kosovë u vërtetua se Ministri Yagcilar është i përfshirë në skandale dhe keqpërdorime të fondeve publike dhe i njëjti nuk ka guxuar të marr masa ndaj shkelësve pasi që të tre janë të lidhur me keqpërdorime dhe shkelje ligjore në këto skema piramidale me abuzime me OJQ ku edhe ne jemi viktimë e kësaj treshe”, thuhet më tutje.

Ata bëjnë me gisht kah ministri Yagcilar, sekretari Fitim Sadiku dhe Bajram Kosumi, drejtor për OJQ në MAP.

Pohimet e Asociacionit i ka mohuar Ministria e Administratës Publike.
Gazeta Jeta në Kosovë pati publikuar në shtator të vitit të kaluar artikullin “Arkitektët- Përplasje e Akuza për Përfshirje Politikanësh”

Bajram Kosumi, drejtor në MAP, pati dhënë përgjigje për akuzat e ngritura nga arkitektët.

Ky Asociacion drejtohet nga Eljesi Surdulli dhe Valdet Osmani.

Në fakt janë dy grupe arkitektësh pretendojnë se janë drejtues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës.

Ndërkohë Shemsi Kelmendi thotë se është ai që e udhëheq Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës.

“Në emër të Asociacionit deklaroj se ne si Asociacion nuk kemi kërkuar hetime dhe nuk kemi lansuar akuza ndaj drejtuesve të MAP-it”, thotë Kelmendi.