Argjendari Plagoset Pasi Kthehet nga Gjykata

(E plotësuar) Persona ende të panjohur kanë hedhur, sot rreth orës 10:30, një mjet shpërthyes në shtëpinë e argjendarit Sali Kastrati, në lagjen “Asllanqeshme”, në Pejë.

Ai është i plagosur dhe është dërguar për trajtim në Emergjencën e Spitalit Regjional të Pejës. Më pas, për shkak të lëndimeve të rënda trupore, ai është transportuar nën përcjelljen e policisë për në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) në Prishtinë. 

Zëdhënësi i policisë në Pejë, Zeqir Kelmendi, konfirmoi për Gazetën JnK se ekipet hetuese për krime serioze rajonale, dhe ekipi për trajtimin e mjeteve shpërthyese, kanë dalë në vendin e ngjarjes, për t’i kryer ekzaminimet.

Në vendit e ngjarjes ka dalë edhe Kryeprokurori Publik i Qarkut. Nga hetimet paraprake të policisë ende nuk dihet shkaku i shpërthimit dhe motivi, mirëpo dyshohet se mjeti është hedhur nga persona të panjohur.

Policia thotë se po punohet në disa pista hetimi për të mësuar, zbuluar shkaqet dhe kryerësit e mundshëm.

Mjekët në QKUK kanë bërë të ditur se Kastrati është plagosur në kokë dhe do t’i nështrohet një operacioni. Gjendja e tij është e rëndë.

Sali Kastrati ka qenë edhe më parë i sulmuar nga grupe kriminale. Ai ka qenë i plagosur dy herë. Edhe në dyqanin e tij të argjendarisë, ka pasur një shpërthim, së fundi në fillim të këtij viti.

Vetëm rreth një orë më parë, Kastrati ishte kthyer nga një gjykim në Gjykatën e Qarkut në Pejë, ku u shpall fajtor për armëmbajtje pa leje, pasi kishte shtënë me pistoletë në ajër, kur ishte plagosur para pak kohe. Gjykata i shqiptoi një gjobë prej 800 eurosh.