Arbër Rexhaj

Protestuesi i përbetuar

Si për të dëshmuar se vërtet është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, që në të gjitha paraqitjet publike të fushatës premton ulje shpenzimesh të luksit, kandidati i saj për Prizrenin Arbër Rexhaj shpesh ha hamburger të pesëdhjetë centëve, të përgatitur në një barakë, pranë banesës së tij. 

Pronari i kësaj barake të ushqimeve të shpejta Erzen Hoxha tregon se Arbërin e ka myshteri të rregullt të hamburgerëve dhe tostave. 

“Edhe pse nuk i kam hamburgerat e mirë qysh i lypin këta politikanët, ai gjithmonë blen te unë, nuk e di a është puna te çmimi, se unë i kam 50 centë hamburgerat, veç Arbëri gjithmonë blen te unë”, thotë Hoxha. 

Në dy minutat e tij të paraqitjes së programit me të cilin synon të fitojë besimin e prizrenasve, në Emisionin Zgjedhjet Lokale 2013 të transmetuar më 9 tetor, Rexhaj përmendi zhvillimin ekonomik si shtyllën kryesore të qeverisjes së tij të mundshme. 

“Duke marrë parasysh karakteristikat e Prizrenit, trashëgiminë e tij të pasur, sidomos atë historike, kultura duhet të kthehet në sektor të zhvillimit ekonomik, kryesisht nëpërmjet turizmit”, tha Rexhaj. 

Festivali i filmit të shkurtër dhe dokumentar Dokufest që mbahet në Prizren prej vitit 2002, e ka kthyer qytetin historik kosovar në një destinacion të turizmit kulturor. 

Përfaqësues të Vetëvendosjes vazhdimisht përmendin shpenzimin e pakontrolluar të parasë publike nga qeverisjet komunale, në fushën mallra dhe shërbime, ku hyjnë shpenzimet për dreka e darka dhe derivate e lëndë djegëse. 

Ata synojnë që nëse marrin drejtimin e ndonjë komune, t’i reduktojnë shpenzimet e tilla. Por disa nga fqinjët e Arbër Rexhajt, i dëshirojnë atij marrje të pushtetit, vetëm për ta ndërruar makinën që kandidati i LVV-së aktualisht ka-një BMW 3. 

Vetura shpesh nuk i ndez Arbërit, ndërsa fqinjët duhet ta shtyjnë atë. 

“Po na thirrë kojshive me shty, na lodhi, i kemi thënë ishalla po fiton në zgjedhje, e ndoshta po e merr ndonjë veturë më të mirë, se në zor jemi edhe kojshitë me të”, thotë fqinji i Arbërit, Erzeni. 

Këtë veturë, kur i ndez, Arbëri e vozit nga viti 2011. Ai është kandidati më i ri për kryetar të Prizrenit, duke i hyrë garës me vetëm 28 vjet. Kryetari aktual i kësaj komune, Ramadan Muja ka plot 74. 

Arbëri, subjektin e tij politik e konsideron opozitën më të zëshme kundër qeverisjes Muja në Prizren. 

Njeriu i njohur për protesta të zhurmshme me VV-në në Prizren dhe më gjerë, thotë se nuk do të heqë dorë prej kësaj mënyre të shprehuri, edhe nëse zgjidhet kryetar i komunës së dytë më të madhe në Kosovë. 

“Mendoj se në nivel të Kosovës ka shumë probleme dhe unë do të jem aty në protestë”, thotë Rexhaj. 

Ata që e njohin, kandidatin e LVV-së për Prizrenin, e konsiderojnë shumë temperament. 

Fqinji tjetër i tij Gyrkan Krasniqi, te i cili Arbri rregullon flokët, tregon se Arbërin në lokalin e tij shpesh e provokojnë politikisht, vetëm për t’ia parë reagimin. 

“Sa herë vjen, e ngucim për politikë, ai nxehet shumë shpejt edhe ma nuk ndalet”, tregon Krasniqi. 

Edhe gruaja e Arbrit, Zejnepja, ia njeh si dobësi burrit të saj seriozitetin e tepërt, ndërsa shton se vetëm ajo arrin t’ia nxjerrë buzëqeshjen. 

Megjithatë, Zejnepja tregon se lindja e djalit, e ka bërë Arbrin tjetër njeri, më të butë, e më të dashur, duke thënë se ka një ndryshim të madh mes asaj se si sillet e vepron Arbri jashtë, në raport me atë që bën në shtëpi. 

Rexhaj, kritikon pushtetin lokal, i cili sipas tij po funksionon në objekte superluksoze, duke u zotuar se nëse do të fitojë postin e të parit të Prizrenit në këtë mandat “Shtëpinë e Bardhë”, ku aktualisht qëndron kryetari i komunës, do ta shndërrojë në Qendër Kulturore të qytetit. 

Ai është i lidhur me kulturën duke qenë se po kryen studimet pasdiplomike, në degën e letërsisë shkencore të UP-së, ndërsa pas luftës për dy mandate drejtoi Klubin Letrar “Fan Noli” të qytetit, ku kandidon për kryetar. 

Aktualisht punon si arsimtar i gjuhës shqipe në Gjimnazin “Remzi Ademaj” të Prizrenit. 

Me politikën e lidhin studimet universitare private në “Fama”, të shkencave politike. 

Ai e vlerëson qeverisjen e Ramadan Mujës, si qeverisje të skandaleve në baza ditore.