Enis Begolli | Foto: Gazeta JNK

Tragjedia Kosovare e të Akuzuarit për Terrorizëm

Enis Begolli është një njeri i thyer. I papunë, i divorcuar nga gruaja dhe së fundmi i pastrehë, 30-vjeçari nga Mitrovica, i akuzuar nga drejtësia e Kosovës se ka qenë pjesëtar i ISIS-it në Siri, thotë se tani nuk i ka mbetur më asgjë përveç rrobave të trupit dhe shpirtit.

Begolli ka kaluar dy vitet e fundit në paraburgim dhe arrest shtëpiak, dhe kur në prill të këtij viti është lënë në gjendje të lirë në pritje të një gjykimi përfundimtar, është gjendur praktikisht i vetëm dhe me shumë pak përkrahje.

Në prill të këtij viti, Begolli u shpall fajtor për pjesëmarrje në organizatë terroriste nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe u dënua më katër vjet burgim. Ai e ka apeluar vendimin duke këmbëngulur se është i pafajshëm.

“Nuk kam qenë kurrë në Siri, e jo më t’i jem bashkuar një organizate terroriste siç është ISIS”, thotë Begolli, duke shtuar se akuza e ngritur ndaj tij nuk përmban asnjë provë.

Ai u arrestua në shtator të vitit 2014 dhe që atëherë ka kaluar rreth 8 muaj në paraburgim dhe rreth një vit në arrest shtëpiak. Aktakuza ndaj tij thotë se në shtator të vitit 2013 ai ka udhëtuar për në Siri përmes Turqisë, dhe është vendosur në Alepo ku ka marrë pjesë në një kamp stërvitor duke iu bashkuar formacioneve të ISIS-it. Prokuroria pretendon se Begolli kaloi tre muaj në Siri në radhët e ISIS-it.

Por Begolli pretendon se ai vetëm kishte qëndruar tre muaj në Turqi për të parë mundësi biznesi dhe se para atij udhëtimi, ai jetonte në Francë prej tre vitesh. Megjithatë, gjykata vendosi në shkallë të parë që Begolli ishte fajtor.

“Gjykata nuk i fali besimin mbrojtjes së të akuzuarit Enis Begolli e as tezës mbrojtëse të avokatit të tij, Ahmet Gjinovci se kinse i akuzuari Enis kurrë nuk ka qenë në Siri, ngase kjo është në kundërshtim me deklarimin e të akuzuarit Skender Syla dhënë në hetuesi, ku ka deklaruar se Enis Begollin e njeh si xhemat në xhami dhe se herën e dytë kur ka shkuar në Siri nga Prishtina, ka udhëtuar me Enisin deri në Hataj”, thuhet në aktgjykim.

Deklarata e Skënder Sylës është prova e vetme që përmendet në aktgjykimin me të cilin Begolli u dënua me katër vite burg. Por, të paktën në një rast Syla raportohet se ka hedhur dyshime mbi dëshminë e tij, duke thënë në gjykatë se me Begollin në fakt kishte shkuar deri në Stamboll e jo Hataj.

Gjithashtu, edhe pse Syla kishe deklaruar se ai kishte shkuar në Turqi së bashku me Begollin, ai asnjëherë nuk kishte thënë se ata së bashku kishin shkuar në Siri. Gjithashtu, në aktakuzë, prokuroria e ndërpret tregimin e saj në qytetin Hataj në kufi me Sirinë dhe nuk ofron prova apo dëshmi të tjera që e vazhdojnë udhëtimin e të pandehurit deri në kampet e ISIS-it.

Gazeta Jeta në Kosovë ka parë dhjetëra aktakuza dhe aktgjykime të cilat paraqesin prova të dobëta ndaj personave që akuzohen se kanë marrë pjesë në organizata terroriste në konfliktin në Siri, ndërsa në disa raste, pjesë të pretendimeve të prokurorisë kanë rezultuar inekzistente.

Lufta e Kosovës Kundër Terrorit Shndërrohet në Farsë

Begolli thotë se nuk e di se çfarë e pret në ditët që vijnë. Disa vena të holla të kuqe i përshkojnë syrin e majtë. Ai thotë se nuk sheh mirë me atë sy dhe se problemet me shikimin i kanë filluar në paraburgim, kohë gjatë së cilës kishte pasur edhe një stres të madh psikologjik.

“Kam kërku disa herë psikolog [në paraburgim] me shfaq problemet e mia por më kanë thënë se nuk kishte”, thotë Begolli. Ai shton se edhe pse aktualisht ndjehet shumë i rënduar emocionalisht, nuk ka shkuar të takojë një psikolog, nuk ka takuar as një mjek për problemet me shikimin.

Në pritje të shpalljes së datës së gjykimit në apel, Begolli i cili ka kryer një shkollë të mesme teknike dhe është saldues me profesion, thotë se vazhdimisht ka kërkuar punë, por orvatjet e tij kanë rezultuar të kota. “Çdo ditë mundohem për punë, kam dërgu CV-në time në disa kompani, por nuk marr përgjigje pozitive”. Ai thotë se ngaqë është i akuzuar për pjesëmarrje në një organizatë terroriste, askush nuk dëshiron ta marrë në punë, duke thënë se “kjo është e vetmja arsye”.

Begolli tregon se aktakuza ndaj tij u bë shkak që të divorcohet nga e shoqja. “Bashkë kemi një djalë dhe në vitin 2015 shteti vendosi me ia lënë ish-bashkëshortes”. Në fillim të muajit nëntor, ai thotë se pati probleme edhe me prindërit, çka shkaktoi që ai të mos jetonte më me familjen.

Ai beson që këto konflikte brenda familjes kanë ardhur nga varfëria dhe fakti që ai nuk mundet të gjejë punë dhe t’i përballojë shpenzimet e veta. Thotë se aktualisht ka gjetur strehim të përkohshëm dhe mundësi sa për të mbajtur frymën gjallë nga persona të afërm. “Jam i shkatërrum plotësisht, një fëmijë ma lanë pa prind, jam pa punë dhe nuk më ka mbet asgjë”.

Nga ana tjetër, ai është i vendosur që t’i shkojë deri në fund kërkimit të pafajësisë.

“Shpresoj dhe insistoj me shku në apel. Nëse janë sadopak të drejtë, pres të japin vendim pozitiv ndaj meje, që të rrëzohet kjo aktakuzë”, thotë Begolli. Por pranon se pavarësisht provave të dobëta ndaj tij, ndihet i pasigurt për të ardhmen. “Kam frikë prapë se po më çojnë në burg”.

Dy të Rinjtë që u Dënuan nga Deklaratat Kërkojnë Lirinë në Apel

Ai tregon se gjatë muajit të fundit, zyrtarë të antiterrorit e kanë intervistuar në lidhje me qëndrimin e tij në Francë. “Më pyetën për Francën se gjoja mos po paraqes unë kërcënim. Por jo mor burrë, se nuk jam kërcënim i kërkujt. Unë Francën e du se kam ndejt më shumë se tre vjet atje dhe [shteti francez] më ka ndihmu me gjithçka. Nuk jam, nuk kam qenë, as kam me qenë kurrë kundër tyre e as kundër vendit tim, abolutisht”.

I pyetur se nëse do të ishte kthyer në Kosovë, po ta dinte se çfarë e priste në vendin e tij, Begolli tund kokën dhe thotë “kurrë”. “Që prej asaj dite që kam shkel këtu më nuk kam pasë jetë”.

Nuk dihet sesa të akuzuar të tjerë për vepra që lidhen me terrorizmin – për dhjetëra prej të cilëve në aktakuzat e prokurorisë shkruhet se janë të gjendjes së dobët ekonomike – gjenden në situata të ngjashme.

Ndërsa autoritet e Kosovës kanë arrestuar e kanë ngritur aktakuza ndaj dhjetëra të dyshuarve për pjesëmarrje në grupe terroriste në Siri, Kosova ende nuk ka asnjë program në zbatim e sipër për rehabilitimin e luftëtarëve të kthyer, ndërsa disa programe të hartuara parashikohet të hyjnë në fuqi në fillim të viti që vjen.

Në raportin e tij vjetor për Kosovën, të publikuar këtë muaj, Komisioni Evropian shfaqi shqetësime për mangësitë e Kosovës në trajtimin e rasteve të ekstremizmit të dhunshëm, duke përmendur edhe mungesën e programeve të riintegrimit për luftëtarët e kthyer.

“Ka sfida sa i takon mungesës së programeve për çradikalizimin dhe riintegrimin, duke marrë parasysh numrin e lartë të qytetarëve të Kosovës që janë kthyer nga zonat e konfliktit”, thuhet në raport.

http://kallxo.com/raporti-progresit-kosova-nuk-ka-programe-te-cradikalizimit/