Sportistët dhe investimet në sport, peng të politikës

Sportistët e mëdhenj janë model për shumë njerëz. Sukseset e një sportisti të njohur mund të jenë udhërrëfyes për shumë të tjerë.

Rrëfimet e tyre mbi rrugën e suksesit shpeshherë janë bërë ‘ligje’ për t’u ndjekur nga të rinjtë.

Sukseset e një sportisti nuk janë vetëm të tij. Sukseset dhe dështimet e një sportisti janë të të gjithë njerëzve te të cilët ata kanë fituar simpatinë. Kjo është një nga sfidat më të mëdha të një sportisti. Ai nuk është krejtësisht i vetes.

Të jesh sportist nënkupton se duhesh të lidhesh nyje për hir të trofeut edhe me ata që ndoshta kurrë nuk ke menduar se mund t’i shohësh me sy.

Hiç më larg se para disa dekadave, në shumë vende të botës, grupet shoqërore kanë qenë të ndara në raca. Sot, sportistët e të gjitha grupeve shoqërore janë të lidhur nyje mes vete dhe kanë vetëm një dëshirë: suksesin.

Megjithatë sfidat e ndarjeve etnike, racore në sport nuk janë shuar krejtësisht. Ndonëse nëpër shtetet më demokratike të botës, rastet e tilla janë shumë të pakta, në shtetet e Ballkanit këto situata vazhdojnë të shfaqen.

Ende është i freskët incidenti i vitit 2014 në Beograd, ku për eliminatoret e kampionatit eoropian të futbollit 2016, u ballafaqua Serbia dhe Shqipëria. Rrahjet në mes lojtarëve, hyrja e tifozëve ishin parë si rrezik serioz për jetët e njerëzve në stadium.

Në Kosovë, përveç shqiptarëve, janë edhe 5 komunitete tjera që janë të njohura sipas Kushtetutës, por edhe komunitete tjera.

Disa prej këtyre komuniteteve janë integruar mirë në institucionet vendore, e disa kanë ngecur.

Mirëpo, në fushën e sportit, institucionet sportive në Kosovë thonë se janë ballafaquar me refuzime nga komuniteti serb në rrugën për integrime. Sipas tyre, e gjithë kjo për shkak të trysnisë politike.

Muaj më parë, në media qarkulloi lajmi se është formuar Federata e Futbollit të Kosovës e Metohisë.

Mirëpo UEFA dhe FIFA, dy organizatat kryesore europiane dhe botërore që merren me futbollin, e njohin vetëm Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK-në).

Sipas mediave, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës e Metohisë është zgjedhur Milan Radoiçiq. Ky i fundit është duke u kërkuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar në rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Eroll Salihu, sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës në një bisedë për BIRN-in tregon se kanë informacione për këtë iniciativë.

“Kohëve të fundit është zyrtarizuar një person që është i kërkuar nga ligji në Kosovë, kinse është emëruar në krye të federatës për Kosovën. Kjo është absurde. Për këtë e kemi njoftuar FIFA-n dhe UEFA-n”, thotë Salihu për BIRN, duke shtuar se në lidhje me këtë iniciativë është shprehur edhe sekretari i Federatës së Futbollit të Serbisë.

“Edhe sekretari gjeneral i Federatës serbe që tash është njeriu i tretë në UEFA, thotë që është e pakuptimtë. Kjo është përdorur vetëm për qëllime politike, për të sjellë destabilizim në veri. Me statutin e FIFA-s dhe UEFA-s, i vetmi organizëm që organizon gara është FFK”, thotë tutje Salihu.

Sipas tij, kjo federatë është një “absurd juridik e faktik”. “S’ka federatë paralele, sepse s’ka kurrfarë gare. Krejt kjo është një provokim politik”, thotë ai.

Lajmi se është krijuar një federatë e tillë e ka “detyruar” Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) të hulumtojë nëse ka tendenca të tilla edhe në sportet e tjera.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, thotë për BIRN se ka kërkuar nga federatat të shikojnë nëse ka organizime paralele edhe në sportet e tjera.

“Ne si KOK i kemi dërgu letër çdo federate që nëse kanë informacione për akte të tilla, t’i njoftojnë federatat ndërkombëtare sepse ato e njohin vetëm një federatë në një shtet”, thotë në mes tjerash Hasani.

“Përtej futbollit, s’kemi gjetur ndonjë informacion”, thotë tutje ai.

Ndërsa Komiteti Olimpik i Serbisë në përgjigje për BIRN, e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë.

Nga ky Komitet thonë për BIRN se vendimet i marrin federatat dhe jo ata si institucion, por nuk e përjashtojnë mundësinë që Federata e Futbollit Serb të ketë gisht në krijimin e federatës paralele.

“Në lidhje më këtë, të gjitha Federatat Sportive Kombëtare (nacionale) të Sporteve Olimpike, kanë kompetencë të plotë dhe të drejtën e marrjes së vendimeve për bashkimin dhe organizimin brenda një sporti të tyre të përbashkët, në tërë territorin e Republikës së Serbisë, duke përfshirë edhe Kosovën dhe Metohinë”, thuhet në përgjigjet e Komitetit Olimpik të Serbisë për BIRN.

BIRN i ka shkruar edhe Federatës së Futbollit të Serbisë, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Në Komitetin Olimpik të Kosovës ekziston edhe Federata e Sporteve Shkollore. Kjo federatë organizon gara të ndryshme me shkollat e mesme të ulëta dhe ato të larta për disa sporte.

Mirëpo, kjo federatë nuk është e shtrirë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Këtë e pranon edhe vet, kryetari i kësaj federate, Adrian Telaku.

Ai në një bisedë për BIRN thotë se në disa komuna, ku shumica janë joshqiptarë, tashmë i kanë krijuar shoqatat e federatës, mirëpo thotë se ka ende punë.

“Për pjesën nga Prizreni, ku janë komuniteti turk dhe pjesa e Dragashit, ku janë komuniteti goran, ne si federatë organizojmë aktivitete”, tha Telaku për BIRN.

Ai tutje thotë se shumë shpejt do të provojnë të themelojnë shoqata edhe në komunat tjera.

“Ne ende nuk kemi provuar edhe në komunat tjera ku shumica janë minoritete, por shumë shpejt do të tentojmë të themelojmë shoqatën në komunën e Mamushës dhe do të provojmë edhe në Graçanicë”.

“Ne presim që në komunë të Graçanicës të themelojmë shoqatën, sepse është në interes të nxënësve/fëmijëve”, tha Telaku për BIRN.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës është kthyer në 2016, duke kujtuar lojërat olimpike të Rios. Ai kujton se gjatë asaj kohe i kanë bërë ftesë një sportisti/çiklisti të komunitetit serb, që ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike.

“Një çiklist ka qenë i interesuar me ardhë në Lojërat Olimpike në Rio. Ai ka qenë nga Shtërpca dhe ka qenë sportist i mirë. Unë kam biseduar me të edhe disa herë edhe me nënën e tij. I kam treguar se ai do të trajtohet njëjtë si çdo sportist tjetër, që sportistët do të kenë bursa olimpike. U pa një entuziazëm nga ta edhe interesimi ishte mjaft i madh por thanë që duhet të konsultohen. Si duket u konsultuan me njerëz të gabuar dhe nuk e patën kurajën”, rrëfen Hasani për BIRN.

Një prej ëndrrave më të mëdha të një sportisti është pjesëmarrja në lojërat olimpike.

“Marrja pjesë në lojëra olimpike ia ndërron jetën çdo sportisti. E nëse edhe Rio s’ka qenë atraktive për të, kjo tregon se ata kanë pasur një presion jashtëzakonisht të madh”, thotë Hasani.

BIRN ka provuar të kontaktojë me sportistin në fjalë, por s’ka arritur të bjerë në kontakt.

Prej gjithë kësaj katrahure politike në Kosovë dhe Serbi, janë të rinjtë ata që po dëmtohen.

Për shkak të kundërshtimeve të mëdha të Serbisë, sportistët kosovarë deri para disa viteve nuk kishin arritur të merrnin pjesë në gara ndërkombëtare.

Ndërsa sot, për shkak të trysnive politike, shumë të rinj i varin ëndrrat e tyre.

Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit “Shtëpia ime, të drejtat e mia”, implementuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe mbështetur nga UNMIK (Confidence Building Measures Project-CBMP). Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autores/it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i UNMIK-ut ose AGK-së.