Pezullohet Përzgjedhja e Anëtarëve të ZRrE-së

Ky organ aktualisht ka vetëm 2 anëtarë në bord, të pamjaftueshëm për të bërë kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime.

Pezullimi i procedurës së rekrutimit është bërë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme.

Kompletimi i këtij bordi do të mund të bëhet vetëm pasi të bëhet funksional Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili duhet të votojë me shumicë votash për emrat e propozuar nga Qeveria.

Zyra e  Rregullatorit për Energji është organ i pavarur, i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në Sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin, në pajtim me detyrimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Bordi i ZRRE-së, në bazë të ligjit, duhet t’i ketë 5 anëtarë, ku njëri nga ta është kryesues i bordit.

Adelina Murtezaj-Bajrami, zëdhënëse e ZRrE-së, tha se ky organ po pret që procedurat e përzgjedhjes së bordit të shkojnë me rregull për të mos afektuar sferën e energjisë ku duhen vendimet e këtij organi.

“Duke parashikuar vonesat e mundshme për emërimet e anëtarëve të rinj, Bordi ka punuar me intensitet të shtuar dhe ka mbajtur tetë (8) takime që nga fillimi i vitit deri më 10 maj. Aktualisht nuk ka ndonjë vendim që do të afektonte sektorin dhe ZRRE pret që rrjedha e procesit të emërimit të anëtarëve të shkojë si duhet, në mënyrë që Bordi të kompletohet para fillimit të proceseve, për të cilat është e nevojshme vendimmarrja e Bordit të ZRRE”, tha zëdhënësja për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

Në anën, tjetër sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, konkursi për anëtarë të bordit është shpallur më 14 mars, mirëpo procedurat janë pezulluar për shkak se tani kemi një qeveri në dorëheqje.

“Ne bashkëpunim me partnerët mbështetës Prism Work Psychology dhe anëtarët e komisionit janë dakorduar që takimi i parë për shqyrtimin e aplikacioneve dhe krijimin e listës së ngushtë të kandidatëve është caktuar te mbahet me datën 22/05/2017  duke filluar nga ora 9:00 ne lokalet e MZhE. Mirëpo, duke pas parasysh zhvillimet e fundit ne Qeveri (Qeveria në dorëheqje) dhe në Kuvendin e Kosovës (i shpërberë), takimi nuk është mbajtur dhe procesi i rekrutimit është pezulluar”, thotë Divizioni për Komunikim Publik i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZhE).

Bordi i ZRrE-së, tani për tani është edhe pa kryesues për shkak se kryesuesit të tanishëm, Krenar Bujupit, i ka skaduar mandati më 15 maj.

Edhe për këtë çështje zyrtarët e MZhE-së thonë se kanë dërguar një propozim-vendim për riemërim të Krenar Bujupit si kryesues të bordit.

“MZHE në afatin e paraparë, ka dërguar në Qeveri propozim-vendimin për rend dite të mbledhjes së Qeverisë, për riemërimin e z. Krenar Bujupi si anëtar/kryesues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Ky propozim-vendim mbetet të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet propozimi për riemërim në Kuvend, pasi që Kuvendi është organi që emëron anëtarët e ZRRE sipas nenit 5 të Ligjit të Rregullatorit të Energjisë”, thuhet në përgjigjen e MZhE-së për “Gazetën JnK”.

Rreth pezullimit të zgjedhjes së anëtarëve dhe kryesuesit të bordit të ZRrE-së, ka reaguar Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).

Sipas KOSID, arsyetimi i MZhE-së për pezullimin e këtij konkursi është i paarsyeshëm meqenëse Qeveria në largim nuk do duhej të kishte ndikim mbi përzgjedhjen e këtij bordi.

“I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të procedojnë me përzgjedhjen e kandidatëve ashtu siç ishte paraparë. Duhet potencuar se nuk ka kornizë ligjore që e ndalon Qeverinë në largim për t’i vazhduar këto procese meqë stafi që merret me këto intervistime të kandidatëve dhe procedura të tjera është staf civil dhe jo politik”, thuhet në reagimin e KOSID-it.

Ky bashkim organizatash gjithashtu ka shprehur shqetësim se vonesa e përzgjedhjes së këtij bordi mund të pezullojë edhe procese të rëndësishme ku është i nevojshëm vendimmarrja e ZRrE-së.

“Kërkesën tonë e arsyetojmë për shkak të shqetësimit për mundësinë e pezullimit të punës së ZRrE-së si rregullator në sektorin e energjisë. Vonimi i procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të ZRrE-së do të çojë në zvarritjen e mëtutjeshme të çështjeve, për të cilat ZRrE është kompetente”, thuhet tutje në reagim.

Ndryshe, President i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 10 maj të këtij viti.

http://kallxo.com/presidenti-shperben-kuvendin/

Këtë vendim Presidenti e kishte marrë pak orë pasi Kuvendi e rrëzoi Qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa.

http://kallxo.com/kuvendi-rrezoi-qeverine-mustafa/