Grafika: Trembelat për KALLXO.com

Ndryshimet kozmetike të Ligjit që i lë gratë pa prona

Për më shumë se 14 vjet, prona e lënë nga trashëgimlënësit në Kosovë është trashëguar në përputhje me një ligj që ishte nxjerrë në kohën e UNMIK-ut. Ky ligj që vazhdon të jetë ende në zbatim, ndërsa edhe si rezultat i këtij ligji, në Kosovë vetëm 16 % e pronave të paluajtshme të regjistruara janë në emër të grave dhe vajzave.

Duke parë këto shifra dhe gjendjen në terren në rastet e shqyrtimit të trashëgimisë, ku nuk janë të pakta betejat ligjore shumë vjeçare grave dhe vajzave për të fituar pronën, Ministria e Drejtësisë para dy viteve kishte iniciuar plotësim ndryshimin e Ligjit për Trashëgiminë.

Ky Ligj i cili është ligji bazik për të drejtën trashëgimore, ka jo më shume se 10 nene, ndërsa ndryshimet përmbajtjesore që ofron ky ligj janë edhe më minore.

BIRN dhe Internews Kosova kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës rekomandime me të cilat synohet që përmes plotësimit dhe ndryshimit të bazës ligjore që rregullon procedurat e trashëgimisë, ndjeshëm të përmirësohet pozita e gruas në procedurat trashëgimore me qëllim të krijimit të parakushteve dhe lehtësimin e procedurave për grave që të trashëgojnë.

Është e qartë që legjislacioni në zbatim që rregullon këtë fushë nuk është faktori i vetëm që privon dhe pengon gratë nga realizimi i të drejtësisë tyre në pronë, megjithatë, në fokus të kësaj analize është vetëm ndryshimi i bazës ligjore.

Projektligji i ri që nuk zgjidh problemet e vjetra

Padyshim se kur përmenden problemet e grave dhe vajzave për të realizuar të drejtën e tyre në pronë, na vjen në mendje rasti i Shyhrete Berishës, një rast ky simbol i grave që ndonëse kërkojnë të drejtën e tyre në pronë, hasi në vështirësi të mëdha për të realizuar atë.

Shyhrete Berisha, një grua nga Suhareka e cila i kishte mbijetuar luftës e cila ja morri bashkëshortin dhe katër fëmijët ndërsa paslufta e ballafaqoi me një betejë tjetër.

Shyhretja u implikua në një betejë ligjore me kunatin e saj në lidhje me pronësinë e shtëpisë ku Shyhretja kishte jetuar me burrin dhe fëmijët e saj para se t’i vriteshin në luftë.

Ndonëse beteja ligjore e Shyhretes e nisur në vitin 2001 përfundoi në shkallë të parë vitin 2017 dhe Shyhretes ju njoh e drejta në gjysmën e shtëpisë dhe e pronës, rastet e tilla mund të përsëriten në vazhdimësi me rregullimin siç e përcakton Ligji aktual për Trashëgiminë.

Neni 13 i këtij ligji përcakton të drejtën e përfaqësimit.

13.1. Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, në vend të tij hyjnë me zëvendësim fëmijët e tij, e kur edhe të paslindurit për shkaqet e parapara me Ligj nuk mund të jenë trashëgimtarë, hyjnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim.

Kjo dispozitë me këtë përcaktim përjashton bashkëshortin pasjetues (në të shumtën e rasteve gruan), nëse bashkëshorti tjetër fëmijë i trashëgimlënësit ka vdekur para trashëgimlënësit në emër të cilit është prona.

Pra për ta konkretizuar më tej, një çift i martuar i cili kanë jetuar disa vjet dhe i cili nuk ka fëmijë, në ndërkohë vdes burri ndërsa pasuria është në emrin e vjehrrit, në këtë rast gruaja sipas legjislacionit në zbatim në Kosovë, nuk mund të trashëgojë atë që do të trashëgonte burri i saj po të ishte gjallë.

BIRN qysh nga fillimi ka rekomanduar që e drejta e përfaqësimit përveç fëmijëve, t’i njihet edhe bashkëshortit pasjetues dhe ky nen të riformulohet si në vijim:

13.1. Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, në vend të tij hyjnë me zëvendësim BASHKËSHORTI dhe fëmijët e tij, e kur edhe të paslindurit për shkaqet e parapara me Ligj nuk mund të jenë trashëgimtarë, hyjnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim. 

Kjo çështje ndonëse e një rëndësie të veçantë, me të cilën do të evitoheshin një sërë problemesh nuk është trajtuar fare me projekt ligjin e ri që synon të plotësoj dhe ndryshoj Ligjin aktual për Trashëgiminë.

Rekomandim tjetër i dhënë nga BIRN në lidhje me Ligjin për Trashëgiminë është edhe ai që ka të bëjë me nenin 114, përkatësisht me pikën c) të këtij neni.

Ky nen përcakton rastet kur dikush mund të përjashtohet nga trashëgimia ndërsa në pikën c) përcaktohet si në vijim:

  1. c) Në qoftë se është plëngprishës, nuk do të punojë ose është dhënë pas jetesës së pandershme

Një dispozitë e tillë nuk është trajtuar fare me Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Trashëgiminë edhe pse si e tillë.

Kjo dispozitë në veçanti mund tu hapë rrugë burrave që mund të akuzojnë gratë dhe vajzat për jetë të pandershme dhe rrjedhimisht t’i përjashtojnë nga trashëgimia duke u thirrur në një dispozitë e cila është e pamatshme.

Cili është autoritetit që e përcakton “pandershmërinë”, sa duhet të jetë pandershmëria për tu përjashtuar, çka në esencë është pandershmëria?

Asnjërës prej këtyre pyetjeve nuk u është dhënë përgjigje në Projektligjin e ri. Madje as nuk është trajtuar fare kjo pjesë.

BIRN ka rekomanduar fshirjen e tërësishme të kësaj pjese nga Ligji për Trashëgiminë.

Heqja e heqjes dorë nga trashëgimia

Raporti i BIRN për të drejtat pronësore të grave i cili u publikua në vitin 2016 gjeti se vetëm 16 % e pronave të regjistruara janë në emër të grave dhe vajzave.

Ndërsa një raport i USAID ka gjetur se vetëm 7.5 % e grave dhe vajzave trashëgojnë pronë.

Deri tek një numër kaq i vogël i grave dhe vajzave që trashëgojnë dhe kanë prona vjen për shkak të shumë faktorëve por më i përmenduri dhe evidenti është fakti se shumica e grave dhe vajzave në procedurat e trashëgimisë heqin dorë nga e drejta e tyre në favor të trashëgimtarëve burra.

Në këtë drejtim vazhdimisht ka pasur rekomandime për gjetjen e një mënyre që do të zvogëlonte numrin e grave që heqin dorë nga trashëgimia dhe fitojnë të drejtën e tyre në pronë por nuk ka pasur asnjë rezultat deri më tani.

Madje, aq larg ka shkuar përpjekja për të përmirësuar këtë të dhënë saqë nga disa segmente të shoqërisë civile është rekomanduar edhe ndalimi i heqjes dorë nga trashëgimia.

Në këtë drejtim, BIRN nuk e ka gjetur të mbështetshme këtë iniciativë për faktin se do të binte ndesh me parimet bazë të së drejtës civile që është e drejtë që vihet në lëvizje në bazë të shprehjes së vullnetit të lirë të palëve.

Gjithashtu, heqja e heqjes dorë nga trashëgimia do të mund të krijonte ndërlikime dhe kosto shtesë me anë të kontratave të dhuratës apo kontratave tjera me të cilat do të mund të disponohej pasuria e trashëguar.

Në anën tjetër, ndalimi i heqjes dorë nga trashëgimia do të mund të rezultonte me fuqizimin e rolit të gruas në ekonomi, do t’i krijonte grave dhe vajzave mundësi të reja për të marrë obligime financiare dhe më e rëndësishmja përderisa tek heqja dorë nga trashëgimia nuk mund të ketë kthim prapa, nëse gratë dhe vajzat do të obligoheshin të pranonin trashëgimin dhe ta dhuronin atë pastaj me kontratë të dhuratës, ky dhurim do të mund të revokohej në raste të caktuara me ligj.

BIRN duke pasur parasysh të gjitha këto argumente pro dhe contra heqjes së heqjes dorë nga trashëgimia, dhe sidomos duke ditur që sipas të drejtës trashëgimore trashëgohen të drejtat dhe detyrimet, një situatë ku gratë dhe vajzat do të obligoheshin të trashëgonin, përderisa ato do t’i dhuronin të drejtat e tyre, detyrimet do tu mbeteshin dhe kjo do të rëndonte edhe më tej pozitën e tyre.

BIRN përfundimisht nuk e ka mbështetur këtë propozim por ka ftuar që të gjenden modalitete të cilat të do të siguronin se vullneti për të trashëguar apo jo po shprehet në mënyrë të drejtë, i pa forcuar dhe pa lajthitje.

Të gjitha këto çështje, projektligji 10 nenesh i Ministrisë së Drejtësisë nuk i ka trajtuar as sipërfaqësisht duke i injoruar në tërësi problemet e evidentuara nga disa raporte në lidhje me të drejtat pronësore të grave.

Edhe pse vetë iniciativa për ndryshim plotësimin e këtij ligji synonte që të përmirësonte kushtet që gratë dhe vajzat të trashëgojnë, ky projektligj as për së afërmi nuk e arsyeton qëllimin e nisjes së tij.

Krejt çfarë është propozuar të ndryshohet përmes këtij projektligji është zvogëlimi i afatit për njohjen e të drejtës për të trashëguar bashkësisë jashtëmartesore nga 10 në 5 vjet respektivisht nga 5 vjet në 3 vjet në rastet kur bashkëshortët jashtëmartesor kanë fëmijë.

Gjithashtu, projektligji i ri ka paraparë që në rastet kur trashëgimtarët janë të mitur, për të hequr dorë nga trashëgimia nevojitet leja e organit të kujdestarisë.

Ndryshimet tjera janë tejet sipërfaqësore dhe thjeshtë gabime teknike e gjuhësor pa ndonjë ndikim të rëndësishëm ndërsa edhe pse në projektligj është paraparë që rastet e trashëgimisë të trajtohen vetëm nga noteri, kjo çështje mbetet për tu vendosur në trajtimi e Projektligjit për Procedurën Jo-kontesimore.

BIRN do të kërkoj edhe në vazhdim që projektligji të plotësohet me ndryshimet e nevojshme qoftë nga propozuesi i këtij projektligji e që është Ministria e Drejtësisë por edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës përmes rekomandimeve të mëtejme dhe pjesëmarrjes në grupet punues të Komisionit për Legjislacion, me qëllimin e vetëm ofrimin e një baze ligjore solide që u mundëson grave dhe vajzave të trashëgojnë.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga seancat gjyqësore të grave që kërkojnë të drejtën e tyre në pronë, ndërsa emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ka shfaqur disa emisione duke evidentuar vështirësitë që hasin gratë për të realizuar të drejtën e tyre në pronë.