Më në fund bëhet me kuorum Kryesia e Kuvendit, vendos për seancën e radhës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të hënën më 13 dhjetor. Kësaj radhe, Kryesia kishte kuorumin e mjaftueshëm që të marrë vendime.

Abelard Tahiri shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se diskutimet në Kryesi ishin për pikat e rëndomta për seancën e radhës.

“Jemi dakordu që në një të ardhme të afërt t’i nxjerrim për votim anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe shpresojmë që kësaj here duke e ditë që gjykata funksionon në limitet e saj, shpresoj që të gjejmë dakordim dhe t’i plotësojmë vendet vakante”, tha Tahiri.

Edhe Besnik Tahiri kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se si grup janë të kënaqur që në seancën e radhës do të diskutohet çështja e pagave të sektorit publik.

“Ky debat po vjen në kohën e duhur. Para miratimit të buxhetit do të ndodhë më 22 dhjetor dhe shpresojmë që ky debat përmes një rezolute që ne do të ngrisim nëpërmes amandamentit që ne e kemi bërë për pagat në sektorin publik të realizohet”, tha Tahiri.

Ai shtoi se AAK ka propozuar amendamentin prej 85 milionë eurove dhe shprehet i bindur do t’i përgjigjet ligjit të pagave dhe ngritjen e tyre për sektorin publik.

“Qëllimi nuk është me targetu qeverinë që dështoj ta sjell ligjin e pagave ashtu siç ka vendos në agjendën legjislative më 29 tetor 2021. Ne nuk po dëshirojmë të përfitojmë në këtë aspekt, qëllimi është që ligji të miratohet e kemi një momentum të mirë të debatit ku seanca mund ta merr një rezolutë që e obligon qeverinë që të miratoj amendamentin prej 85 milionë që deri më 1 mars të hyj në funksion”, tha Tahiri.

Kryesia ka arritur të ketë kuorum të mjaftueshëm në këtë mbledhje, e sallën nuk e lëshoi siç bënte zakonisht nënkryetari i Kuvendit nga Lista Serbe Slavko Simiq. Në mbledhje të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, nënkryetari i Kuvendit nga Lidhja Demokratike e Kosovës Kujtim Shala.