‘Krejt mbrapsht’, bie punësimi e rritet papunësia

Numri i njerëzve të punësuar në Kosovë ka rënë në periudhën janar-mars të vitit 2019 krahasuar me periudhën e njëjtë vitit 2018. Më pak të punësuar kishte në fillim të vitit 2019 edhe nëse si periudhë krahasuese merret tremujori i fundit (tetor-dhjetor) 2018.

Por, krahasimi i periudhave të njëjta të vitit është i nevojshëm në statistikat për shkallën punësimet për shkak të punësimeve sezonale.

Në tremujorin e parë të vitit 2019 (TM1 2019) nga e gjithë popullsia në moshë pune, 28.2% ishin të punësuar apo 341,014 persona të punësuar.

Numri i të punësuarve në TM1 të vitit 2018 ishte 28.8 për qind e personave në moshë pune, apo 342 mijë e 368 persona të punësuar. Pra, në periudhën Janar-mars 2019 kemi 1 mijë e 354 persona më pak të punësuar në Kosovë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Kurse, në periudhën janar-mars 2019 krahasuar me periudhën tetor- dhjetor 2018 (TM4 2018), kemi 7 mijë e 981 persona më pak të punësuar. Në TM4 kemi pasur 348 mijë e 995 persona të punësuar apo shprehur në përqindje 28.8 për qind.

Përkundër fakti që në TM1 2019 kemi pasur 7 mijë e 981 të punësuar më pak se sa në TM4 2018, ASK-ja thotë se në të njëjtën kohë kemi pasur edhe rënie të papunësisë.

Në tremujori i parë të vitit 2019 kemi pasur 125 mijë e 717 persona të papunë. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019 (janar-mars, 2018), ky numër është më i lartë për 2 mijë e 253 persona, pasi të punësuar ishin 123 mije e 464 persona.

Por, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave numri i të papunëve ka rënë dukshëm në periudhën janar-mars 2019 krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2018 (tetor-dhjetor).

Të dhënat thonë se numri i të pa punëve ka rënë për 33 mijë 977 persona, pasi në tremujorin e katërt 2018-të numri i të pa punëve ishte 159 mijë e 694 persona krahasuar me 125,717 sa ishin në TM1 2019.

Kjo anomali statistikor, kur kemi të rënie të punësimit dhe papunësisë, është mundësuar falë rritjes së numrit të personave joaktivë, ata që nuk janë të punësuar dhe as të papunë. Në mesin e personave joaktivë, përveç personave që nuk janë të gatshëm të punojnë apo nuk kanë kërkuar punë në 4 javen e fundit (para anketës), anë edhe personat e dekurajuar.

“Punonjës të dekurajuar janë personat që nuk kanë punë, të cilët aktualisht janë të gatshëm për punë, por që kanë hequr dorë së kërkuari punë sepse besojnë se nuk mund të gjejnë punë. Kjo kategori e personave të dekurajuar përfshihen në kategorinë e popullsisë joaktive”, thuhet në shpjegimin e ASK-së.

Personat aktiv në kërkim të një vendi pune në tremujorin e parë të sivjetmë ishte 466 mijë e 731 persona. Ky numër është më i lartë për 899 persona në krahasim me periudhën e njëjtë të 2018-ës dhe më i ulët për 41 mijë e 958 persona në raport me tremujorin paraprak. Në bazë të këtyre të dhënave del që papunësia është ulur për shkak se të papunët janë dekurajuar duke mos arrit me siguru një vend pune.

Në tremujorin janar-mars të 2018-ës, numri i persona aktiv në kërkim të punës ishte 465 mijë e 832 përderisa në tre muajt e fundit të vitit 2018-të ishte 508 mijë e 689 persona.

 

E numri i personave që nuk “grithën” për një vend pune, ka shënuar rritje. Nga 740 mijë e 486 persona sa janë evidentuar në tremujorin që shkoi, ky numër është rrit për 18 mijë e 172 persona. Ndërsa në raport me tre muajt tetor-dhjetor 2018-të, ky numër është më i lartë për 38 mijë e 579 persona në raport me tre muajt paraprak.

Në tremujorin e parë të vitit 2018-të numri i personave jo aktiv ishte 722 mijë e 314, ndërsa në tre muajt tetor-dhjetor të po të njëjtit vit ishte 701 mijë e 907 persona.

Në tre muajt e parë të këtij viti, një rritje e popullsisë në moshë punë vërehet në raport me tremujorin parakë  dhe periudhën e njëjtë të 2018-ës.

Punësimi me rënie, pjesa dërmuese me kontrata të përkohshme

Shkalla e punësimit ishte më e lartë për meshkuj se sa për femra: 43 për qind të meshkujve në moshë pune ishin të punësuar krahasuar me 13.3 % të femrave po ashtu në moshë pune.

Pjesa më e madhe e të punësuarve është e nivelit arsimorë të mesëm profesional që numëron mbi 154 mijë të punësuar për tu renditur më pas të punësuarit me kualifikim terciarë.

Mbi 60 për qind e të punësuarve kanë kontrata të përkohshme një vjeçare

“Nga personat, që kishin kontratë pune, vetëm 39.1 % kishin një kontratë të përhershme për punën e tyre kryesore, ndërsa 60.9% kishin kontrata të përkohshme. Shifrat janë të ngjashme për meshkujt dhe femrat. Personat, që kishin kontrata të përkohshme, u pyetën se pse ata kishin këtë lloj kontrate dhe 95.5% e të intervistuarve raportuan se nuk kishte asnjë lloj tjetër kontrate në dispozicion“, thuhet në anketën e ASK-së.

Sa u përket sektorëve që janë duke kontribuar në punësim, të dhënat thonë se tregtia, ndërtimtaria dhe arsimi kanë më së shumti punësuar.

“Tregtia, ndërtimtaria, arsimi dhe prodhimi punësonin më shumë se gjysmën e personave të punësuar në tremujorin e parë të vitit 2019 (tabelat 1.8 dhe 1.9). Tregtia punësonte 16.5%, duke vazhduar me ndërtimtarinë me 11.5%, arsimi me 11.2 % dhe prodhimin me 11.0%, të personave të punësuar në Kosovë”, thuhet në anketën e ASK-së.

Në anën tjetër paga mesatare neto sillet në mes 300 e 400 euro.

Gazet Jeta në Kosovë ka shkruar dy muaj më parë se në Republikën e Kosovës, në vitin 2018, kemi pasur rënie të punësimit dhe papunësisë. Kjo ‘anomali’ statistikore është bërë e mundur për shkak se një numër i madh i personave kanë dalur nga tregu i punës, pra nuk konsiderohen as të punësuar e as të papunë.

Bie punësimi dhe papunësia