Ushtar sirian me kundërgaz dhe veshje mbrojtëse sovjetike duke mbajtur një Kallashnikov model 56 | Foto: Wikicommons
Eksporti i Armëve në Lindjen e Mesme: Një Çështje e Ligjshmërisë
Që nga eskalimi i konfliktit sirian në 2012, armët po vërshojnë Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë, katër shtete që furnizojnë me armë konfliktet e vazhdueshme në Siri dhe Jemen.
Reporterë nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) gjetën që mes 2015 dhe prill 2016 eksporti i armëve dhe municioneve me vlerë së paku 1.2 miliard euro janë miratuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Ceke, Sllovakia, Serbia, dhe Rumania (linku i storjes rajonale).
Shumica e marrëveshjeve, në total prej 829 milionë euro, janë bërë me Arabinë Saudite.
Vendet e origjinës iu kanë dhënë eksportit të armëve licenca pavarësisht provave të shumta që shumë nga armët do të përfundojnë në Siri, ku edhe opozita e armatosur edhe grupet islamike akuzohen për abuzime të shumta.
Ekspertët e tregtisë së armëve dhe të të drejtave të njeriut thanë që devijimi i këtyre armëve dhe përdorimi i tyre nga grupe që dyshohen për kryerjen e krimeve të luftës ngritin pyetje për ligjshmërinë e tregtisë.
Patrick Wilcken, një hulumtues i tregtisë së armëve për Amnesty International, beson që provat e zbuluara nga BIRN dhe OCCRP tregojnë “devijimin sistematik të armëve te grupet e armatosura të akuzuara për shkelje serioze të të drejtave të njeriut”.
“Nëse kandodhur kështu, transportimet janë ilegale nën ATT (Traktati i Tregtisë së Armëve i OKB-së në 2014) dhe ligjeve tjera ndërkombëtare dhe duhet të pushojë menjëherë,” tha ai.
Një sistem me të meta
Tregtia globale e armëve është e rregulluar me tre shtresa legjislacionesh të ndërlidhura – kombëtare, të Bashkimit Evropian (BE), dhe ndërkombëtare – por nuk ka ndonjë mekanizëm formal që i dënon ata që e shkelin ligjin.
Përtej ndalesës së eksportit në shtetet nën embargo, çdo kërkesë për licencë duhet të trajtohet individualisht. Si rezultat, ligjshmëria e miratimit varet nëse shtetet kanë pasur kujdesin e duhur për disa çështje, duke përfshirë gjasat që armët do të devijohen dhe ndikimin që eksporti do të ketë në paqe dhe stabilitet.
Roy Isbister, një ekspert në ligjet e tregtisë së armëve në OJQ-në me seli në Londër, Saferworld, thekson që kujdesi i duhur nënkupton më shumë sesa thjesht të mbash një listë dhe të kryesh të gjitha gjërat në atë listë.
“Kujdesi i duhur i obligon shtetet që jo vetëm të mbledhin dokumente, por edhe t’i vlerësojnë ato dokumente. Dhe, vlerësimi i dokumenteve është vetëm një pjesë e një vlerësimi të rrezikut të eksportit,” tha ai.
“Shtetet që mbështeten në certifikata të përdoruesit dhe të tilla si arsyetim i mjaftueshëm për lëshimin e licencave nuk po i përmbushin obligimet e tyre ligjore.”
Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika e Çekisë, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Sllovakia kanë nënshkruar ATT-në, që hyri në fuqi në dhjetor 2014, dhe që liston masat që të parandalojnë tregtinë e paligjshme dhe devijimin e armëve.
Shtetet anëtare të BE-së gjithashtu qeverisen nga Pozita e Përbashkët në eksportin e armëve të 2008 që është ligjërisht e detyrueshme, që i kërkon çdo shteti të ketë parasysh tetë kritere kur u qasen aplikacioneve e licencave të eksportit të armëve, përfshirë edhe nëse shteti respekton të drejtat ndërkombëtare të njeriut, ruajtjen e “paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit” dhe rrezikun e devijimit.
Si pjesë e përpjekjeve për të hyrë në BE, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi i kanë pranuar tashmë masat dhe kanë ndryshuar ligjin e tyre kombëtar. Serbia është në proces të kryerjes së kësaj.
Në maj 2013, embargoja e armëve e BE-së në eksporte në Siri u largua, nën presionin e qeverive të Francës dhe Britanisë, që të lejojnë furnizimet të arrijnë te opozita siriane. Por, tri shtresat e ligjit mbetën në fuqi, duke i kërkuar shteteve të shkojnë përtej verifikimit të dokumenteve.
Eksportet e armëve në fillim vlerësohen në bazë të certifikatës së përdoruesit, një dokument kryesor i lëshuar nga qeveria e shtetit importues që garanton kush do t’i përdorë armët dhe që armët nuk janë për ri-eksportim.
Autoritetet në Evropën Qendrore dhe Lindore thanë për BIRN dhe OCCRP që ata gjithashtu kanë futur një kusht që i kërkon blerësit të marrë miratim nëse ata më vonë duan t’i eksportojnë mallrat.
Përtej këtyre kontrolleve fillestare, shteteve u kërkohet të bëjnë një gamë vlerësimesh tjera të rrezikut, edhe pse bisedat me, dhe deklaratat nga autoritetet zbulojnë pak prova për këto vlerësime.
Devijimet në Siri
Një numër i madh i eksporteve të armëve në Lindjen e Mesme po devijohen në Siri, sipas provave të mbledhura nga BIRN dhe OCCRP nga kontratat, raportet e OKB-së, dhe postimet në rrjete sociale që tregojnë armë të prodhuara në Evropën Lindore në përdorim në konflikte. (linku i storjes së rajonit)
Reporterët për BIRN dhe OCCRP morën kontrata saudite dhe certifikata përdorimi me tregtarë armësh serbë dhe sllovakë që detajojnë kërkesat për sasitë e mëdha të armëve të kohës së Bashkimit Sovjetik, Paktit të Varshavës dhe Jugosllavisë.
Eksperti i armëve Jeremy Binnie, redaktor për Lindjen e Mesme dhe Afrikën në Jane’s Defence Weekly, tregon që armët nga Evropa Qendrore dhe Lindore janë në masë të madhe në kundërshtim me pajisjet ushtarake të marra nga Perëndimi në Arabinë Saudite dhe me siguri do të devijojnë në Siri, ose, në një masë më të vogël, në Jemen ose Libi.
Neni 11 i ATT mbulon devijimin e armëve nga pranuesi i menduar, dhe i kërkon shteteve të marrin masa për ta parandaluar këtë.
Edhe pse Traktati thotë që shtetet mund ta ndalojnë eksportin në bazë të rrezikut të devijimit, nuk tregon se çka ato duhet të bëjnë. Shtetet që zbulojnë që eksportet e tyre janë devijuar duhet të ndërmarrin “masa të duhura” sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, sado që kjo nuk shpjegohet më tutje.
Pozita e Përbashkët e BE-së është më e qartë, dhe urdhëron që eksportuesit duhet të vlerësojnë “ekzistimin e rrezikut që teknologjia ose pajisjet ushtarake do të devijohen nga vendi blerës ose të ri-eksportohen nën kushte të padëshirueshme”.
Bodil Valero, një anëtare e Partisë së Gjelbër suedeze në Parlamentin Evropian që ishte raportuese për raportin e fundit të BE-së për eksportet e armëve, beson që vlerësimi i rrezikut nuk po bëhet si duhet. “Shtetet që po shesin armë në Arabinë Saudite ose në rajon [Lindja e Mesme – Afrika Veriore] nuk po bëjnë vlerësimet e duhura të rrezikut dhe, si rezultat, po shkelin ligjet kombëtare dhe të BE-së,” shpjegoi ajo.
Autoritetet licencuese në Kroaci, Sllovaki dhe Mal të Zi i thanë BIRN dhe OCCRP që ato mbështeten në verifikimin e dokumenteve si certifikata e përdoruesit kur miratojnë eksportet.
Në nëntor 2013, Serbia bllokoi eksportimin e armëve dhe municioneve me vlerë 20 milionë euro në Arabi Saudite në mes të shqetësimeve që nuk do të përdoreshin nga forcat e sigurisë të pajisura shtrenjtë të shtetit, por në fakt, do të përfundonin në Siri, sipas një raporti konfidencial nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë të cilin e kanë parë BIRN dhe OCCRP.
Dokumentet gjithashtu shfaqin frikën e ngritur që rruga e Beogradit drejt anëtarësimit në BE mund të pengohet dhe marrëdhënia me aleatin e gjatë Rusinë do të dëmtohej nëse marrëveshja do të vazhdonte.
Një vit më vonë, pas adaptimit të ATT, Serbia miratoi eksportimin e armëve dhe municioneve me vlerë 135 milionë euro në Arabinë Saudite.
I pyetur për ndryshimin e qëndrimit të Serbisë për eksportet, Stevan Nikceviq, sekretari i shtetit në Ministrinë e Tregtisë përgjegjës për miratimin e licencave të eksportit të armëve, tha që ministritë që e kishin bllokuar shitjen e mëhershme “nuk kishin të njëjtat shqetësime” tani.
Licencat e eksportit të armëve në Arabi Saudite u miratuan sepse ato do të kishin një “ndikim pozitiv” në “operimin e industrisë së mbrojtjes së Serbisë”, tha Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, një nga ministritë e konsultuara si pjesë e procesit të licencimit, në një përgjigje të shkruar për BIRN dhe OCCRP.
Ndërkohë që faktorët ekonomikë nuk mund të merren parasysh, Deputetja suedeze në Parlamentin Evropian Valero beson që ata kanë peshë në vendimet e marra nga shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
“Ata duan të kenë njerëz që punojnë në industrinë e armëve me punë, natyrisht,” tha ajo.
Një raport i të drejtave të njeriut të OKB-së, i publikuar në mars 2015, gjithashtu theksoi që Kroacia, pavarësisht obligimeve ndërkombëtare, po tregonte “një mungesë shqetësuese të shqetësimit për ri-transferimin dhe përdorimin e armëve në shtete duke përfshirë Sirinë dhe Irakun.”
Darko Kihaliq, kryetari i departamentit të licencimit të armëve në Ministrinë kroate të Ekonomisë, i tha BIRN dhe OCCRP që nuk kanë çka të bëjnë përpos verifikimit të dokumenteve.
Arabia Saudite nuk është një shtet në “listë të zezë”, tha ai, duke shtuar: “A ka keqpërdorime? Me siguri ka.”
Valero, ndërkohë, theksoi: “Në fund, është gjithmonë qeveria [eksportuese] që ka përgjegjësi. Ata e marrin vendimin dhe ata duhet të mbahen përgjegjës për këto vendime.”
Gjurmët e mizorive
Në nenin 6 të ATT, shitja e armëve dhe municioneve është e ndaluar nëse eksportuesi është paraprakisht në “dijeni” që këto do të përdoren në krime lufte ose në sulme të drejtuara te civilët.
Një opinion ligjor në shitjen e armëve britanike Arabisë Saudite, i përgatitur nga Dhomat e Matricës së Londrës në dhjetor 2015, shikoi se çka nënkupton “dijeni” në këtë situatë. Gjetën që neni 6 i ATT do të shkelej nëse eksportuesi “ishte në dijeni, ose normalisht duhet të kishte dijeni” që ato do të përdoreshin në sulme drejt “civilëve/objekteve civile ose në komision të krimeve të luftës”.
Neni 7 i kërkon qeverive të vlerësojnë rrezikun e armëve që përdoren për të kryer ose lehtësuar një shkelje të ligjit të humanitar ndërkombëtar ose një akt terrorist dhe nëse ata “do të dëmtojnë paqen dhe sigurinë”.
Nëse, pavarësisht masave lehtësuese, ka një “rrezik thelbësor për një nga pasojat negative” shitja duhet të bllokohet.
Ndërkohë që forcat besnike ndaj Presidentit sirian Bashar Al-Asaad dhe Shtetit Islamik njihen nga grupe si Human Rights Watch që kanë kryer krimet më të mëdha deri tani, grupe tjera opozitare islamike të moderuara të mbështetura nga SHBA dhe shtetet e Gjirit gjithashtu kanë qenë subjekt i pretendimeve serioze, duke përfshirë pretendime të krimeve të luftës.
Jaysh Al-Islam, një grup i fuqishëm islamik i mbështetur nga Arabia Saudite, besohet që ka kryer ekzekutime, sulme me armë kimike dhe që ka përdorur të burgosur si mburoja njerëzore, sipas raportimeve kredibile të shtypit dhe rasteve të dokumentuara nga Human Rights Watch.
Në maj 2016, Amnesty International akuzoi Fatah Halab, një aleancë luftëtarësh në Aleppo duke përfshirë të moderuar të mbështetur nga perëndimi dhe islamistë të mbështetur nga Arabia Saudite që së voni ka pranuar armë të rënda serbe, për “sulme të shpeshta që mund të përmblidhen në krime lufte” kundër një lagje kurde.
Magdalena Mughrabi nga programi i Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore të Amnesty International, bëri u thirrje Turqisë, shteteve të Gjirit dhe “mbështetësve tjerë” të ndalojnë transportimet e armëve te rebelët.
Forcat e moderuara nën ombrellën e Ushtrisë së Lirë Siriane, që kanë pranuar pajisje ushtarake nga SHBA, janë implikuar në abuzime të të drejtave të njeriut, duke përfshirë bombardime me artileri në zona civile dhe duke shënjestruar zyra civile me një raketa-hedhëse jugosllave M79, sipas Human Rights Watch.
Shënjestrimi i zonave dhe pronave të civilëve janë të dyja arsye për të bllokuar marrëveshje të eksportit të armëve nën nenin 6 të ATT.
Ky lloj i armës është pjesë e një grumbull armësh të transportuara në Jordani në 2012 dhe 2013 dhe pastaj janë bartura në Siri.
“Nuk besoj që dikush po lufton pastër në Siri në këtë moment,” tha Hadeel Al-Shalchi, një hulumtues dhe ekspert për konfliktin sirian në Human Rights Watch.
“Në anën e qeverisë [ka] sulme ajrore në spitale, tregje, zona të mëdha civile. Dhe në anën e grupeve opozitare të armatosura, ata hedhin mortaja, raketa të prodhuara në vend, artileri…në zona si qyteti i Aleppos.”
Mughrabi nga Amnesty shtoi që: “Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet t’i mbyll sytë ndaj dëshmive të shumta të krimeve të luftës nga grupet opozitare të armatosura në Siri. Fakti që shkalla e krimeve të luftës nga forcat e qeverisë është më e madhe nuk është arsye për tolerimin e shkeljeve serioze nga opozita.”
Rruga përpara
Ndërkohë që një mekanizëm formal i sanksioneve nuk ekziston për të dënuar shtetet që nuk përfillin obligimet e tyre ndërkombëtare, Valero argumenton që organizatat jo qeveritare dhe individët duhet të ndërmarrin veprime ligjore kundër qeverive nëse ata besojnë se po shkelen ligjet e eksportit të armëve.
Në Angli, Fushata kundër Tregtisë së Armëve ka filluar një rishikim juridik kundër qeverisë britanike për eksportet e saj të vazhdueshme në Arabinë Saudite.
Ata pretendojnë që Departamenti i Biznesit, Inovacionit dhe Shkathtësive në Britani ka shkelur ligje të eksportit të armëve të shtetit, BE-së dhe ATT-së sepse ka një rrezik të qartë që këto armë mund të përdoren nga forcat saudite në Jemen në shkelje të ligjit humanitar ndërkombëtar.
Qeveria britanike argumenton që sistemi i eksporteve të armëve të saj është një nga më të fuqishmet në botë. Rasti është duke vazhduar.
Deputetja në Parlamentin Evropian Valero tha që nëse veprimi në gjykata kombëtare dështon, ekzistojnë edhe opsione tjera.
“Mendoj që këto shtete [Evropës Qendrore dhe Lindore] mund të dërgohen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë,” tha ajo.
Në mars të këtij viti, Holanda u bë shteti i parë i BE-së që ndaloi eksportimin e armëve në Arabinë Saudite, duke cituar ekzekutimet masive dhe vdekjet e civilëve në Jemen.