Ilustrimi: Jetë Dobranja për Kallxo.com

Amnezia kolektive e krimeve të luftës dhe iluzioni i  normalizimit të marrëdhënieve

Propozimi i amnistisë për krimet e luftës, si një shkop magjik për të siguruar një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, rrezikon kërkesën për drejtësi lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë, me një mospërfillje të pakuptimtë për viktimat dhe familjet e tyre.

 

Amnistia për krimet e kryera në territorin e Kosovës gjatë luftës po përflitet edhe një herë si një zgjidhje për finalizimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një propozim i tillë është bërë edhe më parë, dhe ka mbetur si një llogaritje e gabuar e natyrës së paqes dhe pajtimit të kërkuar nga njerëzit në Kosovë, me pandëshkueshmëri në raport me krimet e luftës e që bie në kundërshtim me vetë themelet mbi të cilat është ngritur shtetësia e Kosovës.

Shkeljet masive e të drejtave të njeriut nga institucionet e Serbisë përgjatë viteve 1990 rezultuan në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, dhe ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Edhe pse në kohën kur ishin themeluar ishin planifikuar për synime të ndryshme politike, ndërhyrjet e të dyjave, NATO-s dhe UÇK-së, u justifikuan kryesisht mbi bazën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë. Ekzistimi dhe konfirmimi i këtyre shkeljeve të të drejtave të njeriut hapi rrugën që Kosova të legjitimoj shtetësinë e saj, të shpallur në vitin 2008.

Ndërkohë, përgjegjësia për krimet e kryera u trajtua kryesisht nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, i cili hetoi dhe ndoqi penalisht udhëheqësit e rangut të lartë serb dhe shqiptar për shkelje të të drejtave të njeriut deri në shpërbërjen e tij në vitin 2017.

Sidoqoftë, ndjekja e drejtësisë përmes Tribunalit të Hagës ka lënë shumë viktima dhe familjet e tyre pa drejtësinë e kërkuar dhe madje nuk ka rezultuar as në njohjen e vuajtjeve të viktimave nga vetë kryesit e krimeve, si dhe as në pranimin e përgjegjësisë nga palët e përfshira në konflikt.

Kjo ka dëmtuar diskursin publik mbi të kaluarën si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Një deklaratë publike e bërë javën e kaluar nga tani ish këshilltari i Qeverisë së Kosovës, Shkelzen Gashi, ritheksoi se pjesëtarë të UÇK-së ishin përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës, një e vërtetë që prej shumë kohësh është konstatuar nga Tribunali i Hagës.

Sidoqoftë, komentet e Gashit u pritën me kritika të zjarrta në Kosovë, të cilat në fund edhe rezultuan me shkarkimin e tij.

Në Serbi, një mohim i tillë është edhe më i zakonshëm. Asnjë udhëheqës institucional serb nuk e ka pranuar ndonjëherë publikisht përgjegjësinë e qeverisë serbe për krimet e kryera në Kosovë dhe as nuk ka ofruar kërkimfalje publike. Një gjë e tillë madje as nuk pritet të ndodhë në një të ardhme të afërt.

Narracioni i vazhdueshëm i përkrahur nga udhëheqësit serbë për “terroristët shqiptarë dhe krimet e tyre të luftës” ka qenë një ndihmesë në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, një gjykatë që heton krimet e supozuara UÇK-së, kritika më e madhe ndaj së cilës ka qenë diskriminimi flagrant në baza etnike. Edhe pse ende asnjë aktakuzë nuk është lëshuar nga Dhomat e Specializuara, shumë shqiptarë të Kosovës të ndërlidhur me UÇK-në kanë qenë subjekt i intervistimit deri më tani.

Ndjenja e padrejtësisë ne mesin e viktimave dhe në Kosovë përgjithësisht shtohet më tej nga numri i vogël i individëve që janë mbajtur përgjegjës për krimet e tyre nga mekanizmat e shumtë  të drejtësisë lidhur me luftën në Kosovë.

Ekziston një shpërputhje midis numrit të viktimave të luftës në Kosovë dhe numrit të autorëve të sjellë para drejtësisë për krime kundër tyre. Ndërkohë që numri më i madh i viktimave të luftës ishin shqiptarë, kjo nuk është reflektuar në një numër më të lartë të autorëve të krimeve kundër popullatës shqiptare të sjellë para gjykatave.

Gjakova në vitin 1999. Foto: Shkelzen Rexha

E vërteta është krejt e kundërta: në mesin e pesë rasteve që kanë të bëjnë me krime të cilat kanë ndodhur në Kosovë e të cilat u trajtuan nga Tribunali i Hagës, tre prej tyre ishin kundër zyrtarëve serbë dhe dy kundër udhëheqësve të UÇK-së. Të dhëna nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thonë se ndërmjet viteve 1999 dhe 2018, gjykatat e Kosovës kanë trajtuar 48 raste të krimeve të luftës. 44 prej personave të akuzuar ishin serbë ndërsa 61 ishin shqiptarë.

Sa i përket numrit të viktimave të luftës, dokumentim i duhur nuk është bërë nga asnjë qeveri, ndërsa dokumentimi i besueshëm nga organizatat vendore të shoqërisë civile vazhdon të mbetet gjerësisht i kontestueshëm.

Sidoqoftë, Libër Kujtimi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë tregon se nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000, 10,093 civilë kanë humbur jetën apo konsiderohen si të zhdukur në Kosovë. Prej tyre, 8,645 janë shqiptarë, 1.013 janë serbë, 262 janë romë, ashkali dhe egjiptianë, 84 janë boshnjakë dhe 203 janë pjesëtarë të kombësive tjera. Studiuesit kanë vlerësuar se numri i viktimave të dhunës seksuale arrin në 20,000 sosh, shumica e të cilave janë me përkatësi etnike shqiptare.

Iniciativat për zbulimin e së vërtetës jashtë dhomave të gjykatave mezi kanë pasur mundësinë të shohin dritën. Për shembull, Komisioni Rajonal për Kërkimin e së Vërtetës ka kaluar vite të tëra duke u përpjekur të sigurojë mbështetje politike, mirëpo pa sukses.

Iniciativa e ndërmarrë nga Presidenti i Kosovës për krijimin e një komisioni të së vërtetës dhe pajtimit në vitin 2018, kryesisht është mbajtur i fshehtë dhe jashtë syrit të publikut. Dështimi për të siguruar një proces konsultimi të plotë dhe gjithëpërfshirës në përgatitjen e funksionimit të komisionit është tashmë një tregues negativ për suksesin e komisionit të ardhshëm.

Mungesa e debatit publik shumë të nevojshëm për çështjet e së kaluarës po e minon aftësinë për të arritur paqe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja nuk ka lënë hapësirë për diskutimin e ndonjë çështjeje që lidhet me trajtimin e të së kaluarës brenda kornizës së saj, duke penguar kështu në mënyrë thelbësore çdo iniciativë të rëndësishme në këtë drejtim.

Varrezat e viktimave civile në Mejë. Foto: Kallxo.com

Diskursi politik rreth dialogut, i mbizotëruar nga domosdoshmëria e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, ka kaluar në disa faza.

Mundësia e përfshirjes së një amnistie për krime lufte si pjesë e marrëveshjes përfundimtare midis dy vendeve është sugjerimi i fundit, i (ri)prezantuar para publikut vetëm pak ditë më parë dhe, natyrshëm, ka shkaktuar kundërshtimin e ashpër nga grupet e viktimave dhe publikut të gjerë.

Amnistia për krimet e luftës do të përbënte një mospërfillje të pakuptimtë në raport me të drejtat e njeriut për të cilat u luftua në Kosovë përmes ndërhyrjes humanitare në vitet 1990 si dhe përmes ndjekjes së drejtësisë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Promovimi i kësaj ideje rrezikon legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës, si një shtet që u ndërtua mbi idealet e të drejtave të njeriut dhe barazisë.

Në mirëmbajtjen e standardeve të të drejtave të njeriut, lufta kundër mohimit dhe pandëshkueshmërisë së krimeve të luftës është e një domosdoshmërie e madhe. E drejta për të vërtetën dhe drejtësinë pa diskriminim është qenësore për të gjithë ne. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se paqja nuk mund të ndërtohet në kurriz të drejtësisë, dhe nuk duhet të lejojmë që amnistia kolektive të na dënojë të përcaktohemi për opsionin më të keq në një marrëveshje iluzore për normalizim marrëdhëniesh.

Dialogu Kosovë-Serbi duhet të udhëhiqet nga normat dhe standardet ndërkombëtare të përfshira në parimet e Kombeve të Bashkuara, KB, dhe kornizës së BE-së për drejtësi tranzicionale, gjersa përpjekjet për njohje të viktimave dhe dëmshpërblim duhet të intensifikohen dhe të vendosen si prioritet në të dyja shtetet.

Inkurajimi i mohimit të mëtejmë nga njëra palë mbanë gjallë mohimin nga pala tjetër, dhe gjithçka që mbetet pastaj është një dështim i përbashkët për të siguruar drejtësinë për viktimat e luftës.

 

Raba Gjoshi ka diplomuar në Politikat e të Drejtave të Konfliktit dhe Drejtësisë në SoAS, Londër. Gjoshi është psikologe klinike. Ajo ka qenë drejtoreshë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

 Shkrimi origjinal është shkruar në gjuhën angleze.