A do ta pushtojë Rusia Moldavinë?

Ushtarë të armatosur patrullojnë postblloqet përgjatë rrugës për në Transnistria, duke qëndruar roje nën një flamur gjigant sovjetik me çekiç dhe drapër. E drejta ndërkombëtare dikton që kjo pjesë e hollë e tokës përgjatë kufirit me Ukrainën është pjesë e Moldavisë. Megjithatë nuk ndihet thjesht si një vend tjetër, por si një dekadë krejt ndryshe.

I mbajtur nga separatistët e mbështetur nga Rusia që nga rënia e komunizmit, rajoni është mbyllur në një epokë tashmë të perënduar, me rreth 350,000 banorë të tij që vazhdojnë jetën e tyre nën hijen e ndërtesave të betonit të epokës sovjetike dhe statujave të Leninit. Rreth 1,500 trupa ruse janë vendosur këtu si pjesë e një “misioni paqeruajtës” që nga lufta e shkurtër në fillim të viteve 1990, duke vepruar së bashku me ushtrinë e rekrutuar të rajonit të panjohur.

Së bashku, ata e mbështesin administratën e shkëputur pavarësisht urdhrave nga Moldavia dhe OKB për t’u larguar. Bazat ushtarake të pajisura me forca të blinduara të rënda dhe helikopterë e mbulojnë peizazhin, ndërkohë që personeli rus vëzhgon me kujdes depon e municioneve shumë të klasifikuara Cobasna, ku besohet se ruhen mijëra ton armatime sovjetike.

Në javët e fundit, Republika e vetëshpallur Pridnestroviane, siç e quajnë veten autoritetet Transnistriane, ka pretenduar në mënyrë të përsëritur se është sulmuar nga grupe misterioze terroriste, duke raportuar shpërthime në ndërtesat qeveritare dhe që supozohet se i kanë rrëzuar dronët e ngarkuar me eksploziv. Ndërkohë që asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për këto sulme, zyrtarët lokalë kanë drejtuar gishtin drejt lindjes drejt Ukrainës, duke prodhuar ‘dëshmi’ të atyre që duket të jenë raketahedhës të prodhimit perëndimor që kanë shkaktuar rrëmujë në rrugët e afërta. Autoritetet në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, kanë frikë se janë pjesë e një mashtrimi të rremë për ta hapur një front tjetër në ofensivën tashmë të ngecur të Moskës në Ukrainë.

Një gjeneral rus ka deklaruar kohët e fundit se forcat e tij planifikonin ta merrnin Odesën në një përpjekje për ta hapur një urë tokësore midis Krimesë dhe bazave të tyre në Transnistria. Kjo në mënyrë efektive do ta shkëpuste Ukrainën nga bregu dhe do t’i jepte Moskës një shans për t’i rifurnizuar trupat e saj nga Cobasna. Megjithatë, në praktikë, mbrojtësit e Ukrainës e kanë bllokuar progresin e ushtrisë ruse. Por Transnistria është ende një kërcënim dhe perspektiva e sulmeve përtej kufirit e ka detyruar Kievin t’i ndalojë trupat nga beteja kryesore për t’i frenuar forcat ruse në rajon.

Megjithatë, territori i diskutueshëm nuk paraqet probleme vetëm për Ukrainën. Shumë moldavë kishin frikë se Dita e Fitores më 9 maj do ta sillte një përshkallëzim të mprehtë të armiqësive, veçanërisht pasi Moska i akuzon ata gjithashtu për ‘diskriminim’ ndaj rusishtfolësve në Transnistria. Ndërsa përvjetori i humbjes së Gjermanisë naziste u zhvillua në Kishinau, ata e bënë këtë me një prani të madhe policore. Më shumë se njëqind gjoba u dhanë atyre që mbanin simbole “pro-luftës”, si logoja tashmë famëkeqe “Z” ose shiriti portokall dhe zi i Shën Gjergjit.

Ndërkohë që Moldavia ka deklaruar se do të qëndrojë neutrale në këtë luftë dhe ka refuzuar t’i sanksionojë bizneset ruse, Kishinau ka kërkuar mbështetje nga BE për ta forcuar mbrojtjen e saj kundër trupave ruse. Në të njëjtën kohë, qeveria moldave ka paraqitur një kërkesë për t’iu bashkuar BE-së disa javë më parë dhe shumë po bëjnë thirrje për integrim më të ngushtë me Perëndimin.

Në letër, rreziku i një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak duket i vogël. Me Ukrainën që kontrollon hapësirën e saj ajrore dhe rrëzon aeroplanët e armikut, Moska nuk mund t’i përforcojë garnizonet e saj dhe nuk ka mjaftueshëm njerëz për ta ndërmarrë një pushtim. Por, sipas Viorel Cibotaru, i cili shërbeu si ministër i mbrojtjes së Moldavisë deri në vitin 2015, Transnistria është në qendër të një fushate të ndikimit rus të krijuar për ta parandaluar afrimin e saj me Perëndimin. “FSB, GRU dhe agjencitë e tyre të tjera të inteligjencës kanë të gjitha rezidenca atje, ndërsa në këtë anë duhet të veprojnë të fshehtë,” më tha ai në një takim në zyrën e tij, ulur pas një tavoline të dekoruar me certifikata trajnimi nga akademia e oficerëve të NATO-s dhe forcat e armatosura amerikane.

“Ka ardhur koha të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i hequr qafe spiunët rusë dhe aktivitetet ilegale ruse që kërcënojnë interesat kombëtare moldave.” Ai po i kërkon qeverisë të ndërmarrë veprime për ta “çliruar shoqërinë tonë nga lufta toksike që Rusia po e kryen këtu”. Një nga objektivat që autoritetet Transnistriane thonë se u sulmuan janë transmetuesit që transmetojnë media pro-Kremlinit në të gjithë rajonin.

Problemi, megjithatë, është se Moska e ka pozicionin e saj të fortë rreth furnizimeve me energji të Moldavisë dhe ka kërcënuar se do ta ndërpresë gazin kur në të kaluarën dukej sikur po i afrohej shumë Brukselit. Më keq akoma, praktikisht e gjithë energjia elektrike e vendit vjen nga një fabrikë në Transnistria, duke e vënë fatin e ekonomisë së saj në duart e Putinit.

Për momentin, megjithatë, qeveria moldave këmbëngul se nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm dhe e ka mbrojtur politikën e saj për të mos u përfshirë në luftën në Ukrainë. Pavarësisht kësaj, shumë mendojnë se kontrolli i Putinit në një pjesë të vendit të tyre po dobësohet. “Askush nuk dëshiron të jetojë në Donbass apo Abkhazi”, shpërthen Cibotaru, duke iu referuar dy prej shteteve të tjera kukull të panjohura të Kremlinit. “Çfarë lloj jete ka në Rripin e Gazës? Epo, Moldavia po shndërrohet në Rripin e Gazës.’/The Spectator