Ilustrim

6,5 Vjet Burgim Për Trafikantin e Drogës

Të enjten, një trup gjykues i kryesuar nga një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, shpalli aktgjykimin lidhur me një rast të trafikimit të drogës dhe krimit të organizuar. 

“I pandehuri, që gjendet në paraburgim nga muaji maj 2011, vendosi ta pranojë fajësinë më 26 tetor, ndërsa dje është dënuar me 6 vjet e gjysmë burg dhe me një gjobë prej 15.000 euro,” thuhet në kumtesën për shtyp të EULEX-it.

Për rastin në fjalë ishin angazhuar prokurorët e EULEX-it të cilët në një hetim të gjatë dhe të efektshëm kishte quar deri në kapjen e më shumë se 12 kilogramëve jashtë Kosove.

Aksioni kishte rezultuar me disa arrestime dhe dënime jashtë vendit kurse Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ishte përgjegjëse për hetimin e kësaj organizate të gjerë brenda territorit të Kosovës.

“Hetimi u mundësua falë ndihmës ligjore ndërkombëtare ndërmjet shteteve të Evropës Perëndimore dhe EULEX-it,” thuhet në kumtesë.

EULEX-i i tha Gazetës JnK se operacioni i tillë ishte zhvilluar në Zvicër dhe Austri dhe pesë persona janë dënuar në Zvicër prej pesë deri në dhjetë vite burgim.

Policia e Kosovës thotë se ka pasur aksione të shumta gjatë vitit 2011 lidhur me parandalimin dhe arrestimin e personave të dyshuar që merren me trafikimin e e substancave narkotike, arrestimin e tyre dhe dërgimin para organeve të drejtësisë. 

Po ashtu, janë arrestuar persona të cilët kanë kultivuar substance narkotike. 

Sipas statistikave të policisë, gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2011 janë konfiskuar 33 kg Heroinë, 96 kg marihuanë, 2, 6 kg kokainë dhe 3,1 kf droga tjera. Ndërsa, janë konfiskuar më shumë se 3, 800 fije kanabis të mbjellura në Kosovë. 

“Gjatë kësaj periudhe kohore janë realizuar 138 operacione policore të veçanta nga Drejtoria për hetimin e trafikimit me substanca narkotike ku janë arrestuar 368 persona te dyshuar,” Baki Kelani, zëdhënës i policisë së Kosovës, i tha Gazetës Jeta në Kosovë. 

Në një rast të fundit, policia ka arrestuar tre persona ku në veturën e tyre kishte zbuluar 50 kilogramë marihuanë.