Fshati Vranjakë - Rahovec

Fqinjët futen në “bela” për pronën komunale në Vranjakë të Rahovecit

Ky është Florim Morina nga fshati Vranjakë i Komunës së Rahovecit. Kjo është prona e tij, por ai ka mbetur pa qasje, pasi pretendon se komshiu i tij Adem Morina ia ka bllokuar rrugën.

“E kam një truall këtu edhe e kam një problem me një kojshi, mi ka mshelë dyert e oborrit. Ma ka qit një muri e unë s’po kam dalje kërkah. Kam qenë të kryetari, kam qenë në Gjykatë, s’kam lënë vend pa shkru. Prej 2013, kurrfarë vendimi nuk kanë marrë”, tregon Morina për KALLXO.com

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me komshiun e Florimit, Adem Morinën. Mirëpo i njëjti nuk ishte në shtëpi.

Për rastin e Florimit janë të njoftuar edhe organet komunale dhe Gjykata e Rahovecit.

Afrim Oruqi, drejtori Kadastrës në Komunë tregon se prona në të cilën Adem Morina e ka ndërtuar murin është e komunës.

“Pronari që e ka bo atë mur në atë parcelë komunale, pretendon se parcela i takon atij dhe iu është marrë nga pushtetit i kaluar. I njëjti ka angazhuar një avokat dhe kë ngritur një padi për vërtetimin e pronësisë, e ka dërgu lëndën në Gjykatë. Në momentin që ka shku padia në Gjykatë, ne si pushtet jemi ndalur aty deri në vendimin e  fundit të Gjykatës”, tha drejtori Afrim Oruqi.

Derisa Florim Morina po ankohet se ka mbetur pa rrugë, në Gjykatën e Rahovecit thonë se kjo lënde është në fazën fillestare.

“Kjo lënde është në fazën e përgatitjes për shqyrtim fillestar. Seanca e radhës do të mbahet me 8 maj 2019 në Gjykatën Themelore, Gjakovë, Dega në Rahovec. Deri më tani nuk është mbajtur ndonjë seancë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Gjakovës për KALLXO.com.

KALLXO.com ka biseduar edhe me përfaqësuesin e fshatit Vranjakë, Muharrem Morina. Ai tregoi se së bashku edhe me fshatarët e tjerë kanë tentuar disa herë që të zgjidhin këtë problem në mes të familjeve.

“Jemi mundu deri në pikë të fundit me zgjidhë problemin në mënyrë ligjore. Por, është e vërtetë ajo pronë është e shtetit dhe në mes të dy familjeve nuk e pengon asnjërën edhe këta kanë nevojë me dal në rrugë aty”, tha përfaqësuesi i fshatit, Muharrem Morina.

Florim Morina – Banor – Vranjakë