Blerja e Lirisë përmes lirimit me kusht

Një raport televiziv të transmetuar në emisionin televiziv “Drejtësia në Kosovë”, vë në pah parregullsitë dhe praktikat korruptive brenda panelit përgjegjës për të vendosur në lidhje me lirimin me kusht të personave të dënuar për vepra penale. Një dit pas transmetimit të emisionit në RTK, Ministri i Drejtësisë dhe njëherit zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, ka suspenduar këtë panel dhe ka vendosur që të rishikohen të gjitha vendimet që ky panel ka marrë prej 16 tetorit, datë kjo kur ish ministri i drejtësisë Haki Demolli, kishte dhënë dorëheqjen. Paneli është i përbërë prej 7 personave dhe që të gjithë punojnë në sektorin e drejtësisë në Kosovë. Departamenti për krime ekonomike dhe korrupsion i Policisë së Kosovës ka arrestuar tre persona Bajram Z., Burim Z. Dhe Bajram Sh., të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve zyrtare, marrje të mitos dhe dhënie të mitos. Bajram Z. ishte anëtar i panelit për lirimin me kusht dhe dyshohet se gjatë periudhës 2006-2010, së bashku me vëllaun e tij dhe të dyshuarin e tretë kanë marrë shuma të mëdha parash, për të iu siguruar lirim me kusht të dënuarve për vepra penale që gjendeshin në burg. I dyshuari poashtu u paraqit edhe në emisionin televiziv “Drejtësia në Kosovë”, duke deklaruar se nuk është fajtor dhe se ai nuk kishte mundësi për t’i siguruar dikujt lirinë, pasi që nuk ishte vetëm ai anëtar në panelin në fjalë. Komesari i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Resmi Hoxha, deklaroi se opinioni publik është i informuar në lidhje me parregullsitë dhe praktikat korruptive që kanë ndodhur në të kaluarën në panelin për lirim me kusht. Ai poashtu nuk e përjashton mundësinë e korrupsionit dhe të keqpërdorimit edhe në panelin ekzistues. Në vitin 2009, kryesuesi i atëhershëm i këtij paneli Sokol Quse, është gjetur fajtor në akuzat për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe është dënuar me 8 vite burg, në kohën kur kishte marrë shuma të mëdha parash për të iu siguruar lirim me kusht të dënuarve për vepra penale. Supozohet se të dënuarit janë në gjendje të paguajnë deri në 120 mijë euro apo edhe më shumë për lirim me kusht. Sipas të dënuarve në vuajtje të dënimit, është shumë e lehtë të blesh lirinë, i vetmi problem mbetet çmimi i cili është shumë i shtrenjtë.