Skandal në shpenzime Komuna e Shtimes 'vidhet nga kamarierët'

Komuna e Shtimës dyshohet se është mashtruar nga një restorant në Shtime duke paguar kështu më shumë se sa që ata kanë ngrënë dhe pirë në një drekë zyrtare në maj të vitit të kaluar.

KALLXO.com ka gjetur se zyrtarët e kësaj komunë kanë paguar 15 euro më shumë për kafe, se sa cmimi i real i faturës.

Për vetëm një ditë komuna e vogël e Shtimes kishte shpenzuar 955 euro për një drekë zyrtare.

Kjo drekë e zyrtarëve të Komunës së Shtimes ishte ngrënë më 9 maj të vitit të kaluar.

Ata kanë paguar më shumë se sa që kanë porositur. Zyrtarët e Komunës kishin pirë 51 kafe, çmimi i së cilës kishte qenë 50 cent.

Mirëpo në llogarinë, të cilën e ka paguar Komuna, janë paguar 15 euro më shumë.

51 kafe nga 50 cent, do t’i kushtonin komunës 25 euro e 50 cent, mirëpo Komuna ka paguar 40 euro e 50 cent, apo 15 euro më shumë, siç shihet edhe në faturën e siguruar nga KALLXO.com, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Në një përgjigje për KALLXO.com,  zyra për informim e Komunës së Shtimes e ka pranuar se ka paguar faturën më shumë se që duhet.

Këtë detaj, Komuna thotë se e ka kuptuar vec pas interesimit të KALLXO.com.

“Ne kemi vërejtur se është bërë një gabim në pajtueshmërinë për pranim të faturës dhe pagesës, pasi që është pranuar totali i faturës, dhe jo analitikë sipas pozicioneve në faturë, e që kjo faturë është paguar për operatorin”, thuhet fillimisht në përgjigjen e Komunës.

Ata shtojnë se për këtë “vjedhje” do të marrin masa ndaj zyrtarë të Komunës.

“Ne do të iniciojmë aktivitetet tona ndaj sistemit të kontrollit ( masa ndaj zyrtarëve në proces, masa administrative)”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Shtimes.

Mirëpo nuk do të jenë vetëm zyrtarët e Komunës ndaj të cilëve do të merren masa. Komuna premton se këto para do të kërkohen nga operatori që të kthehen mbrapa.

“Nga operatori të cilit i është paguar kjo shumë do të kërkojmë kthimin në shumën prej 15 eurove si dhe vërejtje për mashtrim”, përfundon përgjigjen zyra për infomrim e kësaj Komune.

Në këtë drekë gjithashtu ishin ngrënë 34 copa mish furrë. Një copë e tillë kishte kushtuar 7 euro, ndërsa totali vetëm për këtë lloj ushqimi kishte qenë 238 euro.

Në këtë drekë janë porositur edhe 37 biftekë me sos me vlerë totale 296 euro. Për një biftek komuna kishte paguar 8 euro.

Disa prej të pranishmëve në këtë drekë kanë ngrënë edhe peshk trofte. Nëntë lloje të këtij peshku me vlerë totale prej 54 euro apo 6 euro për copë.

Mishin, zyrtarët e komunës e kanë shoqëruar edhe me 59 sallata, të cilat i kishin kushtuar buxhetit të Komunës së Shtimes 118 euro.

52 copa torte (desert) ishin ngrënë poashtu në këtë drekë. 52 euro ishin shpenzuar për këtë lloj ushqimi.

Ndërsa për pije si lëngje, ujë dhe pijë të gazuar, në këtë drekë ishin shpenzuar 83 euro.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari” ku do të bëhen publike shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare të kryetarëve të Komunave dhe zyrtarëve të tjerë.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.