Bllokohet policia dhjetëra makina të paregjistruara

KALLXO.com zbulon se dhjetëra veturave të Policisë së Kosovës, më saktësisht atyre të patrullave, u ka skaduar afati i regjistrimit.

Kjo madje ka bërë që sot edhe nesër ku po zhvillohet një operacion në Prishtinë për nder të çlirimit të Kosovës, nga ku kanë ardhur përfaqësues të lartë të shteteve të tjera, të bëhet një kombinim i veturave për shkak se ato që janë pa regjistrim janë larguar nga qarkullimi.

KALLXO.com në lidhje me këtë rast ka kontaktuar edhe me shefin e Njësive Operacionale, Afrim Ahmeti.

Ai i konfirmoi se ka vetura të PK-së që janë pa regjistrim, por i njëjti siguroi se ato janë larguar nga qarkullimi.

“Nuk ka shans. Krejt veturat që u kanë skadu regjistrimi janë tërheq prej qarkullimi. Asnjë veturë e Policisë së Kosovës nuk guxon me qarkullu pa regjistrim”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Madje ai tregoi edhe se kanë pasur probleme me kompaninë kontraktuese për regjistrimin e veturave por njoftoi se janë duke pritur për të nënshkruar kontratën e re.

“Është e vërtetë që kemi telashe sepse është anku kompania sepse na ka skadu tenderi, jemi në proces të tenderit të ri. Edhe për vizitat që i kemi sot e nesër është dashtë me bo kombinime për me realizu operacionin pa pengesa për shkak të këtij problemi”, tha Ahmeti.

KALLXO.com ka kërkuar në sistemin e E-Prokurimit sa i përket regjistrimit të veturave të Policisë së Kosovës.

Ata kanë hapur një njoftim për kontratë për sigurimin e veturave policore.

Vetëm disa ditë më parë është bërë njoftimi se Policia e Kosovës po kërkon një kontraktor për t’i siguruar veturat që u kanë mbetur pa regjistrim.

Afati për dorëzimin e ofertave do të jetë i hapur deri më 17 qershor.

Në dosjen e tenderit, Policia e Kosovës ka treguar se ka shkurtuar afatin e dorëzimit të tenderëve dhe aplikacioneve.

Por në arsyetimin për këtë çështje ata kanë thënë se është bërë një lëshim teknik që ka të bëjë me sasi ndërsa shton se çdo ditë po shtohet numri i automjeteve të cilave po u skadon sigurimi.

“Arsyeja e shkurtimit të afatit është pasi që tenderin që është shpallë dhe është në fazën e vlerësimit te ofertave është lëshuar një gabim teknik në një pozicion që ka të bëjë me sasi ku për këto lëshime teknike është e njoftuar KRPP me shkrime dhe takimin që kemi pasur si dhe autoriteti kontraktues nuk ka kontratë aktive në lidhje me shërbimet e sigurimit te automjeteve si dhe çdo ditë numri i automjeteve është duke u skaduar sigurimi. Kjo ka të bëjë edhe me kërkesë të Njësisë kërkuese që të shkohet me afate kohore të shkurtuara të publikimit rekomandoj të veprohet konform Ligjit në fuqi dhe nevojës së paraqitur”, është shpjegimi i PK-së në dosjen e tenderit të publikuar në E-Prokurim.

11 Qershor 2019 - 20:19

Adelina Ahmeti 11/06/2019 - 20:19
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend