Biznesmeni dënohet me burgim me kusht për degradimin e ambientit

Ramadan Elezi, i njohur me nofkën ‘Dan Elezi’ pronar i ‘L&D Company’ është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi i njëjti u gjet fajtorë në akuzat që i viheshin në barrë nga Prokuroria e Ferizajt.

Elezi para gjykatësit Adem Shabani dhe prokurorit të çështjes Valdet Avdiu  u deklarua se ndjehet i pafajshëm.

Elezi akuzohej nga Prokuroria, se me datë 18.05.2018 rreth orës 10:24 në fshatin Mirosalë, në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të ndërmarrjes SH.P.K L&D COMPANY ka shtuar aktivitet të jashtëligjshëm minerar.

Sipas dosjes së Prokurorisë Elezi akuzohet se duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Minierat dhe Mineralet ka shfrytëzuar resurset minerare.

“Pas një kontrolli të bërë nga Inspektori i Minierave i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale i dyshuari ka bërë degradimin e mjedisit si person fizik pa autorizim, pa u pajisur me licencë dhe pa leje, ka shfrytëzuar ilegalisht resurset minerare – rërë kuarcore, në sasi prej 1,026.53 metra kub, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, me çka ka kryer veprën penale Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, thuhet në aktakuzë.

Përfaqësuesi i Komisionit për Miniera dhe Minerale Armend Daci theksoi se dëmi që Ramadan Elezi i ka shkaktuar KPMM-së në vlerën për metër kub është 1,026.53 metër kub, ndërsa në vlerë komulative grumbulluese vlera sillet rreth 8,079.59 euro.

Mbrojtësi i të akuzuarit avokati Hajrush Nuhiu e mbështet deklarimin e të mbrojturit të tij dhe theksoi se akuza është  pa bazuar dhe nuk qëndron.

12 Korrik 2019 - 15:47

Adelina Idrizi 12/07/2019 - 15:47
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend