Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq - Foto: REL

Bërnabiq i quan qytetarët e Kosovës ‘njerëz të malit’

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj komenteve të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila qytetarët e Kosovës citohet t’i ketë quajtur “njerëz të malit”.

Sipas ministrit Pacolli, këto komente Bërnabiq i ka bërë në prani të shefit të delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizi.

Pacolli ka thënë se racizmi i shprehur nga Bërnabiq ka burimin në ideologjinë ultranacionaliste që, sipas tij, e promovon Qeveria serbe.

“Shpresoj që Evropa sot të kuptojë se me çfarë lloj njerëzish kemi të bëjmë, me ata që kanë mbështetur vrasjet masive dhe mohojnë krimet e luftës të kryera nga Beogradi në ish-Jugosllavi”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në Facebook.

Ai ka premtuar se sa të jetë ministër i Jashtëm nuk do ta lejojë kryeministren serbe të hyjë në Kosovë.

Ky është postimi i plotë i Behgjet Pacollit:

“I pështirë dhe krejtësisht të papranueshme komentet e Kryeministres serbe Ana Brnanic në prani të shefit të Delegacionit të BE-së në Serbi Sem Fabrizi ndaj Kosovës “që kemi të bëjmë me njerëzit që vijnë nga mali”.

Ky racizëm i institucionalizuar në Serbi, që ka brumin në ideologjinë ultranacionaliste të sëmurë që promovon Qeveria e Ana Brnabicit.

Shpresoj që Evropa sot të kuptojë se me çfarë lloj njerëzish kemi të bëjmë, me ata që kanë mbështetur vrasjet masive dhe mohojnë krimet e luftës të kryera nga Beogradi në ish-Jugosllavi.

E them me përgjegjësi që sa të jem unë ministër i jashtëm i Republikës së Kosovës, nuk do të lejojë që Kryeministrja serbe të hyjë në Kosovë, për sa kohë që ajo të ndjek një ideologji raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe ndërmjet etnive që jetojnë këtu”.