Avokati kërkon hedhjen e aktakuzës ndaj sportelistit të Postës në Malishevë

Në Gjykatën e Gjakovës u mbajt shqyrtimi i dytë ndaj të akuzuarit Sahit Hoti nga Malisheva, për shkak të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Mbrojtësi i të akuzuarit avokati Nuhi Krasniqi, ka parashtruar me shkrim kundërshtimet e tij ndaj aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Avokati i të akuzuarit ka propozuar që aktakuza të hudhet poshtë me arsyetimin se mbrojtësi i tij nuk e ka kryer veprën e cila i ngarkohet.

Ndërsa prokurori Agron Matjani deklaron se sa i përket kundërshtimit të aktakuzës të avokatit Nuhi Krasniqi, ka prova të mjaftueshme të cilat janë cekur në aktakuzë bashkë më deklaratat e të dëmtuarit Naim Sopi, Lulzim Krasniqi, Ismail Telaku dhe Saranda Kuqi, pasi që i akuzuari si sportelist në postën e Malishevës ka anshkaluar dorëzimin e shkresës zyrtare.

Gjykata konstaton se lidhur ne propozimin e palëve do të vendos më vendim të veqantë.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar – sportelist në zyrën postare në Postën e Malishevës, nuk e përmbushi detyrën zyrtare të tij dhe i shkeli të drejtat të dëmtuarit Naim Sopaj, duke i shkaktuar dëme të njëjtit.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari si drejtor i NNP ”Sopi”, me seli në Prizren, në lëndën e përmbarimit ku ka qenë si debitor, kishte parashtruar një prapësim kundër urdhrit përmbarimor te përmbaruesi privat Saranda Kuqi, në shtator të vitit 2017.

I dëmtuari kishte dërguar prapësimin në zarf në postën nr.1 të Malishevës, të pranuar nga sportelisti, këtu i akuzuari.

I akuzuari Hoti nuk e kishte dorëzuar te kartuesi Ismajl Telaku, por e kishte dorëzuar pas 4 ditësh dhe kështu kishte kaluar afati ligjor i prapësimit, ku Gjykata Themelore në Prizren e hedhë poshtë prapësimin e debitorit si të pasafatshme, thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime i akuzuari Sahit Hoti, është ngarkuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

https://kallxo.com/del-para-gjykates-sportelisti-i-postes-ne-malisheve/