Asnjë i interesuar për pozitën e drejtorit të Spitalit të Mitrovicës

Asnjë kandidat nuk është paraqitur për pozitën e drejtorit të Spitalit të Mitrovicës.

Si rrjedhojë, konkursi për këtë pozitë është anuluar.

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK), si mbikëqyrës i spitaleve rajonale dhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka publikuar këtë njoftim më 15.03.2024.

Ky konkurs ishte hapur edhe për pozitat drejtorë të spitaleve në Ferizaj dhe Gjakovë, për të cilët vazhdon procesi i rekrutimit.

Spitali i Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri” aktualisht udhëhiqet nga Laura Nushi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës.

Ish-drejtoresha, Luljeta Zhubi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e saj në nëntor 2023.

Dorëheqja e saj kishte ardhur disa ditë pas vendimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit se drejtoresha ka pasur konflikt interesi kur ka punësuar djalin e dajës së saj si depoist në spital. Megjithatë, Zhubi për KALLXO.com kishte thënë se dorëheqja e saj nuk ka lidhje me vendimin e Agjencisë.

Në këtë spital, në dhjetor kanë ndodhur edhe disa dorëheqje të tjera të zyrtarëve të lartë të menaxhmentit.