Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë Qershor 2022, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Sot pritet të zgjidhet rektori i ri i Universitetit të Gjakovës

Sot pritet të zgjidhet rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.

Ditë më parë, ky Universitet përmes një njoftimi kishte bërë të ditur se intervistimi i kandidatëve do të bëhet më 16 gusht duke filluar nga ora 11:00 në objektin e rektoratit të këtij universiteti.

“Në këto intervista, secili kandidat, përmes shpalosjes së programit të tij, do të prezantojë një vizion gjithëpërfshirës për zhvillimin e strategjisë së ardhshme të Universitetit dhe për qasjen e tij menaxhuese. Votimi për zgjedhjen e rektorit do të bëhet pas intervistimit të kandidatëve, me datë 16.08.2023” – është thënë në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, kandidatët që i kanë plotësuar kushtet formalo-juridike për konkurrim dhe të cilët do të intervistohen nga Këshilli Drejtues, janë: Drilon Bunjaku, Haxhi Kamberi, Kimete Canaj dhe Rifat Morina.

Më 21 nëntor të vitit të kaluar Artan Nimani ishte shkarkuar nga pozita e rektorit të Universitetit të Gjakovës. Sipas Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës, Nimani kishte dështuar të krijojë ambient të përshtatshëm dhe të sigurt për mbarëvajtje të procesit mësimor si pasojë e minimizimit dhe mosndëshkimit të rasteve të dhunës (rrahje, shantazhe, kërcënime).

Ndërkaq, Nimani kishte thënë për KALLXO.com se shkarkimi i tij është për arsye politike.

Në mbledhjen e mbajtur më 2 dhjetor 2022, Këshilli Drejtues i Universitetit të Gjakovës me gjashtë vota PËR  kishte zgjedhur Zeqir Hashanin si ushtrues i detyrës stë rektorit të këtij universiteti.

Më 15 gusht 2023, në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, u shpreh se konkursi i parë për rektor të ri në Universitetin e Gjakovës është anuluar sepse kanë qenë dy kandidatë por që nuk i kanë plotësuar kushtet. Sipas saj, njëri kandidat ka qenë ish-rektori që është shkarkuar nga Këshilli, dhe për tjetrin tha se me aq sa është njoftuar ka qenë një kandidat që nuk i ka plotësuar kërkesat formale të konkursit sepse nuk i ka përcjellë të gjitha dokumentet  e nevojshme.

“Meqenëse nuk ka pasur kandidatë është parë e nevojshme që të anulohet ai konkurs”- ka thënë Nagavci.