Këshilli Drejtues i Universitetit të Gjakovës: Këto janë arsyet e shkarkimit të rektorit Artan Nimani

Artan Nimani është shkarkuar nga pozita e rektorit të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.

Sipas Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës, Nimani ka dështuar të krijojë ambient të përshtatshëm dhe të sigurt për mbarëvajtje të procesit mësimor si pasojë e minimizimit dhe mosndëshkimit të rasteve të dhunës (rrahje, shantazhe, kërcënime), “të cilat janë shpeshtuar në ambientet e universitetit”.

Këto janë konkluzionet tjera në bazë të cilave KD ka inicuar shkarkimin e rektorit:

– Rrezikim i humbjes së besimit ndaj organeve të pavarura vendimmarrëse të universitetit për shkak të mos zbatimit të vendimeve/rekomandimeve të tyre.

– Ndërhyrje në vendime të organeve të pavarura statutare të universitetit.

– Ndryshimi i vendimit të Këshillit të Etikës (me nr.04 -1605) në Senat si dhe mos adresim të rekomandimit të Këshillit Drejtues (nr. 05 – 1729) duke tejkaluar kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale.

– Mos respektim të rekomandimit të Këshillit Drejtues (nr. 05 – 1730) dhe mos gatishmëri për të adresuar kërcënimin e denoncuar tek Këshilli i Etikës.

– Vështirësi të shumta të shoqëruara dhe me probleme për akreditimin e programeve.

– Mos raportimi financiar për periudhën TM3-2022 në Këshillin Drejtues dhe mundësia për të vendosur atë në lajthitje ligjore.

– Menaxhimi joadekuat i buxhetit për “Paga dhe Mëditje” si pasojë e planifikimit jo të mirë si dhe të pagesave të shumta mbi-normë.

– Rezultate të pamjaftueshme kërkimore – shkencore dhe të mobilitetit në arenën ndërkombëtare.

– Mungesë e strategjisë, kapaciteteve dhe koordinimit për ngritjen e cilësisë në arsim me metoda bashkëkohore si dhe për krijimin e një ambienti atraktiv për tërheqjen e studentëve vizitorë si dhe dështim në realizimin e programeve semestrale në gjuhën angleze.

– Mungesë planifikimi, koordinimi apo informimi të KD-së për qëllimet dhe përfitimet e universitetit nga vizitat e shpeshta ndërkombëtare. Mos adresimi i kërkesave financiare për aprovim në KD.

– Rezultate jo të kënaqshme në ndërtimin e partneritetit strategjik me kompanitë publike dhe komunitetin e biznesit si dhe dështim në gjenerimin e të hyrave nga shërbimet e konsulencës, ekspertizave të ndryshme dhe shërbimeve tjera profesionale.

– Dështim në hartimin e rregullores për mbrojtjen e etikës akademike nga plagjiatura dhe nga revistat mashtruese.

– Renditje jo e kënaqshme në listën ndërkombëtare të universiteteve ËEBOMETRICS dhe mungesë e strategjisë për të përmirësuar këtë gjendje.

– Mos azhurimi i raporteve vjetore, rregulloreve, vendimeve, dhe dokumenteve tjera në ëeb-faqen e universitetit edhe pse është kërkuar disa herë nga KD.

– Mos-adresim i çështjes së punësimit nga të gjeturat dhe rekomandimet e auditorit të vitit të kaluar.

– Dështimi në krijimin e një ambientit të besueshëm, konkurrues, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në meritokraci për çështjen e punësimeve.

– Procese jo transparente të punësimeve të përcjella me shumë ankesa dhe dyshime për parregullsi.

– Mos transparencë për financime të botimeve shkencore.