Mbesa e ish kryetarit të Hanit të Elezit e quan politik anulimin e testit me shkrim në konkursin për mësimdhënës

Liridona Bushi- Raçi më datë 28 shtator të këtij viti i kishte përgatitur të gjitha dokumentet për të aplikuar në konkursin për mësimdhënës në shkollën fillore “Veli Ballazhi” në fshatin Gorancë të Komunës së Hanit të Elezit. Procedurat e dokumentacionit i shkuan mirë por “ngecën” në pjesën e testimit, pasi që testi me shkrim u anulu ani pse ajo kishte marrë maskimumin e pikëve, duke lënë mbrapa pesë kandidatët e tjerë. Ajo fitoi 60 pikë në testin me shkrim të mbajtur më 22 nëntor 2021.

Ndonëse doli kandidatja me më se shumti pikë dhe e vetmja që e kishte kaluar testin me shkrim, ajo përsëri nuk ishte shpallur fituese e kësaj gare, pasi që Komisioni për Ankesa dhe Prapashtesa e ka anuluar këtë konkurs me arsyetimin se ka pasur shkelje gjatë procedurave. 

Ajo ditë më parë ka dorëzuar ankesën e saj tek Komisioni për Ankesa dhe Prapashtesa në lidhje me këtë konkurs, pasi që gjithë këtë “katrahurë” ajo e quan politike dhe të pavend, madje ajo një situatë të tillë e ndërlidhë me faktin se ajo është mbesa e ish kryetarit të komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, dhe që sipas saj gjithçka është politike.

“Gjithçka po shihet se është politike, se unë jam mbesa e ish kryetarit dhe unë para tetë viteve kam diplomu dhe para tre viteve e kam mbrojtë masterin, do të thotë jam e vetmja kandidate me mastër në këtë konkurs”, thotë ajo për KALLXO.com.

Kandidatja po ashtu thotë se gjithë këtë proces do e ndjek në rrugë ligjore në Gjykatë e Prokurori.

Gjithë këtë konkurs e konsideron të stërzgjatur, drejtori i ri i Arsimit në këtë komunë, Hysni Luri. Ai shprehet se komisioni ka gjetur shkelje të procedurave dhe se deri tek anulimi i testit me shkrim erdhi pasi komisioni i ankesave ka pranuar ankesa dhe se, sipas tij, njërit prej kandidatëve i është dhënë testi para se të hynte në testin me shkrim. 

“Testi nuk guxon me ju dhanë palës as pesë minuta, as dhjetë minuta, as një orë, s’mundet me pa dikush testin. Unë vetëm po i lexoj ankesat e dëshmuara”, tha Luri për KALLXO.com.

Ai shprehet i bindur se nuk do të ketë padrejtësi “por një gjë e di sigurt se nuk ka me ju bo kërkujna padrejtësi e kam këtë vetëbesim në vete”.

Kryetari i Komisionit për testin me shkrim, Sear Derjani, thotë se testi ka qenë i përpiluar nga drejtori i Arsimit në këtë komunë dhe jo nga komisioni dhe ai këtë gjë e sheh jo të duhur. 

“Arsyet kanë qenë se komisioni për ankesa dhe parsshtresa ka thënë se testi nuk ka qenë i përpiluar nga komisioni por nga drejtorit i DKA-së. Vetëm kur na kanë pru (testin) edhe u kry puna”, sqaroi ai, përderisa thotë se është udhëzimi administrativ që e përcakton se kush duhet të përpilojë testin me shkrim.

Në anën tjetër në Ligjin numër 2002/2 mbi arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë, nëni 35 nuk specifikohet nëse duhet apo nuk duhet që testi me shkrim për konkurs të përpilohet nga drejtori komunal i Arsimit. 

Sa i përket pretendimeve të kadidates se gjithaçka është politike, Derjani thotë se”nuk ka të bëjë kurrgjë me politikë, janë pretendime jo të sakta, kemi me ripërsërit testin prap”.
Ai thotë se do të mblidhet komisioni dhe do të përpilojnë përsëri testin me shkrim.

Në lidhje më këtë KALLXO.com ka telefonuar edhe kryetarin e komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi. Ai tha se është në dijeni për anulimin e testit, mirëpo nuk ka shumë informacione rreth këtij konkursi “për besë vetëm më tha (drejtori i arsimit) janë bërë disa ankesa për test”.

Testi  me shkrim për këtë konkurs pritet të mbahet më 17.12.2021, ditën e premte.