Likaj: Qeveria të vendos për mënyrën e fillimit të vitit shkollor

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj në një takim me Drejtorët Komunal të Arsimit dhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit ka propozuar që Qeveria e Kosovës të vendosë për mënyrën e fillimit të vitit të ri shkollor.

Likaj tha se është mirë që DKA-të dhe ministria të bëjnë master planin dhe t’ia propozojnë Qeverisë dhe pastaj Qeveria të vendos për këtë çështje.

“Unë kisha propozuar që vendimin përfundimtar ta marrë Qeveria dhe master planin ne me dërgu dhe qeveria ta merr vendimin dhe ne vetëm e zbatojmë”, tha Likaj.

Ai shtoi se janë paraparë që t’i përfshijnë edhe 1000 mësimdhënës ndihmës për arsimtarët me probleme shëndetësore.

“Në kuadër të planit buxhetor që ne kemi përgatitur kemi paraparë që t’i përfshijmë 1000 mësimdhënës ndihmës që t’i ndihmojnë arsimtarët me probleme shëndetësor apo me në shkollat ku ka numër të madh të nxënësve. Ne kemi kërkuar mbështetje për dezinfektim në institucionet shkollore dhe për këtë duhet me na përkrah Qeveria”, tha ministri.

Në këtë takim po merr pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, i cili tha se duhet të merret një vendim që ju ndihmon nxënësve në mësimnxënie.

“Në kuadër të pakos për Rimëkëmbje Ekonomike jemi duke punuar që të vendosen parametrat për mbështetje financiare të këtij sektori”, tha Tahiri.

Ndërsa, kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj tha se janë të pajtimit që të fillojnë vitin e ri shkollor, vetëm që mos të preken lëvizjet e normave.

“Në jemi për cilindo version që përmendim edhe pse mësimdhënësit që të kthehen në shkollë, qoftë edhe kombinim. Mirëpo nuk do të pranojmë ndarjen e klasave në grupe, sepse mësimdhënësve të ju shtohen normat nuk i pranojmë”, tha ai.

Ai po ashtu kërkoi edhe testim të të gjithë mësimdhënësve për COVID-19.

“Nëse ka ndonjë mundësi që mësimdhënësit të testohen dhe pastaj të fillojmë më mësimin”, shtoi ai.