Visar Ymeri e Dardan Sejdiu - Foto: KALLXO.com

Ymeri: Qytetarët Vendosën që Prishtina të Qeveriset nga Shpend Ahmeti

Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha në një konferencë për shtyp se vota e qytetarëve vendosi që Prishtina të qeveriset nga Shpend Ahmeti.

Fitoren e pretenduar në Prishtinë e Prizren, Ymeri tha se janë fitore të qytetarëve.

“Këta qytetarë dolën kundër krimit e korrupsionit, rrenave e shpifjeve, këta qytetarë dolën kundër ‘Klanit Pronto’ dhe ‘Klanit Pronto 2’ që është LDK”, tha Ymeri.

“Dua t’i uroj qytetarët e komunave të tjera në të cilat me bashkëpunim kemi mundur SHIK-un e Kadri Veselit, siç është Vushtrria, Mitrovica”, shtoi lideri i VV-së.

Ndërsa, nënkryetari i VV-së, Dardan Sejdiu, i pyetur nëse do të pranojnë rezultatin pas numërimit të votave me kusht nëse fitues del Arban Abrashi i LDK-së, tha se nuk janë kundër këtij numërimi dhe shtoi se edhe pas numërimit rezultati në Prizren, Prishtinë e Kamenicë do të mbetet i njëjtë. “Fitues do të jenë kandidatët tanë“, tha Sejdiu.