Visar Ymeri, ish-kryetar i Vetëvendosjes

Visar Ymeri Nuk Përjashton Opsionin e Partisë së Re

E plotësuar, 22:05

Ish kryetari i VV-së, Visar Ymeri, i la të hapura opsionet nëse grupi i të pakënaqurve në këtë parti do të angazhohen në një parti të re.

Në intervistën për TV 21, Ymeri tha se grupi i të pakënaqurve nuk e ka diskutuar asnjëherë organizimin e ri partiak.

“Ka një grup të të pakënaqurve. Nuk është diskutuar ky opsion (për parti të re) asnjëherë. Natyrisht do të jetë vendim i përbashkët i të pakënaqurve se si do të ecin më tutje. Nuk është diskutuar asnjëherë për ndonjë organizim të ri partiak”, tha Ymeri.

“As nuk e përjashtoj mundësinë (e partisë së re), as nuk e përjashtoj që mund të rrimë në Vetëvendosje”, shtoi ai.

Kur u pyet se a do të rrinë të pakënaqurit në Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se deri në vendimin e radhës ata do t’i përkasin këtij grupi parlamentar.

“Deri në një vendim tjetër, ne mbesim deputetë të Vetëvendosjes dhe të grupit parlamentar të VV-së. Nuk kemi diskutuar se çfarë do të bëjmë në të ardhmen”, tha ai.

Visar Ymeri: Albin Kurti, Nismëtar i Krizës në VV

Ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, pas dorëheqjes së tij nga kreu i kësaj partie, në një intervistë për Televizionin 21, tha se Albin Kurti nuk ka vullnet që t’i zgjidhë problemet e krijuara në këtë parti.

“Në pjesën e dytë e vitit 2017 kam pa tendencë të shpërfilljes së pozitës sime si kryetar vetëm në çështjet që kishin të bënin me problemin e brendshëm të VV nga Albin Kurti. Prej asaj që kam pa në kronologjinë e ngjarjeve e shoh si nismëtarin e kësaj krize [Albin Kurtit], që nga tetori i vitit 2016 kur nisi fushat denigruese ndaj disa individëve në Vetëvendosje”, tha ai.

Ymeri shtoi se përkundër tentativa të vazhdueshme të tij për të tejkaluar problemet, Kurti nuk ishte i gatshëm për këtë.

“Albini e ka nisë dhe e ka nxitë një gjë të tillë, por edhe aktivistët e kanë shfrytëzuar këtë për t’i hedhur benzinë situatës. Ai e ka nisur e mirëmbajtur këtë”, tha ai.

Tutje, ish-kryetari shtoi se Albin Kurti nuk ka pasur nevojë ta shkaktojë, siç u shpreh, panikun që ka njerëz që duan ta eliminojnë atë, duke iu referuar Dardan Molliqajt, ngase sipas tij.

“Edhe po të donin, Albin Kurtin nuk do të mund ta eliminonte dikush”, tha Ymeri.