Albin Kurti pas votimit për kryetar të VV-së - Foto: Facebook

Albin Kurti Voton për Veten

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka votuar sot në votimet për zgjedhjen e të parit të partisë, garë në të cilën ai është kandidat i vetëm.

Kurti ka votuar në qendrën e votimit në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë, aty ku, siç ka treguar, i ka kryer 8 klasat e shkollës fillore.

“Tetë klasët e shkollës fillore i kam mbaruar pikërisht këtu, në shkollën “Naim Frashëri”, në të cilën sot erdha për të votuar në zgjedhjet e lira e demokratike të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilat, në njërën anë, janë obligim yni statutor, dhe, në anën tjetër, paraqesin demokraci të thellë për shkak se në VETËVENDOSJE! kryetari zgjedhet me mënyrën: një anëtar – një votë”, ka thënë Kurti në një postim në “Facebook”.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të VV-së që të votojnë në këto votime.

”Lëvizja VETËVENDOSJE! është jo vetëm subjekti më politik, më social, më patriotik, por është njëkohësisht edhe subjekti më demokratik në Republikën e Kosovës”, ka shtuar Kurti.

Vendvotimet janë hapur nga ora 10:00 dhe do të mbyllen në 19:00.

Pas mbylljes së procesit të votimit do të fillojë procesi i numërimit të votave.

Me përfundimin e numërimit të votave, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm do të bëjë shpalljen e rezultateve paraprake për votat “për”, “kundër” dhe “abstenim”.

Në garë për kryetar të VV-së është vetëm një kandidat – Albin Kurti.

Zgjedhjet në Vetëvendosje vijnë pas përçarjeve dhe dorëheqjeve të njëpasnjëshme të zyrtarëve të lartë të saj.

Kujtojmë se dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në organet e partisë ka dhënë edhe kryetari i VV-së, Visar Ymeri.

Ndryshe, Ymeri kishte marrë kreun e Vetëvendosjes më 1 mars 2015.

Mandati i tij në krye të VV-së skadonte në shkurt 2018 kur edhe do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e brendshme të subjektit.

Por, gjërat u përshpejtuan pas shpërthimit të krizës në këtë parti sidomos pas publikimit të një bisede në “viber” mes zyrtarëve të këtij subjekti, ku Albin Kurti ofendohej nga Aida Dërguti.

Duhet theksuar se Vetëvendosje gjatë mandatit të kryetarit Visar Ymeri u rrit si subjekt duke dyfishuar madje votat dhe rezultatet në zgjedhjet lokale e parlamentare.

Ish-kryetari, ndërkaq, nuk e ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një subjekti të ri pas zhvillimeve të fundit në Vetëvendosje.