Albin Kurti - Foto: Facebook

Shpallen Rezultatet Paraprake, Për Albin Kurtin Votuan 98.82% e Anëtarëve

Lëvizja Vetëvendosje njofton se ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e brendshme për kryetar të partisë.

Sipas Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm të VV-së në këtë proces votimi për kryetar të partisë janë shënuar rekorde në pjesëmarrjen e anëtarëve në zgjedhje në shumicën e qendrave në Kosovë si dhe në qendrat në mërgatë, qoftë sa i përket numrit të votave qoftë në përqindjen e pjesëmarrjes.

Sipas rezultateve paraprake, këto janë rezultatet e votimit për kandidatin për kryetar, Albin Kurtin: 98.82% kanë votuar për, 0.61% kundër, 0.57% kanë abstenuar, ndërsa 0.26% janë shpallur të pavlefshme.

Me këtë rast, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm ka falënderuar të gjithë aktivistët e përfshirë në menaxhimin dhe administrimin e zgjedhjeve të brendshme, për përkushtimin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi, si dhe ka falënderuar të gjithë anëtarët që kanë shprehur sot të lirë vullnetin e tyre mbi të ardhmen e organizatës.

VV ka falënderuar edhe Komisionin Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës dhe Komisionet Komunale Zgjedhore për asistencën dhe materialet e votimit të vëna në dispozicion anekënd Kosovës.