Votimi për kryetar të VV-së – Foto: Facebook

VV: Votimi në Zgjedhjet e Brendshme, i Rregullt

Komisioni Zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje njofton se procesi i votimit në zgjedhjet e brendshme për kryetar të partisë po zhvillohet në mënyrë të rregullt.

Të gjitha vendvotimet në Kosovë janë hapur sot në ora 10:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Njëkohësisht votimi po zhvillohet në mënyrë të rregullt edhe jashtë Kosove në Qendrat e VV-së në mërgatë, njofton Vetëvendosje.

“Deri tani nuk është paraqitur asnjë ankesë nga vendvotimet dhe anëtarët, dhe procesi po zhvillohet me një interes të veçantë të shprehur nga anëtarësia”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Vetëvendosje u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të sak të dalin sot në votim për ta ushtruar të drejtën e tyre demokratike për “përcaktimin e drejtimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”.

Në garë për kryetar të VV-së është vetëm një kandidat – Albin Kurti.

Zgjedhjet në Vetëvendosje vijnë pas përçarjeve dhe dorëheqjeve të njëpasnjëshme të zyrtarëve të lartë të saj.

Kujtojmë se dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në organet e partisë ka dhënë edhe kryetari i VV-së, Visar Ymeri.

Ndryshe, Ymeri kishte marrë kreun e Vetëvendosjes më 1 mars 2015.

Mandati i tij në krye të VV-së skadonte në shkurt 2018 kur edhe do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e brendshme të subjektit.

Por, gjërat u përshpejtuan pas shpërthimit të krizës në këtë parti sidomos pas publikimit të një bisede në “viber” mes zyrtarëve të këtij subjekti, ku Albin Kurti ofendohej nga Aida Dërguti.

Duhet theksuar se Vetëvendosje gjatë mandatit të kryetarit Visar Ymeri u rrit si subjekt duke dyfishuar madje votat dhe rezultatet në zgjedhjet lokale e parlamentare.

Ish-kryetari, ndërkaq, nuk e ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një subjekti të ri pas zhvillimeve të fundit në Vetëvendosje.