Veteranët Protestojnë më 28 Nëntor Kundër Dënimeve të ‘Grupit të Kumanovës’

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë paralajmëruar protestë më 28 nëntor si shenjë pakënaqësie me dënimet që një gjykatë në Shkup u ka shqiptuar pjesëtarëve të ‘Grupit të Kumanovës’.

Tri javë më parë, grupi i shqiptarëve që mori pjesë në luftimet dy ditëshe në Kumanovë në maj të vitit 2015 u dënua me një total prej 746 viteve burg, nën akuzat për terrorizëm.

Shumë prej të akuzuarve kanë marrë edhe dënim me burg të përjetshëm.

Nasim Haradinaj nga OVL e UÇK-së tha se shqiptarët e dënuar “sot gjinden padrejtësisht në burgjet e Maqedonisë”.

Ai i quajti “drakonike” dënimet e dhëna nga gjykata në Shkup prandaj bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestë.

“T’i përgjigjemi pozitivisht. I mbështesim jo vetëm familjet por edhe shokët tanë. Do t’i përkrahim në çdo rrethanë dhe mundësi që kemi’, tha Haradinaj.

Protesta do të fillojë në sheshin para Teatrit Kombëtar në Prishtinë në orën 14:00.

Javën e kaluar, kryeministri Ramush Haradinaj u alokoi 290 mijë euro nga buxheti i shtetit familjarëve të pjesëtarëve të këtij grupi.

http://kallxo.com/qeveria-jep-290-mije-euro-per-shpenzimet-ne-rastin-kumanova/

KALLXO.com ka raportuar se një ndër përfituesit e këtij fondi është edhe Shefqet Hallaqi i cili kishte sulmuar me kallashnikov stacionin e Policisë në Prizren dhe ishte arratisur për t’iu bashkuar ‘Grupit të Kumanovës’.

http://kallxo.com/qeveria-haradinaj-10-mije-euro-familjes-se-sulmuesit-te-policise-ne-prizren/