Uji Vërshon Rrugën Hyrëse në Pejë

Një gyp i ujësjellësit ka shpërthyer duke shkaktuar vërshimin e një pjesë të rrugës hyrëse në Pejë nga drejtimi i Prishtinës.

Shpërthimi i gypit ka ndodhur në Rrugën “Besnik Lajçi” të Pejës.

Shpërthimin e gypit e konfirmoi për KALLXO.com Agron Tigani, drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”.

Tigani tha se rrjedha e ujit është ndalur.

“Ka shpërthyer një gyp i ujësjellësit në atë vend. Ekipet tona menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes. Rrjedha e ujit është ndalur”, tha Tigani për KALLXO.com.

Drejtori i ujësjellësit tha se ende nuk dihet pse shpërtheu gypi, ndërsa sipas tij kjo do të merret vesh më vonë nga ekipet në terren.

Qarkullimi në rrugën hyrëse të Pejës nga Prishtina për shkak të sasisë së madhe të ujit po zhvillohet me vështirësi.