Kosova feston 9-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë - Foto: Facebook

Tre Ditë Aktivitete Festive për 17 Shkurtin

Përmes një komunikate, Qeveria ka njoftuar se që nga sot të gjitha komunat do të dekorojnë me flamuj shtetërorë sheshet dhe rrugët e qyteteve.

Po ashtu, sot e nesër orët e para të mësimit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme i kushtohen shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa, nesër, Kuvendi organizon seancë solemne në orën 15:00, kurse Presidenti e Kryeministri organizojnë pritjen shtetërore në orën 18:00.

Në ditën e shpalljes së Pavarësisë, më 17 Shkurt, do të bëhen homazhe te varri i ish-Presidentit, Ibrahim Rugova dhe te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz.

Po ashtu në këtë ditë, nga ora 10:00, të gjitha Kuvendet Komunale do të mbajnë mbledhje solemne me mysafirë të ftuar. Edhe autoritetet komunale do të bëjnë vizita dhe do të vendosin kurora me lule në varrezat e dëshmorëve.

“Komunat mund të organizojnë manifestime të ndryshme sportive, kulturore dhe aktivitete të tjera komunale që mund të jenë specifike për secilën komunë në varësi të mundësive të komunave”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Manifestimet për shënimin e 9-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë do të përfshijnë aktivitete të organizuara nga Presidenca, Kuvendi, Qeveria dhe komunat.

Kështu, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se Drejtoria e Arsimit në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nesër në ora 10:00 në objektin e Galerisë së Fakultetit të Arteve, do të hapë ekspozitën me punime të nxënësve të të gjitha shkollave të komunës së Prishtinës.

Në këtë ekspozitë, secili institucion edukativo-arsimor do përfaqësohet me nga tre-katër punime të nxënësve të tyre.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është stimulimi i nxënësve për t’u marrë me art dhe ekspozimi i punimeve të tyre, por edhe krijimi i një kulture të vizitës së ekspozitave  nga ana e nxënësve dhe në përgjithësi vetëdijesimi në këtë fushë”, thekson Komuna e Prishtinës në një komunikatë.

Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 19 shkurt.

Po ashtu, në këtë link janë aktivitetet e Komunës së Prishtinës me rastin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Edhe komunat e tjera kanë paraparë aktivitete të ndryshme për Ditën e Pavarësisë.

http://kallxo.com/rahoveci-peruron-buste-malisheva-kendon-per-pavaresi/