
Qeveria publikon logon dhe agjendën për 17-vjetorin e Pavarësisë
Qeveria e Kosovës ka publikuar logon zyrtare të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Krahas logos është publikuar edhe agjenda për Ditën e Pavarësisë.
Në ora 08:00 të 17 shkurtit pritet të fillojë mbledhja festive e Qeverisë. Më pas, në ora 8:20 pritet të bëhet ngritja e flamurit të Republikës së Kosovës.
Nderime te Monumenti i të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë priten të bëhen në ora 08:30, e më pas në 09:00 priten homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Në ora 09:10, priten homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, kurse në ora 10:15 planifikohen homazhe te Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Nderime te monumenti “Heroinat” priten në ora 11:45, kurse në ora 12:00 planifikohet parakalimi i FSK-së dhe Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Më pas, në ora 14:00 planifikohet mbajtja e koncertit të Pavarësisë, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kurse pas koncertit, në ora 16:00 planifikohet Konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Kjo Konferencë do të zhvillohet në amfiteatrin e Institutit të Historisë “Ali Hadri”.
Në ora 18:00 planifikohet pritje shtetërore nga Presidentja, Kryeparlamentari dhe Kryeministri i Kosovës.
Dita e Pavarësisë pritet të përfundojë me koncert solemn të Filharmonisë së Kosovës, me fillim nga ora 20:00.