Thaçi: BE do të Jetë i Plotë Vetëm kur Ballkani Perëndimor të Jetë Pjesë e Tij

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur  sot në takim Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Boyko Borissov, me të cilin ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe vendeve të Evropës Juglindore.

“Ne diskutuam për rrugën evropiane të Kosovës, të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në një konferencë për media Thaçi tha se  Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm atëherë kur Kosova dhe e tërë Evropa Juglindore të jenë pjesë e tij.  Sipas tij kjo nënkupton jo vetëm paqe e stabilitet, por edhe ngritje të mirëqenies së gjithmbarshme.

Presidenti poashtu ka folur edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“ Kosova kërkon jo vetëm që të vazhdojë dialogu me Serbinë, por edhe ta kthejë atë në një proces të mirëfilltë të pajtimit dhe të ndërtimit të paqes së qëndrueshme në rajon” tha Thaçi.

Ndërsa, Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, theksoi se ndërtimi i paqes dhe stabilitetit është në dobi të të gjitha palëve dhe tërë Evropa Juglindore e ka vendin në Bashkimin Evropian.

“Bashkimi Evropian është i hapur për vendet e Evropës Juglindore. Sigurisht, këto vende duhet të plotësojnë kushtet që ka vënë BE-ja për anëtarësim”, tha Kryeministri Borissov.

Borissov u takua sot edhe me Kryeministrin Ramush  Haradinaj, i cili kërkoi mbështetjen e Bullgarisë për rrugën evropiane të Kosovës, si dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e njohjeve.

“Kosova ka nevojë për miqtë e saj në procesin e liberalizimit dhe anëtarësimit në BE. Bullgaria është një vend mik nga i cili presim mbështetjen në këtë proces. Kosova do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend”, tha Kryeministri Haradinaj.

16 Prill 2018 - 13:36

Afërdita Fejzullahu 16/04/2018 - 13:36
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend