Testin e Maturës e Shoqëruan Problemet e Vjetra

Pjesa e parë e afatit të dytë të testit të maturës, i cili u mbajt sot në gjithë vendin, është shoqëruar me probleme të cilat janë vërejtur edhe në afatin e parë dhe në vitet paraprake.

Gjatë kohës së mbajtjes së testit, monitoruesit e KALLXO.com kanë vërejtur përpjekje të nxënësve për të kopjuar, përjashtime të ndonjërit prej tyre nga procesi, vonesa të administruesve, mosdorëzim të telefonave, e të tjera.

Në disa shkolla, nxënësit nuk kanë mundur t’i gjejnë emrat e tyre në lista.

Në së paku dy raste është vërejtur prania e policisë në shkollat ku mbahej testi, ndonëse ata nuk ishin ftuar nga menaxherët e qendrës së testimit.

E në disa shkolla të tjera nxënësit janë ankuar për mungesë të ujit të pijes.

Sikur edhe në vitet e kaluara edhe sot testet e maturës janë publikuar në internet.

Ndërsa, Ministria e Arsimit përmes një komunikate pjesën e parë të afatit të dytë të testit të maturës e ka vlerësuar të organizuar dhe të administruar mjaft mirë.

Provimit të maturës në afatin e dytë iu nënshtruan 8 mijë e 500 nxënës.

Pjesa e dytë e afatit të dytë të testit të maturës mbahet më 3 shtator.