Skender Hyseni Paralajmëron Aksion Tjetër ‘Kundër Krimit’

Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni ka folur për aksionet policore që janë ndërmarrë sot që nga orët e mëngjesit ndaj uzurpuese të pronave të privatizuara.

Sipas tij, aksione të tilla janë bërë edhe më parë në Ferizaj dhe në Prishtinë për të liruar pronat e uzurpuara.

“Në Ferizaj në 7 raste dhe në Prishtinë në 6 raste Policia e Kosovës është duke e liruar pronat e uzurpuara nga uzurpatorë të ndryshëm dhe natyrisht në pajtim dhe në bashkëpunim të ngushtë më prokurorët”, tha ai.

Hyseni gjithashtu tregoi se policia e Kosovës do të ndërmarrë dhe është duke ndërmarrë edhe aksione të tjera.

“Gjithashtu Policia e Kosovës sot do të zhvillojë nëse veç nuk ka filluar të zhvillojë një aksion tjetër po ashtu shumë të rëndësishëm dhe gjithnjë një në kontekst në kuadër të përkushtimit tonë të fuqishëm për rend dhe ligj dhe për luftimin e të gjitha llojeve  dhe të parregullsive dhe krimit”, tha ai.

Ai tha se nuk mund të japë më shumë detaje për të mos ndërhyrë në punën e policisë dhe prokurorisë.

“Unë nuk flasë në emër të Prokurorisë, flas vetëm për veprimet që bënë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës në zbatim të ligjit sipas kërkesave të prokurorisë”, u shpreh ai.