Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjykimi për Plagosjen Pse i Shtinë Lopët në Arë

Gjykimi i Jetullah Hajdinit, i cili akuzohet për vrasje në tentativë të dy vëllezërve Jeton e Valon Imeri në Komoran të Drenasit, është shtyrë për një datë tjetër.

Në bazë të deklaratave të dhëna në Prokurori nga të dëmtuarit, konflikti në mes familjes Imeri dhe Hajdini mendohet të ketë filluar shkaku i lopëve, saktësisht pse familja Imeri po i fuste lopët në arën e familjes Hajdini.

Lajmin për shtyrjen e seancës e bëri të ditur përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Bekim Kafexholli.

KALLXO.com merr vesh se seanca u shty për shkak të mungesës së Jetullah Hajdinit, i cili gjendet nën masën e arrestit shtëpiak, e nuk është sjellë nga Policia e Kosovës.

Ngjarja për të cilën po zhvillohet procesi gjyqësor pretendohet të ketë ndodhur më 28 korrik të vitit 2017, rreth orës 20:00 në fshatin Komoran.

Sipas aktakuzës, derisa i akuzuari Jetullah ishte duke qëndruar në arën e tij, afrohen të dëmtuarit Jeton e Valon Imeri dhe pas një mosmarrëveshjeje në mes tyre, të dëmtuarit fillojnë të largohen dhe Jetullahu, sipas Prokurorisë, me qëllim që t’i privojë nga jeta, nga para shtien me armë të tipit “Makarov” në drejtim të të dëmtuarit Valon Imeri, ku edhe e plagos në regjionin e sipërm të dorës së majtë dhe dëmtim i nervit ulnar dhe pastaj i dëmtuari Jeton, i cili ia kthen shpinën të akuzuarit Jetullah, për t’u larguar dhe nga pas i akuzuari e plagos edhe atë.