Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë përurimit të sotëm në Barilevë. Foto: Komuna e Prishtinës

Shpend Ahmeti Bën Një Përurim Larg Syrit të Gazetarëve

Në një komunikatë të lëshuar sot, komuna e Prishtinës tha se projekti i ndërtimit të sallës së edukatës fizike në shkollën fillore “Ali Kelmendi” në fshatin Barilevë do të kushtojë 177 mijë euro, dhe pritet të përfundohet për 100 ditë pune sipas planit dinamik.

Nuk ka pasur ndonjë njoftim paraprak për media për këtë aktivitet të Ahmetit.

Kjo ishte paraqitja e parë zyrtare në publik e Ahmetit që nga fundjava e kaluar kur portali GazetaMetro publikoi një fotografi me të cilën pretendohet se ai ka qëndruar në një jaht në qytetin bregdetar malazez të Budvës.

Vetë Ahmeti, në disa postime që ka bërë në Facebook ndërkohë, nuk ka folur për çështjen e jahtit dhe i kujt është ky mjet, por akuzat ndaj tij i ka lidhur me faktin se ky është vit gjatë të cilit do të mbahen zgjedhjet për kryetar të komunës.

As Lëvizja Vetëvendosje, parti nga e cila vjen Ahmeti, nuk ka pranuar të komentojë për akuzat ndaj kryetarit të kryeqytetit.