Shkoi me Armë në Shkollë, Kapet nga Policia

Një nxënësi të shkollës teknike “11 Marsi” në Prizren i janë konfiskuar dy pistoleta njëra në shkollë dhe tjetra në shtëpi.

Policia e rajonit të Prizrenit tha sot se gjatë ditës së hënë ka pranuar një informatë se një nxënës i kësaj shkolle posedon një armë zjarri në shkollë.

“Me të marrë informatën, policia i është drejtuar shkollës, ku së bashku me drejtorin e shkollës kanë shkuar në bufe për të identifikuar personin në fjalë”, thuhet në komunikatën e policisë rajonale në Prizren.

Kur e kishte parë policinë në shkollë, nxënësi kishte provuar të ikë pasi e kishte hedhur armën në tokë.

“I dyshuari është kapur nga policia dhe në prani të prindit dhe avokatit ka pranuar se pistoleta është e tij ndërsa ka shtuar se ai posedon edhe një tjetër pistoletë”, thuhet në komunikatë.

Policia thotë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet në konsultim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda ndërsa rasti po vazhdon të hetohet edhe më tej për provat dhe dëshmitë të cilat do të dërgohen në prokurorinë e shtetit për procedurat e mëtutjeshme ligjore.